image
Me Propozim-ligjin parashihet që Drejtori i DSK-së të ketë pushtet absolut në të gjitha sferat e sigurisë dhe informacioneve si dhe mjetet financiare. Sipas ekspertëve të kësaj lëmie me këtë bëhet rikthimi i UDB-së së dikurshme e jo reformë sipas standardeve të NATO-së dhe BE-së

Afrim TANALLARI

Me ndryshimet që synon t’i bëjë Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me funksionimin e shërbimeve sekrete, ku propozohet që Agjencia për Zbulim t’i bashkëngjitet Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), njohësit e mirë të kësaj sfere thonë se me këtë bëhet kthim në të kaluarën. Gjithashtu me Propozim-ligjin parashihet që Drejtori i DSK-së të ketë pushtet absolut në të gjitha sferat e sigurisë dhe informacioneve si dhe mjetet financiare që i përfiton nga burime të ndryshme dhe të mos japë raport apo llogari ndaj dikujt se si janë shpenzuar. Sipas tyre me këtë bëhet rikthimi i UDB-së së dikurshme e jo reformë sipas standardeve të NATO-së dhe BE-së.

Elementi tjetër si risi e propozim-ligjit me rëndësi është edhe përbërja e trupit koordinues si dhe qasja e shqiptarëve tek informacionet e karakterit sekret shtetërorë.

Me ligj parashihet që në trupin koordinues të marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes, ai i Punëve të Brendshme, Drejtori i DSK-së dhe Drejtori i Shërbimit Ushtarak, ku siç dihet këto pozicione udhëheqëse deri më tani asnjëherë nuk janë drejtuar nga shqiptarët.
Sipas kësaj ‘de fakto’ zyrtarët shqiptarë që do të jenë pjesë e ekzekutivit. Ligjërisht nuk do të jenë të informuar apo nuk do të kenë informacione të karakterit sekret.

Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska thotë se ky koncept që ofrohet si zgjidhje është modern dhe bashkëkohorë me shërbimet tjera të sigurisë. Sipas saj, me ligj do të ketë dy shërbime ai i zbulimit civil dhe ushtarak. Ndryshimet po përgatiten nga përfaqësues të shërbimeve të sigurisë nga MPB, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia për Zbulim, për një funksionim më efikas dhe zvogëlim të shpenzimeve dhe për funksionimin e tyre, thotë ministrja Jankullovska. 

“Për këtë qëllim kemi formuar grup të punës në nivel ekspertësh të cilët kanë bërë analizë të përvojave botërore dhe ky grup ekspertësh para udhëheqësve të MPB ka paraqitur parashikimet e tyre rreth konceptit për shërbimet e sigurisë në Maqedoni. Ky koncept është shumë praktikë në kuptimin e asnjë për implementimin dhe shfrytëzimin e resurseve dhe ajo që është më e rëndësishme është se ky koncept është modern, koncept i cili është bashkëkohorë me shërbimet e sigurisë”, deklaroi Jankullovska.

Siç marrim vesh në negociatat që po zhvillohen mes partnerëve të koalicionit qeveritarë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe VMRO-DPMNE-së, ku po bëhen harmonizimet e qëndrimeve, BDI kërkon që në trupin koordinues të ketë edhe një shqiptarë. Të gjitha këto ndryshime të ligjit për shërbimet do të varen nga votat e deputetëve të BDI-së, pasi që ky propozim-ligj miratohet me dy të tretën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Ekspertë sugjerojnë se pasi që shkrihet Agjencia, atëherë drejtori të zgjidhet nga kryeministri dhe kryetari i shtetit me nënshkrim të përbashkët e jo nga MPB-ja, që do ishte një element kontrolli. Drejtoria e re jozyrtarisht merret veshë se do të emërtohet në Drejtoria për Siguri Shtetërore. Propozim ligji për shërbimet sekrete javën e ardhshme do të jetë në seancë qeveritare për shqyrtim pastaj në Parlament për miratim