ramakuvendKryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend duke shprehur keqardhjen për humbjen e jetës së pesë të rinjve në minierën e Beragozhdit në Pogradec, theksoi se ky është një tjetër fakt i varfërisë së skajshme që është në vendin tonë, për shkak të keqqeverisjes 8-vjeçare të demokratëve. “Ne shohim varfërinë e njerëzve që na kërkojnë ndihmën që ua jep ligji. Personat me aftësi të kufizuar nuk morën paratë e tyre, sepse atë shumë parash e bëtë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit”, u shpreh Rama.

Kryemiministri bëri me dije projektin që heq 1.6 milionë dollarë nga bonuset e qeveritarëve dhe politikanëve, për të zgjidhur deri diku problemet e personave me aftësi të kufizuar, problemet e pensionistëve apo 1 milionë të papunëve, që sipas Ramës janë pasojë e keqqeverisjes.

Deputetët e PD hedhin ‘para’ me fytyrën e Ramës

Në fillim të seancës parlamentare të së enjtes, në shenjë proteste ndaj asaj që ata e kanë cilësuar si blerje të votave në Korçë, deputetet demokratë kanë hedhur në sallën e Kuvendit kartëmonedha 20-mijë lekëshe me fytyrën e kryeministrit Edi Rama, në të cilat shkruhej fraza “Unë besoj në blerjen e votës”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, i cili e ka cilësuar sjelljen e deputetëve si jo etike dhe krejtësisht të padenjë. “Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me etikën që duhet të tregojmë. Kjo sjellje për mendimin tim është krejtësisht e pavend dhe e padenjë”, u shpreh Meta.

Paloka: Blerjen e votave, e kemi denoncuar si fenomen në 23 qershor

Kreu i grupit demokrat Edi Paloka, në fillim të fjalës së tij është përqendruar në atë që e ka cilësuar presion ndaj qytetarëve të Korçës, për tu marrë atyre votat për kryetarin e Bashkisë. Sipas Palokës, ajo që ndodhi në Korçë vërteton akuzat e PD-së për blerjen e votave të 23 qershorit.

“E kemi denoncuar fenomenin në 23 qershor dhe kjo u vërtetua nga pamjet e transmetuara në televizion. Një skemë që dilte po aq e qartë se kishte funksionuar në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit”,- tha Paloka.

Duke iu referuar pr/ligjit “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, Paloka tha: “Sot paraqisni një pr/ligj me të cilin do tu hiqni deputetëve dhe zyrtareve nga 1 litër naftë dhe do të kurseni 1 mln dollarë. Sa vota janë 1 mln dollarë? Kaq para sa do të kursejë kjo qeveri me këtë pr/ligj i harxhuan pak ditë në Korçë, për të vënë nën presion qytetarët e Korçës. Ose 2 mijë lekë dhe votën për PS ose mos guxo të dalësh nga shtëpia sepse nesër mund të futesh në rreth të kuq, mund të të shkatërrohet dhe shtëpia”.

Sipas Palokës, opozita nuk do të lejojë shkeljen e Kushtetutës dhe lirisë themelore të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tij.

“Keni shkelur me të dyja këmbët ligjin dhe Kushtetutën e këtij vendi, keni shkelur lirinë themelore të qytetarëve shqiptarë. Këto nuk mund të ndodhin jo në një vend që pretendon dhe pret të bëhet pjesë e BE. Këtë ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi Paloka. / Top Channel