Prej pak ditësh ndodhet në treg libri i fundit i ish-presidentit Ramiz Alia, “Jeta ime”. Këto kujtime përmbledhin aktivitetin politik e luftarak të njërës prej figurave qendrore të Shqipërisë së 60 vjetëve të fundit. MAPO boton sot një pjesë të zgjedhur nga ky libër.

Në Shkodrën e çliruar unë mora kontakt me shokët drejtues të organizatës së rinisë. Qysh kur u nisa nga Helmësi, pra pas përfundimit të Kongresit të Rinisë, mua më ishte ngarkuar detyra që, përveç drejtimit të rinisë së Divizionit II, si anëtar i Seksionit Politik të tij, të merrja kontakt edhe me Komitetin e Rinisë së Qarkut të Shkodrës me cilësinë e anëtarit të KQ të Rinisë Komuniste dhe të Sekretariatit të BRASH-it. Më kujtohet mirë mbledhja e Komitetit të Rinisë në Shkodër. Midis pjesëmarrësve, përveç Milka Selenicës që ishte caktuar si Sekretare e Komitetit Qarkor dhe Gjyzela Jakovës, gjithashtu sekretare e Komitetit, të cilat vinin të dyja nga brigadat partizane që çliruan Shkodrën, më kujtohen mirë Bahri Xhabija, një shok i njohur mirë në Shkodër dhe Frano Jakova. Mbledhja u zgjat shumë, sepse ndërpritej vazhdimisht. Nuk kalonin as 10-15 minuta kur, ose Bahrija, ose Franoja, do të kërkonin pesë minuta pushim. Në fillim nuk e kuptova “hilenë” e tyre, por u bë e qartë kur filluan të ktheheshin herë me ndonjë tepsi, here me ndonjë pjatancë me ëmbëlsira. Ato ditë, përveç festës së Çlirimit, shkodranët myslimanë kremtonin edhe festën e Bajramit. Në këtë mbledhje “të ëmbël” diskutuam për detyrat që dilnin në atë kohë, për nevojën e riorganizimit të aktiveve të rinisë dhe për zbatimin e atyre detyrave që kishte shtruar Kongresi i Helmësit lidhur me rolin e rinisë në rindërtimin e vendit. Në Shkodër nuk qëndrova shumë gjatë. Më 3 dhjetor, në Shtabin e Korparmatës III nga ku varej Divizioni ynë, më njoftuan se, sipas një kërkese nga Tirana, duhet të nisesha dhe të paraqitesha “sa më parë” në Komandën e Përgjithshme. Kjo, “sa më pare” ishte shumë relative, sepse në atë kohë të gjitha urat midis Shkodrës e Tiranës ishin hedhur në erë nga gjermanët. Pra automjetet nuk mund të kalonin. Mbetej vetëm ta bëje rrugën më këmbë. Ishim një grup partizanësh, nja 20-25 veta, nga reparte të ndryshme, kur u nisëm nga Shkodra.Më kujtohet, se diku afër Bushatit, gjatë një pushimi të vogël, një partizan i pjekur në moshë na u drejtua:-Ore shokë, -tha,- tërë luftën e bëmë duke pasur në krye komandantë e komisarë. Po ne, ku vemi kështu të paorganizuar, si bashibozukë? Po sikur të ndeshemi me ndonjë grup banditësh, si do të bëjmë, kush do të na drejtojë? Prandaj vini veshin, që nga ky çast komandanti juaj do të jem unë, ndërsa komisar …Heshti për një çast dhe, pasi na hodhi një sy të gjithëve, duke treguar me dorë nga unë, tha:
-Komisar do të jetë ky djali i ri.Askush nuk pati vërejtje. Partizani që u vetcaktua komandant ishte Riza Vehipi, deri atëherë zëvendëskomandant i Brigadës VI. Ishte hera e parë që takoheshim me njëri-tjetrin. Duke më caktuar si komisar, as ai, as unë, nuk e dinim se vërtet isha ngarkuar nga Komanda e Përgjithshme me një detyrë të tillë. Këtë e mësova kur arritëm në Tiranë.
Pas dy ditësh, duke përfituar edhe nga një qytetar që diku nga Laçi më mori me motoçikletë, arrita nëTiranë.Kryeqyteti i vendit, që ishte çliruar gati tri javë më parë, ishte plot gjallëri, njerëzit dukeshin të gëzuar dhe shumë entuziastë. Atmosfera e lirisë ndihej në çdo hap, në çdo bisedë, në çdo takim. Me të mbërritur në Tiranë, shkova drejt e në shtëpinë time, ku takova dhe u çmalla me nënën, me motrat e mia dhe me vëllain. Të nesërmen takova shokët e vjetër dhe të rinj, ata të fëmijërisë, me të cilët isha rritur e kishim qenë bashkë në shkollë, si edhe ata të cilët kisha njohur në luftë, në mal. Këta i gjeta në zyrat e Sekretariatit të BRASH-it.Të nesërmen e arritjes në Tiranë, sipas urdhrit, u paraqita në Komandën e Përgjithshme. Më njoftuan se ditën tjetër do të më priste Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Gjeneral-Kolonel E.Hoxha.
Atë natë thuajse nuk më zuri gjumi, ca nga emocionet e ditës që kaloi dhe që lidheshin me takimet me njerëzit e shtëpisë, si dhe me shokët që i shihja pas kaq kohësh, ca nga meraku për të gjetur se çfarë më priste të nesërmen nga takimi me Komandantin e Përgjithshëm.
Në kohën e caktuar u paraqita në zyrat e Kryeministrisë, të cilat atëherë gjendeshin në një nga ndërtesat e ansamblit të Ministrive. Atje takova Komandantin E.Hoxha. Ai më priti me shumë përzemërsi. Në fillim më pyeti për çlirimin e Shkodrës, për popullin e qytetit, për shokët dhe në përgjithësi për gjendjen e njësive partizane, më pyeti për punën e Partisë dhe të rinisë etj. U përpoqa t’u përgjigjem sa më qartë pyetjeve të tij, me gjithë emocionet që kisha. Pastaj E.Hoxha më foli për punën e madhe që na priste lidhur me rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
– Por ti, – m’u drejtua papritur ,- do të vazhdosh ende luftën!
Dhe pa më lënë kohë as të imagjinoja se si do ta vazhdoja një luftë që kishte mbaruar, shtoi:
– Ti je caktuar si Komisar Politik i Divizionit V-të, që bashkë me Divizionin VI-të, do të vazhdojnë ndjekjen e ushtrisë fashiste gjermane në territorin jugosllav.
Për mua kjo ishte fare e papritur. Gjatë gjithë Luftës kisha punuar si kuadër i rinisë. Prandaj detyra e Komisarit Politik, bile të një Divizioni, duke qenë një detyrë me shumë përgjegjësi, gati më trembte, qoftë për mungesën e përvojës, qoftë për vetë moshën që kisha në atë kohë.
Enveri, me sa duket e kuptoi gjendjen time, megjithëse unë s’u ndjeva fare, nuk thashë as mirë, as keq, as po, as jo. Ai shtoi:
– Partia ka besim se ti do ta kryesh mirë këtë detyrë. Brigadat që bëjnë pjesë në Divizion kanë kuadro të aftë. Mbështetu tek shokët dhe bashkë me ta punoni që organizatat e partisë e të rinisë, komandat e shtabet, të kryejnë me nder misionin e madh që u është besuar.
Pas kësaj Komandanti vazhdoi:
– Vendimi për dërgimin e dy Divizioneve tona për të ndjekur ushtritë gjermane edhe në Jugosllavi, ka rëndësi të veçantë politike, -tha ai.- Kështu ne ndihmojmë popujt vëllezër të Jugosllavisë për çlirimin e tyre nga fashizmi, dhe nga ana tjetër, me këtë akt, populli ynë tregon se është konsekuent në luftën e vet antifashiste si pjesëtar i Koalicionit të Madh Antifashist, dhe se nuk do ta pushojë atë derisa makina ushtarake hitleriane të shkatërrohet përfundimisht.
Ndërkohë unë e kisha marrë veten dhe po i ndiqja me shumë vëmendje porositë e Komandantit.
– Brigadat e 3-të, e 5-të dhe 25-të që përbëjnë Divizionin V, -vazhdoi ai-, aktualisht ndodhen në Kosovë. Pas çlirimit të saj, ju do të vazhdoni luftën më tej, në ato drejtime që do t’ju caktohen në bashkëpunim me Komandën e Ushtrisë NÇL jugosllave.
Më tej, në mënyrë të veçantë, ai u ndal në çështjen e Kosovës dhe lidhur me qëndrimin tonë atje.
– Në Kosovë mbani lidhje me Shtabin e Kosmetit (Kosovë-Metohisë) dhe u kushtoni kujdes të veçantë marrëdhënieve me popullin, vëllezërit tanë të një gjaku. Dihet se në Kosovë, në të kaluarën, shtypja nacionale dhe shfrytëzimi nga ana e borgjezisë serbe kanë qenë shumë të rënda. Kjo ka krijuar edhe mosbesim midis shqiptarëve dhe serbëve, që reaksioni, si ai ballist, ashtu edhe ai çetnik, e ka shfrytëzuar kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ju duhet të bashkëpunoni me shokët e Kosovës dhe me ata të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, në mënyrë që gjendja në Kosovë të zhvillohet normalisht dhe vëllezërit tanë ta kuptojnë se, në kushtet e pushtetit popullor i cili po ngrihet si rrjedhim i fitores mbi fashizmin, do të fitojnë të gjitha të drejtat, të cilat më parë u janë mohuar.”
Që në atë kohë më ka bërë përshtypje qartësia e trajtimit të problemit të Kosovës. E.Hoxha e kishte shumë të qartë se Kosova mund t’i fitonte të gjitha të drejta e veta, pra edhe pavarësinë apo bashkimin me atdheun mëmë, vetëm nëse ajo do të merrte pjesë aktive në Luftën kundër fashizmit. Kjo, në fakt, ishte kërkesa e Kartës së Atlantikut. Edhe më pas, deri sa vdiq, qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj problemit të Kosovës ka qenë i qartë, në mbështetje të luftës dhe përpjekjeve të kosovarëve për të fituar të drejtat e tyre, por duke pasur parasysh kurdoherë koniunkturat ndërkombëtare.
Pas dy-tri ditësh u nisa në drejtim të Kosovës. Shkova në Shkodër, duke kaluar të njëjtat vështirësi të rrugës, si ato kur u nisa për në Tiranë. Por edhe në drejtim të Kukësit, përsëri pjesën më të madhe të rrugës e bëra me këmbë, sepse edhe andej urat, si ajo e Vaut të Dejës apo e Gomsiqes, ishin hedhur në erë nga gjermanët gjatë tërheqjes së tyre. Për pasojë nuk mund të përdoreshin makinat. Pas tri-katër ditësh arrita në Kukës dhe pastaj drejt e në Prizren, ku mora kontaktin e parë me forcat e Divizionit V-të.
Partizanët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare luftuan gati gjashtë muaj përtej kufijve tanë shtetëror. Brigada e 3-të dhe ajo e 5-të kishin kaluar në Kosovë që në muajin tetor të vitit 1944 dhe, në bashkëpunim me forcat partizane kosovare, kishin marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Prizrenit e të Gjakovës, të Ferizajt e të Drenicës. Më pas, forcat e Divizionit V, së bashku me partizanët kosovarë e njësi të Ushtrisë NÇL jugosllave, luftuan për çlirimin e krejt Kosovës. Duhet thënë se, deri në atë kohë, Lufta antifashiste në Kosovë ishte e pakët. E kam fjalën nga ana e shqiptarëve. Kishte disa grupe militantësh komunistë që tërhiqnin pas vetes disa luftëtarë e simpatizantë, por jo masa të mëdha popullore. Një pjesë e madhe e kosovarëve ishte mashtruar nga ”bashkimi” i Kosovës me Shqipërinë që realizuan fashistët në vitin 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë. Ata nuk e kuptuan se ai bashkim nuk ishte në të mirën e shqiptarëve, por u shërbente interesave të nazifashistëve italo-gjermanë. Kjo bëri që, jo pak vendas, të lidheshin me krerët kosovarë profashistë, si Xh.Deva, duke qëndruar larg lëvizjes antifashiste. Kalimi i Divizionit V-të dhe qëndrimi i partizanëve shqiptarë në Kosovë, bënë që njerëzit të sqarohen dhe të mbështesin më fort Luftën për Çlirim. Qindra djem kosovarë u bashkuan edhe me Divizionin tonë dhe luftuan krah për krah vëllezërve të tyre shqiptarë.
Divizioni V vazhdoi detyrën e tij luftarake deri në fund. Ai mori pjesë në çlirimin e Kosovës, të Sanxhakut, dhe të Bosnjës Jugore. Nga beteja në betejë, partizanët tanë kaluan në Prishtinë e Mitrovicë, në Novipazar e Sjenicë, në Prijepolje, në Novivarosh e më thellë, deri në Vishegrad, në dyert e Sarajevës. Ndërsa Divizioni VI, i cili u nis nga Shkodra në fillim të dhjetorit të vitit 1944, kaloi në ndjekje të gjermanëve nëpër Mal të Zi, për të dalë pastaj në Rudo, në Bosnjën jugore.
Në luftimet që u zhvilluan përtej kufijve, nga dy divizionet tona ranë dëshmorë mbi 600 partizanë e partizane. Ata, me gjakun e tyre, shprehën antifashizmin e vendosur të popullit shqiptar.
Divizionet tona vazhduan luftën deri në mbarimin e saj, në Maj të vitit 1945. Duke filluar nga ajo kohë, nisi kthimi i divizioneve tona në Shqipëri. Mund të thuhet se atëherë mbaroi edhe Lufta NÇL e popullit shqiptar, e cila përfundoi me fitoren e popullit mbi fashistët pushtues italo-gjermanë. Me luftën e tyre konsekuente, shqiptarët i qëndruan besnikë koalicionit të madh antifashist, duke gozhduar në territorin e tyre divizione të tëra të armikut nazifashist. Sakrificat e popullit tonë, në raport me madhësinë e vendit dhe me numrin e popullsisë, ishin shumë të mëdha. 28 mijë dëshmorët, si dhe humbjet e mëdha materiale gjatë kësaj lufte, janë çmimi që pagoi populli ynë për lirinë e tij dhe kauzën e madhe të Koalicionit antifashist.
Gjatë gjithë kohës që qëndruan në Jugosllavi, partizanët shqiptarë, me sjelljet dhe veprimet e tyre korrekte e miqësore, fituan dashurinë e njerëzve. Luftëtarin shqiptar, jo vetëm kosovarët, por edhe popullsia serbe e boshnjake, e njohu si trim e të papërkulur në luftë me nazistët dhe me çetnikët, të sjellshëm e të dashur me banorët e të gjitha krahinave nga kaloi, qoftë me vëllezërit shqiptarë të Kosovës e të Malit të Zi, qoftë me malazezët, serbët e boshnjakët. Kudo partizanët fituan zemrën e popullit, i cili nga ana e tij asgjë nuk kurseu për t’i ndihmuar bujarisht. Bile shumë të rinj e të reja të atyre anëve, kryesisht kosovarë, erdhën vullnetarë për të vazhduar edhe ata luftën. Në brigadat e divizionit tonë u inkuadruan mbi 2000 djem kosovarë. Mijëra të tjerë u bashkuan me njësitë kosovare dhe me ato të divizioneve të tjera të ushtrisë NÇL jugosllave.
Dëshiroj të shënoj këtu se, nga pala jugosllave, fare pak, për të mos thënë aspak, është folur për luftën e divizioneve tona në ndihmë të ushtrisë partizane jugosllave për çlirimin e Jugosllavisë. Nuk është folur as për dëshmorët e divizioneve shqiptare. Natyrisht, është i kuptueshëm ky “neglizhim” nëse kemi parasysh se teza titiste ka qenë (dhe është) se, jo shqiptarët kanë dhënë ndonjë kontribut qoftë edhe modest në ndihmë të popujve sllavë, por Jugosllavia ka “çliruar” edhe vetë Shqipërinë. Kjo përpjekje e ka zanafillën që nga teza se “PKSH është krijuar nga dy përfaqësues të PKJ”, për të cilën kam folur. Duke vendosur këtë “piketë”, duke ia njohur vetes “meritën” e krijimit të PKSH, serbët duan të bindin botën se “edhe Luftën NÇL e organizuan jugosllavët”, se “shqiptarët nuk dinin se si organizohen brigadat dhe se si udhëhiqen ato” etj. etj.. Pra të vërtetojnë se shqiptarët kishin dhe kanë nevojë për “tutor”. Kjo ishte teza me të cilën ata donin të justifikonin “gllabërimin” e Shqipërisë në gjirin e Jugosllavisë si Republikë e 7-të e saj.
Po të njëjtën tezë, të “paaftësisë së shqiptarëve për t’u vetëqeverisur”, po e thonë edhe sot, kur Kosova po lufton për të konsoliduar pavarësinë dhe lirinë e fituar me gjak dhe sakrifica. Tashmë edhe organizatat ndërkombëtare, në veçanti SHBA dhe BE, janë përkrah shtetit të lirë të Kosovës. Megjithatë, Serbët vazhdojnë të kundërshtojnë këto fitore, duke i paraqitur kosovarët si të paaftë për të administruar pavarësinë e tyre. Por nuk ka asnjë rrugë tjetër: Kosova është shtet më vete dhe asgjë nuk mund ta pengojë zhvillimin e saj të pavarur e sovran.

Marrë nga revista “MAPO”