Analisti dhe Intelektuali i njohur kumanovar, Rexhail Ramadani përmes një prononcimi për INA në mënyrë revoltuese ka komentuar vizitën e zëvendëskryeministrit për eurointegrime Fatmir Besimi në Athinë, duke theksuar se si po anashkalohet Kumanova, si një ngjarje që tronditi qendrat botërore.

“Vizita e e këtij ministri të pazëvendësueshëm Fatmir Besimi në Athinë siç duket është në suaza të politikës madhore të BDI për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me problemet globale. Sepse Kumanova ishte një problem i vogël që duhet injoruar madje nuk e panë të arsyeshme as ta vizitojnë. Por u pa që edhe populli më nuk u beson. Është paradoksale që edhe qendrat globale të politikës si Moska, Brukseli dhe Uashingtoni, por edhe selitë Ballkanike ishin të kthyer nga Kumanova, vetëm selia e Reçicës së Vogël nuk e pa të arsyeshme që të merret me Kumanovën. Madje edhe ky Besimi – ministri i përjetshëm që bën politika të jashtme afirmuese. Por ky si duket ka agjendë më të rëndësishme dhe adresa është Athina”, theksoi njohësi i zhvillimeve politike, Rexhail Ramadani.

Sipas tij, shembulli më konkret kur politika e BDI-së është zhveshur totalisht nga etika është evidente në rastin e Kumanovës. “Asnjë dorëheqje pas ngjarjes tragjike në Kumanovë flet më së miri se ETIKA dhe POLITIKA janë shumë të ndara dhe askund nuk puqen në këtë parti. Viktima po shikohen si statistika, dëmet vetëm si materiale dhe vërtetë shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më keq”, ka nënvizuar Rexhail Ramadani