Shqipe Osmani

“Diktatura komuniste është munduar atëherë dhe mundohet edhe sot, nëpërmjet përfaqësuesve të kësaj diktature që të na shpallin të sëmurë, sepse edhe atëherë kur nuk kanë mundur të na bëjnë ndonjë gjë, ose na kanë ekzekutuar ose na kanë shpallur të sëmurë psikik”, tha Hasani.

Deputeti Nait Hasani, jo që nuk heq dorë nga kërkesat e tij që të dënohet krimi komunist me një Rezolutë të miratuar nga Kuvendi, por ai edhe përkundër reagimeve të partive politike dhe personaliteteve ndaj të cilëve ka ngritur kallëzim penal, ai ka shtuar madje kërkesat e tij në adrese të Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe Universitetit të Prishtinës që të hiqen titujt akademik dhe të nderit për ish-udhëheqësit në sistemin komunist. “Kërkoj nga Akademia e Shkencave që të shpërblyerit me tituj akademikë t’u hiqen titujt, si Sinan Hasanit dhe Universiteti i Prishtinës të heq titullin Honoris Kauza për Titon”, është shprehur Hasani. Duke këkuar nga mediat që ta bëjnë sensibilizimin e opinionit për çështjen e ngritur, Hasani është shprehur se çështja është aq serioze dhe në asnjë rast nuk do të pranon ta heshtë atë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të tjerë të cilët kanë qenë të përndjekur dhe persekutuar nga sistemi komunist ti bashkëngjiten iniciativës së tij për dënimin e krimeve komuniste, ndërsa reagimet e partive politike kundër iniciativës së tij i quan heshtje për hir të votave. Hasani, pavarësisht deklarimit të ndryshëm të disa përfaqësuesve të subjekteve politike, pretendon se ka mbështetje të fuqishme sidomos për nxjerrjen e rezolutës kundër krimeve të komunizmit. “Kemi të bëjmë me një sistem të kaluar i cili ka qenë në Kosovë, në ish jugosllavi për 50 vjet. Duke pasur si qëllim që ne si shoqëri në Kosovë e dalë edhe nga lufta dhe nga persekutimet, torturat e masakrat që janë bërë për 50 vjet, unë kam kërkuar që ti drejtohem opinionit dhe Kuvendit ta miratoj një rezolutë pdënimin e krimeve të komunizmit, që njëherësh ishte edhe sugjerim i Këshillit të Evropës”, tha Hasani. Deklarimet e shumta edhe nga përfaqësuesit në Kuvend, duke përfshirë këtu edhe kryetarin Krasniqi, kundër një nisme të tillë individuale të Hasanit, ky i fundit beson që kjo nismë e tij për rezolutën në Kuvend, nuk do të mbetet nismë e dështuar. “Unë besoj që Kuvendi i Kosovës do ta miratoj një rezolutë dhe atë besoj shumë shpejtë, sepse është një nga standard e BE- së, rezoluta e Këshillit të Evropës dhe ne duhet të jemi të deklaruar kundër krimeve të komunizmit dhe këtë Kuvendi i Kosovës duhet ta bëjë”, tha Hasani.

Ndërkaq duke i komentuar deklarimet e disa nga të apostrofuarit e tij në kallëzimin penal, se deputeti Hasani duhet të kontrollohet te mjeku paraprakisht, sepse mundë te jetë i sëmurë mental, ai tha se janë po ata njerëz të cilët kanë sunduar në diktaturë. Hasani, reagon edhe ndaj deklarimit të avokatit të tij se gjoja ai nuk ka fakte të mjaftueshme për disa nga të apostrofuarit në kallëzimin penal, duke pohuar kështu se avokati i tij tashmë është në dijeni për të gjitha faktet që ekzistojnë. Sh.Osmani