Shkruan: Fadil Shyti

Në poezinë e famshme, “Krishti me kamxhik” në vitet 30-ta, Noli i madh shkruante:

Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

Janë shtruar sarafët’) pa shpirt e pa besë,

Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë,

Thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.

-Ja, sa aktuale tingëllon sot e mot, gjer – në ditët tona kjo poezi e gjeniut poet!

-Që prej ndryshimit të sistemit politik në Shqipërinë administrative, kur morën hov të pandalshëm hapat e prapakthimit, kur morën hov “ndryshimet pozitive”, kur erdhën në pushtet bijtë dhe bijat e atyre që kishin luftuar përkrah fashistëve italo-gjermanë me në “krye” Sali Ramë Berishën sulmet e pa fre, mbi ish–udhëheqjen shqiptare s ´po kanë të ndalë; këto sulme të ndihmuara nga të gjitha aspektet revanshiste, për t´i quar në vend: amanetet fashiste të Hitlerit dhe Musolinit, që kur e kur ata, si arritën dot që, disa nga udhëheqësit e PKSH-së dhe të rinisë shqiptare, t´i burgosnin atëbotë-këtë e arritën pinjollët e aleatëve të tyre besnikë…

-Elementë reaksionarë, vandalistë të politikës jo të mirëfilltë shqiptare, janë të ndihmuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm jo vetëm shqipfolës ; por, në veçanti ishin dhe janë të ndihmuara nga qarqe reaksionare të vendeve fqinje si : Serbia, Mali i Zi, Maqedonia. Kanë kaluar kaq vite dhe kurrsesi, nuk po kthjellohen mendjet e turbulluara të “liderucëve” “demo (n) kratë”, në pasionin e tyre të ndjekjes së shtrigave…

-Nuk po përfundojnë gjithashtu, turpet e krimet e një politike reaksionare-barbare, mbi atdhetarët në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi: që nga koha e piramidave; që, pastaj pasuan trazirat e 97-të,kur: atëbotë ”Salo ”trimi”, gati e bombardoi Shqipërinë, për ta ndarë në dysh-Jugun; t´ia jepte peshqesh, -Greqisë, dhe Veriun;- Serbisë, -po për fatin e atdheut, pilotët nuk e dëgjuan, pastaj u larguan në Itali , pasi nuk deshën të marrin damkat e kriminelëve duke qëlluar nga ajri , mbi popullin e pafajshëm. Protestat në Vlorë filluan në fillim të Janarit 97, dhe për 2 muaj rresht populli i Vlorës , dhe i tërë Shqipërisë, u rrah, u burgos dhe u vra nga shikasit e Gazidedës.

-Nuk po përfundojnë as tragjeditë masive mbi kombin tonë; në tokë e në det…

-Skandalet dhe turpet e të gjitha llojeve as skenarët nga më të tmerrshëm, s´po kanë të ndalë nga kjo “epokë e art먔 e tradhtive blu, -kur, udhëheqësit e harlisur , janë duke përfituar pasuri përrallore, mbi djersën e popullit, -kjo klasë e majmur politike, nuk u ngop dot; me gjakun e popullit shqiptar: si tragjedia e Otrantos, tragjedia e 36 dibranëve të zhdukur nga valët e detit; tragjedia e Gërdecit, -pastaj, tragjeditë aq të shpeshta të minatorëve në minierën e Bulqizës dhe në miniera të tjera, fryrja e lumenjve nga hidrocentralet gjigante si ai i Komanit;- të cilat nuk i ngriti dhe as nuk po kanë si duhet përkujdesje nga qeveritarët sharlatanë; ato, pastaj, si nga revolta ndaj kohës së këtij pushteti po “hakmerret “ edhe natyra ; po marrin furi sikur për ironi të dëshmojnë se, po këtë furi e ka korrupsioni astronomik , që u bë gazi i zi dhe shembulli më i keq në botë; i qeverive “demo (n ) kratike; në kohën e sotme; të dëshmojnë se, po këto pisllëqe e tragjedi ziejnë në “kupolën shqiptare” sikur atje në male që shpërthejnë hidrocentralet.

-Dështimet ekonomike dhe krimet politike s´kanë të ndalë!

Pasi u përurua e ashtuquajtura “rruga e kombit”, tuneli i saj, u rrënua vetëm ca javë më vonë, pasi i arrit “bashkimi i kombit”, pasi përfundoi balada e përqafimeve, Salo-Thaçi në tunelin e Kalimashit, papritur ra masivi shkëmbor-pra, ra si korrupsioni mizor që, madje jo vetëm djersën, por edhe gjakun po ua thithë si shushunja shqiptarëve.

-Askund në botë, madje as në Afganistanin e luftërave disavjeçare nuk ndodhë që aq hapur të shkelet e drejta më elementare siç është vota-si me shqiptarët. Që prej vitit 1996 kur u vodh vota e shqiptarëve po habitet e neveritet bota me organizimin tyre, me mashtrimet e pacipë të qeveritarëve. Bile atje, kur pati një kontestim nga opozita, por së shpejti qeveria fituese ra dakord për rishikimin e votimit; -ra dakord Hamid Karzaja , por nuk bie dakord, as pas një viti, Sali Belaja!

-Opozita shqiptare me në krye Edi Ramën, hyri në protesta dhe në grevë 19 ditore bile, bile, tek pastaj, u zgjua e tërë diplomacia evropiane dhe amerikane për t´i bindur qeveritarët berishistë se, duhet të hapen kutitë- por, jo se jo, -kjo nuk arrihet dot; sepse, ashtu ia do puna, Saliut me kompani, për faktin se, po i hapi kutitë –hapen “kutitë e Pandorës” e, pastaj lumi e merr gjithçka, humbet pushteti, humbet korrupsioni dhe bëhet çameti!!!

I gjendur përballë kësaj situate në rrugë pakrye, Sali Gjurulldisë i shkoi mendja, prej të krisurit, në aheng, që tani, t´i ngatërrohet Ramiz Alisë! T´i ngatërrohet sipas asaj fjalës së urtë popullore; kur dhelprës iu kall bishti, -tha – u kallë dynjaja”.

-Tani, kur po i rrezikohet pushteti dhëndrit të malazezëve, Sali “Shqiptarit” , zgjohet në letargji e vajton si kukuvajka për tragjedinë e Tivarit.!!!

-Vajton dhe akuzon dhe e drejton gishtin e akuzës ndaj atij që nuk duhet; vajton dhe akuzon me nder lexuesve –jo tek serbët sepse, atje b… i druhet, kur e ka dëshmuar se, nga hija e vet frikësohet, prandaj, ruhet…!

Pse Sali Berisha, nuk ngre akuzë ndaj gjakatarëve serbë, të cilët atëbotë e kryen krimin?!

-Për tragjedinë e Tivarit, janë fajtorë çetnikët serbomëdhenj ata që nuk u ngopën kurrë me gjak shqiptarësh. E, jo komandantët as komisarët partizanë shqiptarë që luftuan për çlirimin e trojeve shqiptare dhe të popujve të ish_Jugosllavisë nga fashizmi, kur atëbotë, ishte në aleancë e tërë bota anti-fashiste duke i përfshirë këtu edhe shumë vende që, për nga sistemet ndryshonin, -por, kur rreziku fashist i kërcënonte t´i përpinte si lubi; -prandaj, u bashkuan dhe fituan, me një det gjak dhe sakrifica mbinjerëzore.

Jo, ore zotëri!

-Nuk bën të hidhen akuza mbi çlirimtarët shqiptarë, por sulmi duhet të përqendrohet mbi tradhtarët “kosovarë”, që, në këtë rast ishin bërë si gjaku me zemrën për gati 40 vjet me radhë me shovinistët, jugosllavë. Të ngresh akuza kundër vëllezërve tuaj, do të thotë të rehabilitosh krimin e huaj!

E kjo pastaj , me të drejtë; në mos asgjë tjetër, -më së paku do të konsiderohej marrëzi!

Në radhë të parë për Serbinë gjenocidale e herëpashershme e shqiptarëve , kjo akuzë , shpifje ndaj çlirimtarëve anti-fashistë shqiptarë; është ndihma më madhe, që nuk do t´mund ta ëndërronte as ajo, asnjëherë!…

-Pse të mos akuzohen dhe të kërkohen të vihen para përgjegjësisë historike fjala vjen: Ali Shukria, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, e të tjerë ish-udhëheqës të KSAK, sepse, në radhë të parë ishin ata, që me hatër o me zor, i rekrutuan qindra e mijëra shqiptarë në Srem , Vojvodinë, Trogir e gjetiu ; tragjedia e Tivarit nuk ishte rasti i vetëm: të parët tanë prej kohësh kanë tregua si janë prerë në besë nga shovinistët jugosllavë, ushtarët e komandantit Shaban Haxhia, të cilët duke shkuar drejt Serbisë –në Srem , janë vrarë nga çetnikët serbomëdhenj me urdhra të xhelatëve “komunistë” si Dushan Mugosha , Bllazha Jovanoviqi e të tjerë…

…Dhe, pikërisht, duke e parë këtë tradhti në sy- komandanti i partizanëve shqiptarë të Drenicës Kreshnike, Shaban Palluzha, në Besianë, kuvendon me 7 komandantët e tij duke e shtruar pyetjen e natyrshme: “ E tani në këto rrethana të krijuara, a të shkojmë për Serbi ta ndjekim fashizmin gjerman, apo të ndalojmë e t´i mbrojmë vatrat tona, të cilat po sulmohen nga çetnikët e konvertuar si partizanë të Titos”?!

…. Pas një konsultimi dhe analize të ngjeshur dhe me peshë të madhe, këshilltari i tij kryesor Miftar Bajraktari i thotë: “Shoku kryekomandant, mendimi im është që, mos të bëjmë asnjë hap andej, drejt veriut, -pra, të mos nisemi për në Serbi, sepse, shqiptarët nga Drenica, Gjilani, Peja e në rrethe të tjera po vriten përditë”! Këtij mendimi, pastaj i bashkohen njëzëri të gjithë dhe aty e vendosin që t´i thonë JO , aleancës” me tradhtarët jugosllavë.

-Shumë nga ish-ushtarët e Shaban Palluzës që kanë qenë aty, kanë rrëfyer këtë ngjarje , gjithashtu, këtë e kam dëgjuar shumë herë edhe nga gjyshi im , Hajzer Tafa Shyti dhe vëllai i tij Kamber Tafë Shyti, që ishin të pranishëm –ata, i kam dëgjuar disa herë duke treguar në odat tona, revoltën e shprehur të Fadil Hoxhës, ndaj Shaban Palluzhës, kur ky ia jep njoftimin e refuzimit.

-N´mes të tjerash dialogu zhvillohet n´mes Fadil Hoxhës dhe “Shaban Shypnisë”- siç e quanin ata, komandantin e tyre –që, në luftë në Dezhevë- në Tregun e Ri, me çetnikët , ia kishin dhënë me vete, vëllain, Muharremin, i cili qe vrarë më 1942. -Shumë me mallëngjim dhe revoltë e kujtonin rastin kur; Fadil Hoxha, me zë të lartë dhe kërcënues, ia thotë këto fjalë: “O, Shaban Palluzha, po çfarë komandanti je ti, që i pyet vartësit tu- komandantët e brigadave dhe ushtarët a shkojmë në front, apo jo” ?!

-Me atë rast, Shabani revoltohet fort dhe me një zë të fortë prej burri, ia ktheu: “O, ngadalë he, rrospia e Gjakovës, (me nder lexuesve), se asnjë hap se bëj andej pa vullnetin e komandantëve dhe ushtarëve të mi “!

-“Mirë pra, ia ktheu Fadili, -tejet i nxehur…, “ veç, dijeni mirë pra, se tash e tutje , ( me nder lexuesve) -topin do ta keni pas b….”; gjakrat nxehen më tej, kur Shabani e fyen rëndë:“ Kurrë, pikë falë mos të kjofsha, e ngadale he…, se qe besa, aspak s´po ua kemi frikën”!…

-Po aty, -siç tregonte gjyshi im, “e kemi parë se keq u thye puna, ushtria u nda në dy taborre, -bile, edhe pa u fjalosur udhëheqësit e ushtrisë partizane; më herët, i kemi parë serbët kolonë të rrethit tonë, të cilët i njihnim se, kishin qenë çetnikë, -të cilët e kishin qitë yllin e Titos në ballë e hiqeshin si partizanë”.

-Dihet pastaj, si kanë rrjedhur ngjarjet–kur me urdhër të Shabanit u larguam nga Besiana dhe u nisëm drejt Drenicës. Kur kemi mbërri në katundet Gllamnik , Babimoc e Barilevë, na e krisën me minahedhës e mitraloza “bashibozukët” e Fadilit”! Aty, për fat se ishim në largësi fort të madhe, nuk patëm të vrarë, por, shkonte tym e mjegull, po atë natë kemi qëndruar disa brigada në katundin Kullë ( ish-Kolla) në rrethin e Vushtrrisë, ku janë zhvilluar luftime të rrepta me paritzano-çetnikët e Titos- e të Drazh Mihajoviqit. Prej asaj nate, ka vazhduar ajo e famshmja luftë çlirimtare, që në histori quhet, “Kryengritja e Drenicës”!

-Kur jam duke i trajtuar ato ngjarje të asaj kohe epike, nuk mundem të kaloj radhët pa e shpjeguar dhe një fakt: se, rrejnë të gjithë ata që thonë, partizanët e Shqipërisë së Enver Hoxhës, kinse, te¨nxitur nga “vëllazërim bashkimi” internacionalist proletar, paskan vrarë shqiptarë, -civilë të pafajshëm në rrethin e Vushtrrisë!!!

-Po, nga të parët tanë luftëtarë të “Shaban Shypnisë”- siç e quanin ata, komandantin e tyre; e kam dëgjuar këtë të vërtetë historike;-kur në katundin Druvar ( ish-Dërvar) në rrethin e Vushtrrisë, partizano-çetnikët i kishin vrarë 22 shqiptarë, ato ditë tmerri, shqiptarët me gra fëmijë e pleq kishin dalë në male të Qyqavicës, natyrisht, duke u përballur me dimrin e përgjakur e të rëndë, për të shpëtuar nga masakrat e xhelatëve serbë.

-Pastaj, rrëfenin ata: “Fati e deshi që, po ato ditë arritën nga Shqipëria, brigadat partizane, të cilat iu qepën maleve të Qyqavicës, dhe i kthyen të shpërngulurit duke i siguruar për qëndresën tyre, në rast se do të sulmohen nga çetnikët. Pra, ata ishin shpëtimtarët tanë” –tregonin me lot në sy, pleqtë tanë të uruar.

E ritheksoj që, edhe për këtë tragjedi të shqiptarëve, shkretanët historianë me bindje të errëta djathtiste, shigjetat e akuzave i gjuajnë qëllimisht dhe gabimisht!

-Me këtë rast dua të theksojë që, është vërtetë se, partizanët e Enver Hoxhës, të cilët e luftonin fashizmin, natyrisht se i kanë luftuar, bashkëpunëtorët e tij, -ata, që e kishin lidhur qerren pas tij, pra, i luftonin ballistët me damkë, si : ish-ushtarët e rekrutuar të ashtuquajtur, SS-ët e Xhafer Devës, Pajazit Buletinit, Rexhep Mitrovicës e të tjerë, të cilët paraprakisht, gjatë mesit viteve dyzeta, kishin shkuar në Tiranë e në rrethe të tjera të Shqipërisë, të ftuar e të nxitur nga bajraktarë; ballistë e legalistë si Muharrem Bajraktari, Mehdi Frashëri, Mit´hat Frashëri; Gjon Markagjoni, Kolë Biba, e të tjerë; atje e kishin përfunduar atë mision turpi, duke bërë krime të rënda dhe duke e plaçkitur si mos më keq, popullsinë e pafajshme.

-E them këtë edhe për një fakt: a nuk do të gjen tani e tutje Serbia alibinë e atij krimi masiv se, ja ishin shqiptarët ata, që u prenë e u grinë n´mes vete, sepse, brigada të tëra nga radhët e tyre, ishin rekrutë që ishin marrë me dhunë, sepse nuk donin ta luftojnë fashizmin. Kur, dihet botërisht fakti që , ata nuk janë vrarë si dezertorë, por janë vrarë vetëm për “fajin” e vetëm, sepse ishin shqiptarë.

-Për të gjitha ato turpe dhe krime që kanë ngjarë dhe po ngjajnë përditë në Shqipëri, fajin kryesor e kishte dhe e ka a PD-ja por , pa pjesën e tij të fajit nuk mbetet as Ramiz Alia, i cili i besoi verbërisht në demokracinë e “ njëqind luleve”, pastaj, ua dorëzoi pushtetin me dafine miqve të shovinistëve sllavo-grekë të udhëhequr nga Sali Berisha& Co .

…Dihet nga të gjithë se, dikur Saliu qe një ish-komunist i devotshëm, të cilit PPSH-ja, do t´i besonte të udhëtonte drejt Parisit, për kurimin e njërit nga shokët më besnik të Enver Hoxhës; -birit të Labërisë, udhëheqësit të madh të LANÇ, Hysni Kapo. Ndërsa, tani ky servil serbofil e grekofil i mjerë, u konvertua (si shumë të tjerë që u ka marrë koka erë fashiste); në një anti-komunist ekstremist deri në marrëzi; i cili në emër, apo më saktë nën maskën e luftës anti-komuniste, po e lufton nga të gjitha aspektet çështjen shqiptare në përgjithësi. Dihet gjithashtu fort mirë, nga të gjithë lexuesit e nderuar se, posa e mori pushtetin Salua me kompani , nuk e filloi punën me ndërtimin e shtetit, por e filloi dhe si duket do ta mbaroj me shkatërrimin e tij: -filloi shkatërrimin e ekonomisë, me shkatërrimin e të gjitha resurseve tokësore , nëntokësore dhe detare e madje, madje -edhe qiellore.

-Ato pasuri të fituara me djersë e gjak të popullit shqiptar , për dyzetë vjet , vandalistët dhe “piromanët-shkretanë”, me qëllim që ta kthenin gjendjen nga kuota zero; i shkatërruan pamëshirë për më pak se 2-3 vite. Këta qeveritarë “trutharë” në emër të hapjes të tregtisë me botën, e sollën gjendjen e katastrofave ekonomike; shqiptarët sot po jetojnë përditë e më të varfëruar, po jetojnë në zgrip të jetës, që , jo rrallë herë po i ndanë kufiri sa një qime floku; midis jetës dhe vdekjes –të rënë në depresione dhe kriza të rënda shpirtërore ata/ato, po bëjnë sot ato që, aq rrallë për të mos thënë –kurrë…, s´i kanë bërë: po bëjnë vetëvrasje! Po, a ka më zi e më keq se kjo- pasqyrë e pistë e këtij regjimi kriminal dhe tejet…mashtrues. Kjo, për pasojë ka shitjen e pasurive tokësore, nëntokësore dhe detare për të huajt, -siç thotë populli,”sipas çmimit: “për një copë bukë´” !

E tmerrshme apo jo?! Gjendja në anarki e regjimit berishisht, ka arritur deri sa të shiten dhe pasuritë me vlera të mëdha edhe për mbrojtjen e atdheut, -u shitën dhe po shitet teknika dhe materialet e ushtrisë shqiptare, fishekët dhe armët; -bile, edhe tanket iu shiten e po shiten për hekur tek serbo-malazezët!!!

Në situatat më kritike dhe njëkohësisht më të favorshme për kombin; kur po shkatërrohej ish-Jugosllavia e Titos , ato margaritare të mbrojtjes do të duhej të ruheshin e të lubrifikoheshin se, luftërat për shqiptarët ishin në prag. Ato, nuk i shihnin përtej syzeve të zeza, vetëm kopukët e politikës pacifiste , të klikave, Salo-Rugova.

O, sa keq!…

Armët u shitën e po shiten tek armiqtë e përbetuar gjatë shekujve të shqiptarëve, u shitën jo vetëm nafta dhe trasetë hekurudhave por, u shitën dhe shpirtrat e servilëve “demo (n ) kratë”!

-Forcat e errëta anti-kombëtare, që nga viti 1990 e morën nën kontroll shtypin, vazhduan si mos më zi, të bëjnë punën e djallit e të birit; duke i defirencuar të gjithë veprimtarët që për vite të tëra, kishin dhënë prova sakrificash për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare si në Shqipërinë administrative, ashtu edhe në pjesët e okupuara të saj, nga sllavët gjakatarë.

Tani, është bërë zhurmë e përditshme që, në fakt se beson askush me mend në kokë dhe që logjikon gjakftohtë se, kinse “Shqipëria Socialiste, paska qenë një oazë e pakalueshme e konstrukteve diktatoriale nga më të egrat në botë”!!!

-Mjerim, më i madh se kjo ide s´ka ku shkon! Është, përgjërim tek të huajt dhe përgojim për të vetët!

Vëllezërit dhe miqtë e djeshëm dhe të sotëm shqipfolës, të sllavëve okupatorë, “harrojnë” mbase dhe duan të harrojnë sa krime të panumërta janë bërë ( për të mos shkuar më lart) vetëm gjatë pushtimit ushtarako-policor të kohës së xhelatëve Tito-Rankoviq.

-Po, as kjo llapa-qitje e tyre , njerëzit përparimtarë nuk i befason, për faktin se asnjëherë dhuna dhe terrori serbë-malazez e maqedon , nuk ka rënë mbi puthadorët dhe mizorët shqipfolës-servilët dhe spiunët e njohur dhe të panjohur, gjatë gjithë atyre viteve, të rënda sa shekujt për shqiptarët atdhetarë.

-Prandaj, vajtimet e tyre nuk kanë të bëjnë aspak me akuzat ndaj armiqve, por ato shkojnë krejt natyrshëm dhe stuhishëm, vetëm ndaj vëllezërve të tyre të gjakut dhe të gjuhës –por, jo edhe të rrugës së nderit dhe të lirisë. Për këta shkretanë/e, ish-Jugosllavia titiste, nuk ishte shtet diktatorial, ajo ish-Jugosllavi, “liberale” “ e hapur ndaj perëndimit” ajo ish-Jugosllavi “demokratike”, -siç e quajnë me përkëdhelje miqtë e saj titistët shqipfolës, nga Tirana në Prishtinë e gjetiu; nuk i paska vrarë as ata mijëra shqiptarë në Tivar e gjetiu, por këtu kinse, “paskan gisht”, udhëheqësit komunistë shqiptarë!…

Dhe, ja pikërisht tani kur “nyja gordiane” e votave të vjedhura i ka hasur në gozhdë, për t´i fshehur të gjitha këto turpe e krime dhe dështimet e tij ekonomike, shkencore e të tjera; Sali Ram Berisha del në opinion me një “zbulim epokal” me një sulm të pacipë tejet monstruoz, ndaj Ramiz Alisë, dhe për çudi e akuzon atë, për masakrën Tivarit. Kur dihet që, vetëm para pak ditësh , Ramiz Alia deklaroi në gazetën “Shekulli” se, “në atë kohë isha në luftime në Bosnjë”.

-Duke u bazuar më tej nga kjo maskaradë politike e Saliut; shtroj pyetjen, pse fjala vjen pasi udhëheqja shqiptare e asaj kohe , “paska pasur gisht” në krimin aq të rëndë sa malet; përse, Sali Berisha , fj. vjen, nuk e akuzon mikun e serbëve, grekofilin, Koçi Xoxe, i cili sipas komandantit legjendar, Shefqet Peçit, “Koçi Xoxe u soll shumë keq me ata dhe tejet i papërgjegjshëm”!Madje, – edhe kur i treguan për masakrën- u tregua shumë gjakftohtë duke i thënë Peçit; “O, Peçi, s´ke pse të shqetësohesh aq shumë për ata kosovarë , -ata , ishin të gjithë ballistë që i kishin duart të lara me gjak, duke luftuar me partizanët shqiptarë” ?!

-Nga kjo konstatoj që, Sali Berisha, si mik i serbëve, nuk dëshiron që as pas vdekjes me turp, ta trazon mikun e tyre, Koçi Xoxen , i cili atëbotë tërë natën, pinte raki me Rankoviqin, kur shqiptarët terrorizoheshin si mos më keq në Kosovë e gjetiu, nga ky xhelat.

Nga të gjitha këto konstatoj se, Sali Berisha& Co, janë duar të zeza të atyre që dikur e kishin lidhur qerren pas titistëve dhe serbomëdhenjve e që pastaj i morën dënimet e merituara nga pushteti popullor, nga diktatura e proletariatit e cila qe e hapur dhe shkëlqyese si drita e diellit: luftë kundër reaksionit të brendshëm dhe të jashtëm, për të ruajtur kufijtë e copëtuar të atdheut.

Sulme të tilla bëhen vetëm ndër faktorët shqiptarë, sepse nuk është rasti i Armenisë dhe raportet e saj me Turqinë, ku sot nuk i mungon përkrahja ndërkombëtare. Këtë e din fort mirë Sali Berisha, nëse e paska ndier aq shumë dhimbjen e atyre rekrutëve të Kosovës që u vranë me tradhti në Tivar dhe pastaj në masakrat e Drenicës gjatë luftës dhe në vitin 1945 pse kurrë deri tani nuk e ngriti zërin dhe duke qenë në poste të larta qe kaq vite, reagon vetëm tani , kur Ramiz Alia e botoi librin në të cilin thekson qartë se kush janë Sali R. Berisha dhe Fatos Th. Nano, të cilët për gati dy decenie kanë luajtur dhe po luajnë “lojëra bixhozi “ me çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe si të pa kurrizorë që janë në politikë- pas shumë fyerjeve të ndërsjella, pas gjithë atij tensionimi të situatave politike në Shqipërinë administrative; më në fund gjatë një nate “të dehur” për pushtet, u pajtuan, ashtu sikur “homologët” e tyre në Prishtinë, dueti i “baladave”, gjatë netëve të “paqes”, Sejdiu-Thaçi dhe partitë e tyre…

Ata, që nuk i bashkoi lufta çlirimtare, i bashkoi pushteti pa shtet të pavarur , të ribashkuar dhe pa sovranitet…

Tani, S.Berisha , po e lëvdon siç dina i- më! Pa harruar të theksoj që, Nano ka merita kur ia hoqi qafet popullit, këtë mashtrues të piramidave të vj, 1997. Nuk harrohet fakti që Nano dhe PS-ja e stabilizuan shtetin dhe filloi një lloj perspektive për së mbari, me ç´rast u arrit një fitore e madhe në aspektin kushtetues të shtetit shqiptar: u aprovua Kushtetuta e Shqipërisë, ku sipas nenit 8 , institucionet e shtetit, janë të obliguara të kujdesen për ribashkim kombëtar. Është, pikërisht kjo Kushtetutë “halë në sy” dhe Fatos Nano që e nxori atë – për serbët dhe grekët, prandaj, me të format dhe mjetet, e përkrahin pa rezerva Sali Berishën., sepse është ky njëri ndër të parët që nuk e zbaton as e respekton Kushtetutën e Shqipërisë., që të arrihet kjo fitore e madhe historike. Dhe, tragjikomedia e politikës shqiptare nuk përfundon në Tiranë- si duket atje fillon, dhe përfundon në Prishtinë; kohë më parë një “analistë i hollë” nga fuqia i mendjes, një pro-serbomadh, njëfarë Halil Matoshi të cilin uroj që ta njeh bile mëhalla e tij, merr mundimin të na rrëfejë “përralla dimërore”, kur thotë si në jerm se : “Ballkani, nuk ka qetësi pasi Kushtetuta shqiptare është burimi kryesor i konflikteve e cila sipas neneve dhe obligimeve të saj, kombi shqiptar i kërkon pjesët e trojeve shqiptare në Maqedoni, e kërkon Kosovën me tri komunat në pjesën e lindore, pjesët e territorit, Malësinë e Madhe në Mal të Zi dhe Çamërinë”!!!

Vlen të theksohet se, menjëherë pas këtij “zbulimi epokal” të Lil Mat ( o ) shit, -me doza të theksuara spiunazhi, sipas stilit “të demaskimit” të irredentizmit shqiptar , si në kohërat e errëta të Titos; zj. Jozefina Topalli , u zgjua nga lemeria dhe pa u vonuar filloi iniciativën për “përmirësimin “ e Kushtetutës së Shqipërisë!!! E bëri këtë që t´i ruan kufijtë e shtetit të sotëm shqiptar-sipas Konferencave të “famshme” në Versajë dhe në Londër e gjetiu…

E, kjo natyrisht u shkon përshtati vetëm pushtuesve sllavë në Ballkan.

Për tragjedinë e shqiptarëve në brigjet e Tivarit, kam shkruar një poezi me këto vargje akuzuese:

Viktimave të Tivarit

Gjendet një det

I kuq, i kuq, i kuq,

Në Ballkanin e Zi.

Brigjeve të Tivarit,

Një det gjak!

( “Në kërkim drite” ( Tiranë, 1996)

Tragjedinë e shkaktuar nga shovinistët jugosllavë, kombi shqiptar përjetësisht e ka të përcaktuar në shënjestër; kohërat në dritën e historisë së vërtetë të së ardhmes do të dëshmojnë, kush ishin projektuesit dhe realizuesit e vërtetë të saj. Tani, vetëm injorantëve fanatikëve dhe përçarësve politikë, iu shkon përshtati , që padrejtësisht për këtë t´i akuzojnë udhëheqësit shqiptarë, anti-fashistë.

Suedi, 18.06.2010