Rexhepi: Qeveria teknike nuk është zgjidhjePartia Demokratike e Kosovës është e gatshme për çdo variant për daljen nga kriza politike që ka kapluar vendin pas largimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni me PDK-në. Nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi ka thënë se PDK-ja do të shikojë se si do të jenë zhvillimet edhe në Kuvendin e Kosovës, përderisa ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie teknike.

Ai ka thënë se PDK-ja ende nuk ka vendosur për qëndrimin e saj sa i përket zgjedhjeve, por thekson se këtë e vendos ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

“Ne ende s’kemi vendosur për këtë. PDK-ja nuk e cakton. Këtë e bën ushtruesi i detyrës së presidentit. Të shikojmë zhvillimet që do të jenë edhe në parlament. Ne jemi të gatshëm për të gjitha format”, ka thënë ai.

Rexhepi ka theksuar se PDK-ja është për atë që zgjedhjet të mbahen sa më herët, në mënyrë që të dilet sa më shpejtë nga kriza institucionale, ndërkohë, sipas tij, Qeveria teknike, nuk bën punë.

“Jemi kundër, ajo nuk çon kërkund. Qeveria teknike nuk mund të kryej punë”, është shprehur Rexhepi.

Me gjithë zhvillimet e ditëve të fundit, Rexhepi ka thënë se nuk guxon të lejohet që të ketë vakum të plotë institucional, ngase ka shumë procese që duhet të kryhen.

“Nuk mund të ketë një vakum komplet në ekzekutiv, për arsye se janë shumë procese që duhet të kryhen, tash shumë punë i kryen sekretarët dhe punëtorët tjerë, por edhe ministrat, të cilët pavarësisht se çka ndodhë me qeveri, duhet të punojnë deri në qeverinë e ardhshme. Se a do të jenë anëtarët e LDK-së, këto janë prapë çështje tjera, për arsye se është interes i vendit dhe në gjithë shtetet demokratike qeveria vazhdon deri në formimin e qeverisë tjetër”, ka thënë Rexhepi.

Ndërkohë i pyetur lidhur me Kuvendin zgjedhor të PDK-së, ai ka theksuar se asnjë parti nuk ka qenë e gatshme që të kryej kuvendet zgjedhore në një afat të shkurtër me zgjedhje të parakohshme.

Por sidoqoftë, ai thekson se PDK-ja ka vendosur të dielën që të mbajë një kuvend, në të cilin do të rikonfirmohet mandati i strukturave udhëheqëse të partisë në nivelin qendror, por nuk përjashton edhe mundësinë e rifreskimeve dhe plotësimeve me anëtarë të rinj.