Intervistoi: Xhevdet Shehu

I nderuar Profesor Qosja! Prej afro tre muajsh Shqipërinë e mundon një çadër e ngritur në bulevard, poshtë dritares së Kryeministrit të Shqipërisë. Në pamje të parë 

shkaku duket absurd:garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat janë një detyrim. Pavarësisht indiferentizmit në opinionin shqiptar, kjo çadër ka alarmuar kancelaritë perëndimore dhe sidomos partnerët evropianë të Shqipërisë. Ju e shikoni shqetësuese çadrën në bulevard?

-E shikoj shqetësuese dhe, në pikëpamje politike, kulturore dhe kombëtare e shikoj shumë dëmtuese atë çadër, atë çadër me të cilën protestohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për zgjedhje që mbahen që njëzet e pesë vjet, për zgjedhje për të cilat Kushtetuta e ligji kërkojnë, obligueshëm, prej shtetit dhe prej të gjitha partive, që të jenë të lira e të ndershme, për zgjedhje për të cilat me Kushtetutë e me ligje janë caktuar procedura, janë siguruar organe politike, shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare, që mbikëqyrin mbajtjen e tyre. Dhe, çdo shkelje, çdo cenim i rregullave, i procedurave, i mirëvajtjes ndëshkohet apo duhet të ndëshkohet. E gjithë kjo, siç e kemi parë gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve, nuk do të thotë se nuk ndodhin shkelje e cenime të zgjedhjeve. Dhe, sa mbaj mend unë, gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve ato rregulla e procedura, ato liri e ndershmëri më së shpeshti i ka shkelur e cenuar pikërisht ai që ka shpikur çadrën! Çadra nuk është metaforë e lirisë! Çadra është metaforë e dhunës, metaforë e kaosit! Them kështu sepse me dhunë synohet të prishen zgjedhjet dhe me kaos synohet të ndryshohet vetëdija e votuesve shqiptarë!

Jemi hapësirë e vogël për aq shumë mosmarrëveshje, për aq shumë ballafaqime, për aq shumë mosdurime, për aq shumë urrejtje të ndërsjella. Dhe, haraçin e të gjitha këtyre të zezave e paguajnë jo ata që i bëjnë ato po tjetërkush: i paguan populli, i shpërfilluri nga klasa politike!

Ju në një shkrim të pak ditëve më parë i kini quajtur “ultimatume staliniste” thirrjet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, (në fakt të ish-kryetarit të PD-së Sali Berisha). Duket sikur ka një mospajtim në këtë konstatim:jemi në demokraci dhe sillemi si në diktaturë. Apo jo profesor?

-Jam shumë, shumë i çuditur se si një njeri politik, relativisht i ri, dyzet e dy tre vjeç, kryesisht i shkolluar në kushtet e pluralizmit politik partiak, pjesërisht i shkolluar a i çshkolluar përjashta, ka një mendje aq të shtangur, aq dogmatike si kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka një mentalitet aq të mbetur mbrapa,është aq i tejmbushur me etje pushtetore, është aq i tejmbushur me urrejtje politike ndaj kundërshtarit kryesor! Po them i shkolluar a i çshkolluar sepse neve prej përjashta sot po na vijnë jo vetëm të shkolluar po edhe të çshkolluar, po na vijnë edhe të çshkolluar siç vinin oficerë të shkolluar në Italinë fashiste në kohën e Zogut, që prodhoheshin sipas devizës musoliniane: bona per Albania. Çuditem shumë, shumë, sesi në Shqipëri e në Kosovë prej këtyre të shkolluarve përjashta sipas devizës bona per Albania po na dalin ministra, zëvendësministra, këshilltarë kryetarësh e kryeministrash, drejtorë e kryeredaktorë, anëtarë bordesh, madje edhe gazetarë qëme sjelljet e tyre kur e kur ua kalojnë edhe stalinistëve më të përbetuar!

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka shkuar shumë larg, shumë larg me ato ultimatumet e tij staliniste:s’ka dhe s’ka zgjedhje pa qeveri teknike! S’ka dhe s’ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër! Me betejën tonë do ta rrënojmë republikën e vjetër! Askush s’mund ta ndalë dot kauzën e opozitës! E të tjera.

Lufta totale e çadrës

E dëgjuat se çka u premtoi shqiptarëve një natë ai.

-Me luftë totale, tha, do të rrënojmë republikën e vjetër! Fizikisht do ta marrim Shqipërinë!

Kryetari i PD-së i premtoi Shqipërisë, i premtoi popullit shqiptar, luftë totale.

Togfjalëshi politik, dhe luftarak, luftë totale është i njohur në krejt botën qe 74 vjet! Dhe, i tmerron të gjitha shtetet dhe të gjithë ata që ia dinë prejardhjen. Më 23 shkurt të vitit 1943, ndërtuesi i propagandës naziste, hitleriane, Gebelsi, kishte mbledhur disa dhjeta mia gjermane, intelektualë, oficerë e të tjerë, në një sallë të madhe dhe u kishte premtuar, pas disfatës në Stalingrad, ku feldmareshali Fridrih von Paulus kishte kapitulluar me armatën e tij, se Gjermania do të fillojë luftën totale, e cila, duke qenë luftë totale, s’ka se si të mos sjellë fitoren!

E kryetari i PD-së, 74 vjet më vonë, pas Gebelsit, na premtoi se me luftë totale do ta çlirojë Shqipërinë prej demokracisë, prej reformës së drejtësisë, prej vetingut, prej orientimit të saj evropian!

Porsi atë fjalinë famëkeqe me të cilën e shënoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën si rrezik për rajonin, edhe fjalinë tjetër të Lulzim Bashës Me luftë totale do ta rrënojmë republikën e vjetër pas shqiptimit të dytrihershëm ia hoqën prej repertorit ata që nuk e kanë mendjen të histerizuar si ai.

Nuk mund ta di a e futi Lulzim Basha në përdorimin e tij kërcënues togfjalëshin skëterror luftë totale nga mosdija apo me qëllim, por e di: një parti politike që udhëhiqet prej një njeriu me mendje aq të turbulluar, aq të dogmatizuar, siç tregohet Lulzim Basha në çadër, e rrezikon shumë veten në të gjitha pikëpamjet, e rrezikon shtetin në të cilin vepron dhe e rrezikon popullin prej pjesëtarëve të të cilit është i përbërë ai shtet. E misioni kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, në të vërtetë i përfaqësuesve të saj, nuk duhet të mbesin as katastrofa e vitit 1997, as grusht shteti i dështuar në shtator të vitit 1998, as tragjedia e Gërdecit, as vrasja e protestuesve më 21 janar 2011, as shkeljet jo dhe të rralla të Kushtetutës e të ligjeve, po ndërtimi demokratik i Shqipërisë. Ajo, PD-ja ka anëtarë, ajo ka veprimtarë, ajo ka mendje të shquara, por ata i ka shpërfillur ish-kryetari i saj Sali Berisha ditën që e ka emëruar Lulzim Bashën kryetar të saj! Për të gjitha këto arsye është e rëndësishme për vetë PD-në, që është parti historike në politikën shqiptare, është e rëndësishme për Shqipërinë, që PD-ja të bëjë ndryshim në organizimin e saj e në veprimtaritë e saj, e për t’i bërë këto ajo duhet të lirohet prej fatamorganave të dy kryetarëve të saj, Sali Berishës e Lulzim Bashës.

Dua të shpresoj se zyrtari i lartë diplomatik amerikan Hoit Brajan Ji do të arrijë që kryetari PD-së Lulzim Basha të heqë dorë prej “luftës totale” dhe prej fatamorganës së quajtur “republika e re” e cila si tha ai me 13 maj “do të marrë me të gjitha mënyrat fatet e vendit nëse Rama nuk tërhiqet” dhe më në fund do pranojë zgjedhjet e 18 qershorit 2017.

Fatamorganat e tyre

Kryetari real i PD-së, Sali Berisha, kohët e fundit e ka përsëritur shpesh një term të huazuar nga ju. E kam fjalën për vitin 1997, të cilin ju e keni konsideruar “një vit të revolucionit të vonuar demokratik”. Për “revolucion demokratik” çuditërisht flet dhe Berisha aktualisht. A ju shqetëson ky huazim që ka bërë Berisha dhe a është realisht momenti për të bërë “revolucion demokratik” me 50 mënyra, sikurse shprehet ish-kryetari i PD-së.

-Në vitin 1997 populli ishte ngritur kundër pushtetit despotik të Sali Berishës dhe të kastës së tij politike. Bazat e një vargu të këqijash në politikë e në shoqëri në Shqipëri do të vihen në atë kohë, kurse sot po bëhen përpjekje prej Qeverisë për mënjanimin e tyre. Unë atë ngritje të popullit e kam quajtur revolucion i vonuar demokratik dhe e quajta kështu-i vonuar sepse kam menduar se ndërtimi i shëndoshë demokratik i Shqipërisë do të duhej të kishte filluar në vitet 1991-1992. Sigurisht me kërkesën e njerëzve të Partisë Demokratike do të shkruhen shumë artikuj kundër meje, në të cilët në mënyrë staliniste shpjegohej togfjalëshi revolucion i vonuar demokratik, kurse unë etiketohesha enverist, stalinist, antidemokrat, armik. Ndër ata që shkruanin kështu kundër meje sigurisht kishte të tillë që nuk i kishin dëgjuar togfjalëshat e përdorur në ish vendet komuniste kur atje ishin bërë ato lëvizjet popullore që kishin përmbysur komunizmin: nuk i kishin dëgjuar togfjalëshat revolucion demokratik, revolucion paqësor, revolucion i mëndafshtë, revolucioni i kadifenjtë. E të tjerë. Unë përkraha një lëvizje popullore, që doja të ishte paqësore, revolucion demokratik, që do ta çlironte Shqipërinë prej despotizmit të Sali Berishës me shokët e me kastën e tij politike, kurse Sali Berisha sot flet për një revolucion që do të përmbysë demokracinë. Për shkak se në gjuhën e tij fjala revolucion nënkupton dhunën, ai thotë: Edi Rama e kupton vetëm revolucionin, domethënë mund të përmbyset vetëm me dhunë. Meqenëse me të do të përmbyset demokracia, revolucioni i Sali Berishës e i Lulzim Bashës në të vërtetë është kundërrevolucion: kundërrevolucion për një fatamorganë e quajtur “republika e re”.

Kryeministri Edi Rama u ka bërë një sërë lëshimesh çadristëve të PD-së, sikurse bëri me tërheqjen nga zgjedhjet vendore në Kavajë…Një gjë të tillë nuk besoj se do ta bënte Sali Berisha. A bëri mirë Edi Rama?

-Sipas mundimit tim, kryeministri Edi Rama bëri mirë me tërheqjen nga zgjedhjet vendore në Kavajë. Krijuesit e Çadrës, në Kavajë synonin të përsërisnin 21 janarin e vitit 2011, por tani, në vend të Sali Berishës e të Lulzim Bashës, dëshironin që vrasës të protestuesve të bëheshin Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj! Megjithatë me tërheqjen e zgjedhjeve në Kavajë, si e tha Johanes Han, u cenua demokracia! Po, u cenua demokracia, por u shmang ajo që u synua nga Sali Berisha e Lulzim Basha.

Partia Demokratike vazhdon të mohojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e 18 qershorit, duke këmbëngulur në disa kërkesa thuajse të parealizueshme. Le të supozojmë se PD-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Sa e rrezikon kjo demokracinë shqiptare? A do të ngelet vendi pa opozitën aq të nevojshme?

-Si dëshmon Komisioni Qendror Zgjedhor i Shqipërisë, në zgjedhjet e 18 qershorit 2017 do të marrin pjesë 15 parti. Kjo do të thotë se vendi nuk do të mbetet pa opozitë. Do të ishte mirë për të e për Shqipërinë që PD-ja të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, por të marrë pjesë në zgjedhjet pa fatamorganën e “republikës së re”, që e shpalli Lulzim Basha në çadër! Por, të mos harrojmë se historia e organizimit i quajtur shtet njeh demokraci edhe pa opozitë, madje edhe pa parti. Studiuesit e të ardhmes thonë se do të vijë koha kur nuk do të ketë më parti politike. Demokracinë nuk e garanton vetvetiu opozita, demokracinë e garantojnë Kushtetuta dhe ligjet e shtetit, e garanton shteti i së drejtës. Mospjesëmarrja e PD-së në zgjedhjet e 18 qershorit, prandaj, nuk e rrezikon demokracinë shqiptare. Nuk e thotë kot populli: ai që s’është, ai që s’do të marrë pjesë, pa të bën dhe pa të mundet.

Rroftë Shqipëria, rroftë populli shqiptar, parti do të kemi boll, më tepër se ç’na duhen, me PD-në a pa PD-në!

A do të jetë më e mirë Shqipëria pas 18 qershorit?

Dua të shpresoj se Shqipëria do të jetë më e mirë pas 18 qershorit.

Dua të shpresoj se Shqipëria do të jetë Shqipëria që duam e Shqipëria që duhet ta synojmë, mbas reformës së drejtësisë dhe Vetingut, por mbas reformës së drejtësisë dhe Vetingut që do të zbatohen pashmangshëm. Shqipëria do të jetë më e mirë, Shqipëria do të jetë Shqipëria që duam, mbasi të bëhen reformat në të gjitha fushat e jetës sipas standardeve që kërkon Bashkimi Evropian: mbasi të bëhen reformat në fushën e arsimit, ku edhe janë nisur një varg ndryshimesh të rëndësishme, në fushën e shëndetësisë, në fushën e kulturës, në fushën e mbrojtjes së mjedisit, në fushën e të drejtës së pronës intelektuale e në fushat e tjera, të cilat BE-ja ua qet kusht vendeve që synojnë anëtarësim brenda saj.

Vijon nesër