Xhevat bislimi-Soji i surrojve dhe Komuna e Vitisë

   Presionit, shantazhit dhe dhunës sistematike të Gjykatës ndaj Komunës së Vitisë këto ditë iu bashkua edhe soji i surrojve me mediat e tyre të shkruara dhe elektronike. “Koha Ditore” dhe KTV-ja e surrojve me shkrimet dhe lajmet e tyre spekulative kanë marrë përsipër të marrin në mbrojtje gjykatësit (vëllezërit e tyre ideologjikë) që mbrojnë dhe përkrahin uzurpatorët, krimin e organizuar dhe mbeturinat e sistemit të djeshëm komunist pushtues. Ballafaqimi i fundit midis Komunës, që zbaton Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, nga njëra anë, dhe Gjykatës, që është instrument i të kaluarës së zezë dhe i krimit të organizuar, nga ana tjetër, ndodhi më 14 korrik të këtij viti. Këtë ditë të turpshme për drejtësinë në Kosovë ndodhi ajo që nuk do të ndodhte kurrë në vendet ku sundon ligji. Gjykata dhe policia e vendit, të fshehur pas një gjyqtari të EULEX-it, ushtruan dhunë policore ndaj shkollës shqipe dhe ndaj Komunës së Vitisë. Atë ditë në objektin e Komunës u arrestua e gjithë udhëheqja komunale, pesëmbëjedhtë drejtorë të shkollave të Vitisë, dymbëdhjetë këshilltarë komunalë, njëzetë kryetarë fshatrash, Kryetari i qytetit të Vitisë dhe dhjetëra zyrtarë komunalë! Një dhunë e këtillë e shfrenuar ndaj Komunës dhe arsimit nuk është regjistruar ndonjëherë në vendet demokratike ku sundon ligji. Flaka Surroi (flaka e patriotizmit dhe komunizmit jugosllav) na tregon se në Kosovë pushtetet janë të ndara (zbulim epokal)! Ata që janë rritur dhe përkundër në djepat e ambasadave jugosllave komuniste na mbajnë leksione për pushtetet e ndara! Në vendet normale gjykatat nuk e bëjnë ligjin. Ato e zbatojnë ligjin. Në vendet normale këto tri pushtete bashkëpunojnë ngushtë për interesat e shtetit dhe të vendit, për luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit, uzurpatorëve, etj. Në vendet normale gjykata është njëri prej tri pushteteve, por jo superpushteti. Në vendet që synojnë ndërtimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe të paqesë shoqërore, ata që ishin pararoja e politikave pushtuese dhe ideologjike nuk do të kishin vend në gjykata, në politikë, në media dhe në jetën publike. Askush nuk ka kërkuar të ndiqen dhe dënohen për angazhimin e tyre pesëdhjetë vjecar në shërbim të pushtuesit dhe të ideologjisë së tij komuniste, por, është interes jetikë i vendit dhe i demokracisë që kjo kategori e njerëzve të bëjnë prerje me të kaluarën e tyre, të kërkojnë botërisht falje dhe të tërhiqen nga jeta publike. Ky do të ishte interes edhe i fëmijëve, nipave dhe stërnipave të tyre. Njerëzit që ishin fytyra, zëri dhe masha e politikave shfarosëse të Jugosllavisë dhe Serbisë komuniste nuk mund të na mbajnë leksione për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Njerëzit që kanë shqiptuar mijëra vjet burg për bijtë e këtij populli, (si Huruglica, Pira dhe kompania e tyre) në emër të drejtësisë dhe ligjeve të pushtuesit nuk mund ta ndajnë drejtësinë në Kosovën e lirë dhe demokratike. Njerëzit që na përgjonin prapa vrimës së celësit, që na ndiqnin hap pas hapi, që na arrestonin, na torturonin dhe na ruanin te dera e burgut do të duhej të iknin nga policia e Kosovës demokratike, që pretendon të bëhet shtet ligjor.

   Nekibe Kelmendi thotë se nuk mund të ndërhyj në punën e Gjykatës. Ajo që kishte ndërhyrë dhe ndikuar shumë (bashkë me UNMIK-un) në krijimin e këtyre gjykatave dhe në përzgjedhjen e këtyre gjykatësve e prokurorëve na hiqet si shenjëtore! Jo zonjusha Nekibe. Po të kishte parti dhe institucione të mirëfillta politike ju nuk do të duhej kurrë të uleshit në karriken e Qeverisë, sepse ju jeni direkt përgjegjëse për këtë “drejtësi” që ka Kosova, e që është turpi dhe fatkeqësia e këtij vendi. Ne mendojmë se pa cmontimin e këtij sistemi të “drejtësisë”, që është bërë gur i rëndë në qafën e këtij vendi, Kosova kurrë nuk mund të bëhet shtet ligjor dhe demokratik. Gjykatat e Nekibe Kelmendit janë bër burim dhe qerdhe e korrupsionit, e konflikteve, e trafikimit të pronave dhe logjistikë e krimit të organizuar. Këtë gjendje e kanë kuptuar dhe e dinë më mirë dhe më saktë se ne edhe organizmat dhe misionet e ndryshme ndërkombëtare që flasin e shkruajnë vazhdimisht në raportet e tyre interne. Flaka Surroi ose është e painformuar (gjë që nuk e besojmë) ose ia “fut si kau pelës” kur na “akuzon” se ia kemi zgjatur jetën UNMIK-ut dhe do t’ia zgjasim jetën edhe EULEX-it… Jeni ju zonjushë dhe soji e sorollopi juaj që ia zgjatnit jetën pushtuesit, ia zgjatët UNMIK-ut nga tri në dhjetë vjet dhe, sipas të gjitha gjasave (nëse “fitoni”), do t’ia zgjatni jetën dhe, sic e keni nisur, do ta bëni EULEX-in Zot të vendit! Megjithatë, ne kemi besim te qytetarët tanë, te vullneti politik dhe demokratik i tyre dhe te mbështetja e miqëve tanë ndërkombëtar, që nuk do të lejojnë vendosjen dhe ngadhnjimin e ideologjisë, të drejtësisë dhe praktikave totalitare në Kosovë. Ne po përpiqemi t’ju kuptojmë juve nostalgjikëve të Jugosllavisë së Titos dhe e dimë se nuk e keni të lehtë jetën jashtë atij sistemi por, mundohuni të jetoni me realitetin e “hidhur” dhe të pajtoheni se ai sistem, ajo ideologji dhe ai shtet kanë vdekur dhe nuk ngjallen më në Kosovë.

 

P. S.

Shpjegim për lexuesit dhe dëgjuesit e “Koha Ditore” dhe KTV-së

 

Lexues dhe dëgjues të nderuar të mediave surrojane,

   Objekti për të cilin është ndërmarrë fushata e turpshme e surrojve kundër Komunës së Vitisë është pronë dhe pasuri e Komunës. Kështu të paktën është në kadastrin e Komunës dhe dëshmohet me të gjitha fletët poseduese të paraluftës dhe të pas luftës. Sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale (ende në fuqi) pronën dhe pasurinë komunale e menaxhon vetëm Komuna. As Gjykata, as EULEX-i dhe askush tjetër nuk ka drejtë ta menaxhojë apo ta jap në shfrytëzim pronën e Komunës. Ky objekt ndodhet në oborrin e Qendrës së Arsimit të Mesëm (Gjimnazi dhe Shkolla profesionale). Objekti është ndërtuar në vitin 1985 nga BVI-a (komuna e atëherëshme) dhe është shfrytëzuar nga Shoqata “JELLEN” atëherë shoqatë shtetërore dhe nga një autoshkollë e kohës, si objekti i Lidhjes Komuniste (komiteti) dhe objekte të tjera të karakterit shtetëror, shoqëror, kulturor a politik të kohës. Pas lufte ky objekt është shfrytëzuar pa asnjë leje apo kontratë me Komunën për “aktivitete” të dyshimta dhe të palejueshme (ilegale) për mjedisin shkollor. Këto janë të dokumentuara nga policia, por i di edhe cdo qytetar i Vitisë. Shoqata “Drenusha” është themeluar në vitin 2006 (shiko certifikatën e regjistrimit). Muaj më parë Komuna e Vitisë, konform ligjit për gjuetinë, ka shpallur tender publik për menaxhimin e zonës së gjuetisë në Komunën e Vitisë. Këtë tender, sipas ligjit dhe të gjitha procedurave e ka fituar shoqata “Karadaku”, të cilës Komuna i ka ndarë pesë ari truall për ndërtimin e një shtëpie gjuetarësh. Do të thotë që Shoqata “Drenusha” nuk ka të drejtë ligjore të ushtrojë veprimtari gjuetie. Këto prova nuk i kemi zbuluar pas “konkluzionit” të një gjyqtari të EULEX-it dhe as pas vendimit të gjyqtarit më të korruptuar, Huruglicës dhe avokatit Shemsedin Pira, por i kemi pasur dhe i kemi paraqitur në Gjykatë me kohë, shoqja Flaka. Edhe vërtetimin e pronësisë e kemi kërkuar para shtatë muajsh, por nuk është shqyrtuar nga Gjykata. Për vendimin kundërligjor dhe të bazuar në fakte të rrejshme (Huruglica në vendimin e tij shkruan se shoqata “Drenusha” e ka në shfrytëzim objektin që nga viti 1985!) Komuna i ka bërë kallëzim penal Ymer Huruglicës, mirëpo, sic thotë Flaka e vëllazërim-bashkimit, “kadia të padit, kadia të dënon”. Për këtë cështje dhe kundër këtij vendimi kundërligjor, arbitrar, politik dhe me nuanca kriminale, kemi bërë ankesë para tetë muajsh edhe në Këshillin Gjyqësor dhe në Inspektoratin gjyqësor të Kosovës. Për këtë cështje i kemi shkruar edhe Kryetarit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kryeministrit të Qeverisë, Ministrisë së drejtësisë, Ministrisë për Administrimin e pushtetit lokal, Ministrisë së brendshme, Gjykatës Kushtetuese, grupit Qeveri-EULEX për zbatueshmërinë e ligjit dhe Agjencionit Antikorrupcion. “Kontesti” midis pushtetit komunal dhe gjykatës ishte ndërinstitucional dhe duhet të zgjidhej vetëm në rrugë dhe nivele institucionale. Ndërhyrja e policisë dhe dhuna e saj ishte kundërligjore. Arrestimi ishte i kundërligjshëm, sepse askush nuk kishte fletarrest. Ishte një hakmarrje e pastër politike dhe ideologjike e atyre që na kishin dënuar, torturuar dhe persekutuar në kohën e tyre të “artë”. Gjyqtari i EULEX-it ose ishte mashtruar nga këta trafikantë të ligjeve dhe pronave ose ishte korruptuar, sepse ai nuk ka autoritet dhe as mandat të bjerë vendime dhe të “komandojë” policinë e shtetit të Kosovës! Por, me mbështetjen e Huruglicëve dhe kompanisë së tyre, EULEX-i dhe Kermabo po marrinë mandate edhe të bisedojnë me Serbinë për cështje të brendshme të Kosovës (për vendosjen e rendit dhe ligjit në një pjesë të Kosovës), edhe të hetojnë Qeverinë dhe institucionet e Republikës, etj.

Lexuesë dhe dëgjuesë të mediave surrojane,

Udhëheqja komunale e Vitisë është përpjekur dhe po bënë cmos të ushtrojë mandatin e marrur nga vota e lirë e qytetarit, të mbrojë pronën komunale dhe interesat e qytetarëve të saj konform Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës. Nuk kemi nevojë të fshihemi, sepse nuk jemi fshehur kurrë, pas UNMIK-ut (sic po kërkojnë edhe sot gjyqtarët e Nekibe Kelmendit) dhe as pas EULEX-it. Për mbrojtjen dhe menaxhimin e pronës komunale na obligon ligji. Pastaj, objekti i “kontestuar” edhe sikur të ishte shtëpi dhe pronë private, meqë ndodhet në oborrin e shkollës, do të duhej të falej nga pronari ose të shpronësohej konform ligjeve në fuqi, e lëre më që është objekt dhe pronë e Komunës. Nëse kemi mbrojtur ndonjë intesres personal a privat jashtë mandatit që na jep ligji le të urdhëroj kush të doj dhe të hetojë… Këtu jemi. Komuna e Vitisë ka bërë dhjetëra padi kundër uzurpatorëve të pronës komunale dhe gjyqtarët e Nekibe Kelmendit deri më sot nuk e kanë liruar asnjë pronë të uzurpuar! Janë shkatërruar shumë prona dhe pasuri “shoqërore” e publike para syve të kësaj policie dhe të këtyre prokurorëve e gjykatësve dhe askush deri më sot nuk është ndjekur as dënuar, janë bërë shumë krime dhe dosjet e tyre vazhdojnë të mbahen të mbyllura. Në sytë e tyre janë shkatërruar edhe pyjet, mushkritë e jetës dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë, etj., etj. Prandaj, Komuna e Vitisë kërkon edhe publikisht të hetohen këta gjyqtarë e prokurorë, të largohen nga Gjykata dhe nga Policia ata që “guxuanë” ta arrestojnë Komunën e Vitisë, sepse ne për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të interesave të qytetarëve tanë jemi të gatshëm të “lidhemi” saherë të ketë nevojë… 

Lexuesëve dhe qytetarëve u kërkojmë falje për gjuhën e “ashpër” të reagimi (nuk është në natyrën tonë), por na kanë mbështetur për muri, ata që nuk do të duhej të ishin në skenën dhe jetën publike të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës.

 

Viti, më 27 korrik 2009