Sipas raportit të vlerësimit të Komisionit Europian, me gjithë plotësimin e pjesës më të madhe të kritereve për liberalizimin e vizave, as Shqipëria dhe as Bosnja nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të përfituar nga regjimi pa viza. Dokumenti, i cili u është shpërndarë vendeve anëtare pak ditë më parë, e klasifikon Shqipërinë pas Bosnjës, ashtu siç ishte paralajmëruar deri tani. “Top Channel” mundi të sigurojë pjesën kryesore përmbledhëse të këtij dokumenti tepër konfidencial.

“Shqipëria duket se i ka përmbushur masat e bllokut të parë të udhërrëfyesit për vizat”, njësoj edhe Bosnja, vlerësojnë ekspertët për sigurinë e dokumenteve. Por, vendi ynë mbetet pas Bosnjës në bllokun e dytë, që ka të bëjë me emigracionin ilegal dhe riatdhesimin. “Duket se Shqipëria i ka plotësuar në përgjithësi kriteret e përcaktuara. Por, verifikimi i mëtejshëm është i nevojshëm për sa i takon zhvillimit të një strategjie dhe politike për mbështetjen e refugjatëve të riatdhesuar”, thuhet në dokument. Në bllokun e tretë të udhërrëfyesit, që ka të bëjë me sigurinë dhe rendin publik, Shqipëria dhe Bosnja barazohen në mosplotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara.

“Shqipëria ka plotësuar shumicën e masave. Por, përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe implementimit efikas të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore. Në mënyrë të veçantë, zbatimi i një kuadri të ri ligjor për çështjen e konfiskimit të aseteve kriminale duhet të ndiqet më tej me vendosmëri”, vlerëson Komisioni Europian.

Në bllokun e katërt dhe të fundit, mbi të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë, të dyja vendet thuhet se kanë plotësuar në përgjithësi kriteret e kërkuara.

Pasi të shqyrtojnë vlerësimin e rifreskuar të Komisionit Europian, vendet anëtare pritet të shtojnë dhe vlerësimet e tyre. Me të gjitha këto informacione, Komisioni do të përgatisë rekomandimin në fund të majit, për ta publikuar në javën e parë të qershorit. Sipas burimeve të “Top Channel”, ky rekomandim pritet të jetë pozitiv, por i kushtëzuar, me dërgimin e misioneve shtesë të ekspertëve për kriteret e paplotësuara ende. Ky rekomandim do të shqyrtohet nga Parlamenti Europian përpara se t’i kalojë për vendim Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Sipas të gjitha gjasave, mosplotësimi i të gjitha kushteve nga Shqipëria dhe Bosnja, ridërgimi i misioneve të ekspertëve, por dhe vetë procedurat e institucioneve të Bashkimit Europian vonojnë heqjen e vizave, në rastin më të mirë, deri në fund-vjeshtë apo fillim-dimrin e këtij viti, me kusht që të dyja vendet deri atëherë t’i kenë plotësuar të gjitha kriteret teknike.

Arta Tozaj, Bruksel