Rama në Preshevë: ‘Do të mbrojmë motrat dhe vëllezërit në këto troje’
Zbritja në Preshevë, që përmbylli vizitën zyrtare të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ka shënuar pritjet e një kryeministri mbarë-shqiptar. Billborde mirëseardhjeje, por edhe turma qytetarësh me flamuj në duar, ishin shenja e pritjes së kryeministrit, pavarësisht se Presheva, ishte nën masa të shtuara sigurie. Para qytetarëve të Preshevës, kryeministri Edi Rama bëri sërish të qartë se nuk ka një projekt për Shqipëri të Madhe, por të Shqipërisë Evropiane, të shqiptarëve të bashkuar në Evropë.
“Vuçiqit ia kam bërë të qartë se ne shqiptarët nuk jemi në një betejë të përbashkët për një Shqipëri të madhe por për një Evropë që ka vend për të gjithë shqiptarët duhet të përfshijë gjithë shqiptarët sigurisht bashkë me të tjetër. Kush dëshiron këtë njësoj si ne nuk duhet të lejojë që pengesat e pafundme dhe sjelljet diskriminuese ti shtyjë në një drejtim tjetër”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Rama kërkoi sërish respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, nga shteti i Serbisë. Për këtë ai përmendi modelin e Shqipërisë dhe Kosovës.
Rama iu tregoi preshevarëve, se me homologun e tij serb Vuçiq ka arritur marrëveshje për njohjen e diplomave shqiptare ne Serbi. Ai madje shtoi se Qeveria shqiptare do të heqë kufizimet për pranimin e studentëve nga Lugina e Preshevës, që ata të studiojnë në Shqipëri.
“Jemi të vetëdijshëm për tekstet shkollore. Edhe me Vuçiq u fokusuam te domosdoshmëria për ta parë me sy kritik gjendjen dhe cilësinë e arsimit. Kam kërkuar shprehimisht kryeministrit të Serbisë, që ai personalisht dhe qeveria serbe do të angazhohen seriozisht për infrastrukturën spitalore dhe ti japin fund odisesë që qindra nëna të ikin 10 km larg. Dhe shprehimisht më ka thënë po, shpresoj e besoj se do e mbajë fjalën sepse nuk dua që kur ti them nuk e mbajte fjalën të thotë është provokim”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
“Pritje madhështore është organizuar në luginë të Preshevës për nderë të vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama. Vizita e cila konsiderohet historike për shkak se Rama është kryeministri I parë shqiptar që viziton Preshevën. Qytetarët kërkojnë nga Tirana zyrtare angazhim më të madh për ti mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.
Kryeministri shqiptar Edi Rama paraprakisht takoi kryetarin e Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa dhe këshilltarët e komunave komunale, ndërsa iu nda edhe çmimi “qytetar nderi i Preshevës”. Rama u shpreh shkurt se ‘ndihem qytetar i këtyre territoreve’.Shkëlzen Aqifi




