Rama: Berisha të përgjigjet për linjën e interkonjeksionit me Kosovën

Lideri i opozitës Edi Rama i kërkoi kryeministrit Sali Berisha të japë shpjegime në Kuvend mbi bllokimin prej një viti të projektit strategjik të linjës së interkonjeksionit me Kosovën, i financuar nga banka gjermane KFW.

Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist, kryetari i PS-së duke iu referuar shkrimit të gazetës “Zëri” në Kosovë, i kërkoi kryeministrit të përgjigjet për këtë çështje dhe jo të gënjejë.

Rama theksoi se opozita nuk i njeh arsyet e bllokimit të këtij projekti kombëtar, andaj ai i kërkoi kryeministrit Berisha të japë llogari.

“Pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik?”, tha Rama.

Ai e cilësoi këtë bllokim si një tjetër histori turpi ku flamuri shqiptar ulet në gjysmë shtizë.

“Duhet të çlirohet një orë e më parë ky projekt dhe të realizohet pa i humbur më kohë shqiptarëve. Dikush do të ndëshkohet në këtë llum që mban erë korrupsioni. Ky është një nga rastet kur turpi nuk i mbetet Qeverisë shqiptare”, tha Rama, duke shtuar se qeveria Berisha nuk punon për interesin kombëtar, por vetëm për interesat e ngushta të përfitimit.

“Kjo qeveri s’ka sy për të parë interesin kombëtar”, tha kryesocialisti Rama.

Gazeta “Zëri” në Kosovë shkruante dje në një artikull të saj se bllokimi i projektit për ndërtimin e autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri, nga ana e kryeministrit Sali Berisha, në masë të madhe ka shqetësuar edhe përfaqësuesit e bankës gjermane KFW, të cilët janë edhe donatorë të projektit në fjalë.

Kjo e përditshme ka siguruar korrespondencën mes ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe drejtorit të Bankës gjermane, Roland Siller, ku ky i fundit duket tejet i shqetësuar.

“Shqetësimet e ngritura meritojnë vëmendje. Ne dy herë kemi arritur në Tiranë, për të diskutuar personalisht me OST, rreth rezultatit të tenderit të transmisionit 400 KFW me Kosovën”, thuhet në letrën që drejtori Siller i ka dërguar ministrit të Financave, Ridvan Bode.

Po ashtu, drejtuesit e bankës i kanë rikujtuar ministrit Bode se dallimi mes kompanisë që e ka fituar tenderin dhe kompanisë tjetër që ka qenë konkurrente është tepër i dukshëm.

“Kur i kemi pranuar draftraportin final të vlerësimit diferenca e çmimit mes ofertuesit të parë dhe të dytë të radhitur është i dukshëm. Është detyrë e KFW që fondet të shfrytëzohen sa me ekonomikisht të jetë e mundur. Kjo ka shkaktuar shqetësime te ne”, thuhet më tej në letër.

Në fund të letrës drejtori i bankës gjermane KFW thotë se procedurat e tenderit duke i përfshirë edhe kriteret e përzgjedhjes ishin definuar nga agjencitë. Sipas tij, rezultat e vlerësimit janë një rezultat i procedurave të përcaktuara dhe sipas tij, ato nuk mund të kontestohen.