Qëndrimi me dinjitet i Albinit karshi mujsharëve të huaj dhe servilëve të tyre vendor-shqipfolës!
Pse ?
Sepse Ai nuk e ka vendin aty.
Thjesht, vendi ku kërkohej të paraqitej Albini, nuk është dëshmuar me as edhe një veprim, se është vendi ku synohet për t’u zbardhur e vërteta rreth ngjarjeve tragjike të 10 shkurtit 2007, me synim për të ndëshkuar fajtorët me dënime meritore.
Thjeshtë, vendi ku duhej të paraqitej Albini është një tribunal politik, me sjellje të qarta prej inkuizitorësh kundër shqiptarëve të pafajshëm!
Çfarë është akuza ndaj këtij atëmemëdhetari dhe demokrati të dëshmuar?
Edhe kjo akuza ndaj Albinit, nuk dallon nga emnakët-adashët e saj, të cilat sajoheshin dhe montoheshin jo moti ndaj atëmemëdhetarve shqiptarë, nga të dresuarit e UDB-ës. Besa ka mjaft hapësirë për të dyshuar me bazë, se edhe kjo “akuzë” (montazh), përkundër faktit se mbanë siglën e “demokratëve” unmikistanez, mund të jetë sajuar nga po këto marioneta udbeske, tani sahanlëpirëse të unmikistanezve, përkatësisht të euleksoviqve!
Çka duket për diell, kallauz nuk do-thotë populli jonë. Po të synohej të zbardhej e vërteta, në bankën e të akuzuarve nuk do të thirrej për t’u ulur Albin Kurti, por policët rumun (aleatët besnik të shovinistëve serbomëdhenj), që ishin në përbërje të policisë unmikistaneze. Po ata katilë të maskuar nën uniformën dhe autoritetin e policisë ndërkombëtare, të cilët zbrazën breshëri nga armë të ndryshme për luftime nga distanca e afërt dhe nga ajo e mesme, duke përdorur municione të skaduar, me predha gome, të kalibrave të ndryshëm-deri në 40 mm, që ishin pjesë e arsenalit të Securitatea-s dhe të dedikuara për shtypjen me gjak të protestave të qytetarëve kundër diktateve që vinin nga Kremlini.
Në rreshtin e parë të bankave të dedikuara për të akuzuar, do të duhej të silleshin urdhërdhënësit politik dhe drejtuesit e veprimeve për realizimin e urdhëresës operative, që kishte për objektiv shtypjen e përgjakshme të protestës paqësore të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si ata unmikistanez, ashtu dhe marionetat e tyre vendore!
Nga intensifikimi i veprimeve të EULEX-i, për ta nxjerr para tribunalit të vetë, njërin prej kundërshtarëve serioz të tij, Albin Kurtin, mund të nxirret përfundim i bazuar, se qëllimi i disa qarqeve të disponuara armiqësisht ndaj popullit liridashës shqiptar dhe interesave të tij legjitime, është eliminimi nga skena politike i Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj. Pra, qëllimi i vërtetë i euleksoviqve dhe servilëve të tyre shqipfolës, nuk është ajo çka deklarojnë në mjetet e komunikimit masiv, por përmbushja e objektivit të tyre politik, shumë të dëmshëm për popullin shumicë të Kosovës, pra për shqiptarët. Andaj, edhe reagimi i Albinit është politik dhe në përputhje me interesat tona të ligjshme njerëzore dhe kombëtare. Për çka duhet, jo vetëm të përshëndetet ky qëndrim me dinjitet i Albinit, por atij duhet t’i ofrohet mbështetje e gjithanshme nga populli!
Sejdi Veseli, 13 prill 2004, Prishtinë
