Rama takon Barroson, van Rompuy e Fylen
Pas përgëzimeve të rastit për Kryeminstrin e ri Edi Rama, Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso vlerësoi progresin e shënuar nga Shqipëria për ligjet, zgjedhjet, por theksoi se duhet ende punë për arritjen e statusit kandidat brenda vitit. “Inkurajoj Qeverinë e re por edhe opozitën në vend që të ndërtojnë mbi zhvillimet e fundit pozitive dhe të punojnë me konstruktivitet për të garantuar se vendi do të prodhojë rezultate mbi prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e vitit 2010 të Komisionit Europian. Ka një fushë e cila kërkon vëmendje të veçantë: respektimi i shtetit të së drejtës përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Jose Manuel Barroso.
Pas falenderimeve për përpjekjet shtesë të Komisionit dhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Edi Rama përsëriti angazhimin e qeverisë së re në rrugëtimin drejt BE.
“Ta ndryshosh për mirë vendin, jam plotësisht dakort me ju, do të thotë të transformosh Parlamentin, nga një platformë përjashtimi që ishte, në një platformë gjithëpërfshirëse; të transformosh procesin e integrimit në një proces reformash dhe zbatimi; dhe të transformosh jetën e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe në shpresë dhe në ambicie që janë të dukshme dhe të prekshme,”tha Rama.
Të pyetur nga Top Channel mbi shanset për marrjen e statusit kandidat në dhjetor, si dhe për mundësinë e çeljes së negociatave gjatë vitit të ardhshëm, para zgjedhjeve europiane, Barroso dhe Rama u përgjigjën:
“Në një përgjigje shumë të drejpërdrejtë mund t’ju them se unë mendoj se Shqipëria mund të arrijë, në parim, statusin kandidat këtë vit. Pra është e arritshme gjatë këtij viti. Por kjo kërkon ende disa përpjekje. Nuk kemi kohë për të humbur dhe javët e ardhshme janë kritike nëse duam të arrijmë qëllimin e marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria brenda këtij viti,” tha Barroso.
“Po ka çështje që mbeten, por ne nuk po e fillojmë nga zero. Procesi nuk nis me këtë Qeveri por ka nisur shumë kohë më parë, dhe qeveritë e mëparshme kanë punuar aq sa mundeshin. Ne duhet të bëjmë punën tonë. Qëllimi është i arritshëm dhe ne kemi besim se do ta arrijmë qëllimin. Dhe ne besojmë se duhet të punojmë shumë fort për qëllimin e çeljes së negociatave,” tha Rama.
Vizita e fundit zyrtare e këtij niveli e Kryeministrit të Shqipërisë në KE daton në prill të vitit 2010, kur Kryeministri i atëhershëm Sali Berisha dorëzoi atë që e quajti “libri më i madh në historinë e Shqipërisë”, me përgjigjet e pamjaftueshme ndaj pyetësorit të Komisionit.Tre vjet pas publikimi të Opinionit dhe përcaktimit të 12 prioriteteve kyçe,jo vetëm për çeljen e negociatave, por edhe për statusin, fletorja e detyrave të shtëpisë mbetet ende e paplotësuar.