Rexhepi: Policia nuk ka përdorur forcë të tepëruar
Ai tha se forcat e sigurisë në Mitrovicë nuk kanë përdorur forcë të tepruar, por akuzoi individë serbë për, siç tha, përpjekje për të përshkallëzuar situatën në qytet.
Deklaratat e tij pasuan tensionet e rritura në urën e lumit Ibër, kur policia parandaloi një përplasje të mundshme mes protestuesve shqiptarë e serbë, në ditën kur po zhvilloheshin zgjedhjet lokale serbe në Mitrovicën e Veriut.
Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës dhe ato të forcave paqeruajtëse kanë arritur që të shpëndajnë turmat shqiptare e ato serbe të mbledhura në dy anët e urës mbi lumin Ibër.
Ato parandaluan përplasjet mes turmave që u mblodhën në mesin e urës duke vendosur forcat e tyre ndërmjet protestuesve.
Disa qindra protestues serbë hodhën gurë dhe gjësende të tjera mbi forcat e sigurisë dhe protestuesit shqiptarë në jug, ndërkohë që nga veriu janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri në ajër.
Të dyja turmat u shpërndanë rreth orës 13.30, dhe tani për tani nuk ka njoftime për të lënduar ose të arrestuar.
Një zëdhënës i policisë së Kosovës, Besim Hoti, tha se ndihma e forcave paqeruajtëse dhe atyre të policisë së EULEX-it ka bërë që të shmangen pasojat më të mëdha.
“Sigurisht që për të parandaluar të keqen më të madhe, marrë parasysh grupet e mëdha nga të dyja anët e qytetit, është dashur edhe intervenimi i forcave të tjera. Kjo gjithsesi ishte e mirëseardhur”,tha Hoti.
Tensionet u rritën pasi mijëra qytetarë shqiptarë, nën organizimin e shoqatave të veteranëve të Luftës të ish-UCK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosja, marshuan qytetit të Mitrovicës në shenjë kundërshtimi ndaj mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në veri.
Një numër i protestuesve shqiptarë u përpoq që të kalojë një barrikadë të policisë së Kosovës të vendosur në urë, por u zbraps nga forcat e sigurisë.
Disa qindra qytetarë serbë të vendosur në anën veriore të urës qendrore, hodhën gurë mbi protestuesit në jug dhe provuan që të përplasen me ta.
Zgjedhjet lokale serbe të paralajmëruara të mbahen për ditën e sotme, ranë në hije të zhvillimeve në urë.
Të paktën 13 subjekte politike serbe marrin pjesë në zgjedhje, që janë cilësuar si të paligjshme dhe të pavlefshme nga autoritetet e vendit dhe mekanizmat ndërkombëtar.
Ndërkohë, ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi i tha BBC-së se forcat policore në Kosovë kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me situate të ngjashme dhe se qëllimi kryesor ishte të mos përdorej forcë e tepruar.
Por ai tha se zhvillimet politike serbe në veri po e tensionojnë gjendjen në Mitrovicë.
Zoti Rexhepi tha se pavarësisht tendencave për të pamundësuar zbatimin e strategjisë së institucioneve të Kosovës për integrimin e veriut, ajo do të zë vend.
“Ata do të provojnë që të bëjnë çmos që strategjia të mos realizohet, që paketa e Ahtisaarit të mos zbatohet, por pavarësisht nga këto tendenca ajo do të realizohet”,tha ministri Rexhepi.