Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë bërë të ditur se të gjitha fluturimet e parapara për ditën e shtunë, janë anuluar, si pasojë e reve të hirit vullkanik, të shkaktuara nga një vullkan në Islandë.

Hapësira ajrore nga Britania deri në vendet Baltike, si dhe në jug deri në Rumani është mbyllur plotësisht ose pjesërisht, mijëra fluturime janë anuluar kurse bota sheh e shqetësuar përhapjen e hirit vullkanik nga Islanda.

Kontrolli i trafikut ajror në Gjermani i ka mbyllur të 16 aeroportet ndërkombëtare në vend deri të paktën këtë të shtunë në orën 20. Aeroporti i hamburgut nuk do të ketë fluturime deri të dielën në mesditë.

Shumë vende evropiane deri Zvicra dhe Italia veriore i kanë mbyllur aeroportet.

Ndërkohë, mijëra udhëtarë kanë mbetur nëpër aeroporte dhe presin të arrijnë në destinacionet e tyre.

Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë bërë të ditur se të gjitha fluturimet e parapara për ditën e shtunë, janë anuluar, si pasojë e reve të hirit vullkanik, të shkaktuara nga një vullkan në Islandë.

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, i ka thënë se pas mbylljes së aeroporteve në shtetet, ku ishin paraparë fluturimet për të shtunën, si Zvicra,Gjermania, Sllovenia etj, janë anuluar për shkak se aeroportet e tyre nuk janë në funksion.

Drejtuesit e aeroportit Nënë Tereza në Tiranë njoftuan se janë pezulluar përkohësisht fluturimet nga Tirana drejt Londrës dhe Budapestit.

Për pasojë ata që udhëtojnë drejt këtyre vendeve, si edhe në rastet kur kalojnë tranzit përmes tyre, do të jenë të detyruar të presin njoftime të tjera.

Në Aeroportin e Shkupit ndërkohë disa kompani kanë anulluar fluturimet gjithashtu. Bëhet fjalë për linja në Evropën qendrore dhe perëndimore.

Siç njoftohet këto vendime i kanë marë kompanitë që fluturojnë për në Shkup, pas vendimeve që një pjesë e madhe e aeroporteve evropiane të mbyllen.

Por aeroporti i Shkupit do të vazhdojë funksionimin, pasi siç njoftohet do të operohet për linjat që shkojnë në Vjenë, Lubljanë, Zagreb apo Stamboll, në aeroportet e të cilave nuk ka ndalesa për fluturim.

Ndonëse nga aeroporti i Shkupit nuk bëhen shumë fluturime, sërish zyrtarët thonë se situata e krijuar në pjesën më të madhe të Evropës nga shpërthimi i vullkanit në Islandë, edhe pse pjesërisht, po prek edhe Maqedoninë.

Në përgjithësi, një pjesë e madhe e hapësirës nga Atlantiku në kufijtë rusë dhe nga Alpet në Detin Arktik mbeten të mbyllura.

Zyrtarët paralajmëruan se çrregullimet nga reja e madhe e hirit vullkanin pritet të zgjastin edhe sot, ndërsa operimet normale të aeroplanëve mund të vazhdojnë pas disa ditëve.

Në Islandë vullkani vazhdon të nxjerrë re gjigande avulli dhe hiri. Matjet dhanë lartësi të kullave të tymit prej tetë kilometrash.

Sipas metereologëve në Rekjavik, nuk shihet që aktivitetet e vullkanit të pakësohen.

Zyrtarët e kontrolit të trafikut ajror thanë se rreth 16 mijë fluturime në hapësirën ajrore evropiane, apo dy të tretat e fluturimeve në Evropë, u anuluan dje për shkak të hirit që vazhdon të dalë nga vullkani në Islandë.

Ndërkohë, mijëra udhëtarë kanë mbetur nëpër aeroporte dhe presin të arrijnë në destinacionet e tyre.