Radika, ministrat shqiptarë të Maqedonisë: Ka një projekt që përfundon në qershor
Për lumin Radika momentalisht ka një projekt ide mbi të cilën po punohet dhe pritet të finalizohet në qershor.Një konfirmim i tillë erdhi sot nga dy ministrat shqiptarë të qeverisë maqedonase, të cilët erdhën enkas nga Maqedonia për të ndihmuar Qeverinë e Tiranës. Misioni ishte të bindin opinionin publik se Shkupi nuk ka ende një project përfundimtar për devijimin e lumit Radika.
“Për të sqaruar se kjo ide e vjetër në letër, sot për sot nuk ka një projekt të caktuar dhe një studim për impaktin. Nuk mund të trajtohet dhe nuk mund të ketë shqetësim për opinionin.
Garantojmë ne si vend dhe qeveri nuk do të marrim asnjë vendim pa pasur konsultime me vendet fqinje, dhe pa ndjekur të gjitha procedurat që parasheh një projekt i tillë.
Nuk ka nevojë për shqetësime, jemi në bashkëpunim edhe me vendet fqinje me qëllim që të mos ketë asnjë vendimmarrje pa pasur konsultime mes vendeve tona. Nuk ka nevojë për shqetësim, vendimmmarrja do të jetë transparente”, u shpreh Abdylaqim Ademi, ministër i Mjedisit në Maqedoni.
Për Valon Saraçini ministër i Ekonomisë në Maqedoni ka një ide të hedhur në letër.
“Projekt final ende nuk ka. Pritet të përfundojë në qershor. Atëherë do të njoftohet qeveria e Shqipërisë. Nëse qeveria shqiptare nuk jep pëlqim, ky project që pritet të finalizohet në qershor, nuk mund të realizohet. Nëse edhe dibrani i fundit nuk e pelqen, nuk realizohet”, tha ai.
Kolegët e tyre të Tiranës garantuan gjithashtu se çdo gjë mes dy vendeve zgjidhet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Opozita spekulon për Radikën, janë çështje që zgjidhen sipas marrëveshjeve ndërkombëtare
Garantoj opinionin që kjo qeveri do të mbrojë deri në pikën e fundit dinjitetin, sovranitetin, integritetin territorial”, deklaroi Damian Gjiknuri, ministër i Energjetikës.
“Kemi kërkuar shpjegime nga ministria në Maqedoni. Jemi në fazën e një projektideje që nuk është maturuar në një projekt. Eshtë shumë e rëndësishme që vendet po dialogojnë në lidhje me këtë.
Kur unë këtë cështje e kam ngritur në nëntor, asnjë media nuk i dha rëndësi kësaj çështjeje. Ka qenë qeveria e para. Prandaj nuk duhet të ketë spekulim”, nënvizoi Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm.
Shqetësimin e krijuar në opinion, ministrat e Ramës e quajtën spekulim mediatik. Përse LSI kërkoi interpelancë me ministrin e Jashtëm Bushati për këtë çështje, e sqaroi Lefter Koka, minister i Mjedisit.
Ministri Koka thotë që të mos bëhemi qesharakë, pasi sipas tij, ëndrrat dhe projekt-idetë nuk gjykohen.
Gjatë seancës së fundit parlamentare, edhe Kryeministri Rama garantoi se nuk ka asnjë project për devijimin e lumit Radika, ndonëse një i illë gjendet I publikuar në faqen online të Bankës Botërore. Zyrtarë të kësaj banke në Shkup kanë konfirmuar se po punohet mbi këtë projekt.