PS: Vendi është në krizë totale
Partia Socialiste është ndalur sërish sot në gjendjen ekonomike të vendit, duke akuzuar ministrinë e Financave për punën mjerane që ka bërë dhe qeverinë për fundosjen e pandalshme të ekonomisë.
Gjatë një deklarate për mediat, Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati ka renditur problemet e ekonomisë dhe ka theksuar se qeveria përkundër rritjes së borxhit nuk ka bërë asgjë për qytetarët.
“Defiçiti Buxhetor është në nivelin 154% të parashikimit, ndërkohë që ‘Të Ardhurat Tatimore’ janë 10%, ose 12.4 miliardë lekë, më pak se parashikimi. Kjo do te thotë një punë mjerane e Ministrisë së Financave, dhe një tkurrje e prekshme e ekonomisë në vend”- tha Bushati.
Sipas tij, “qeveria ka dhëne deri në Maj 2010 : 0 leke Shpenzime për kompensime në vlerë të pronarëve, 0 leke Kompensim për ish të përndjekurit politik; 0 lekë Kompensim për energjinë. Berisha duhet të kishte paguar gjithsej mbi 1.1 miliardë leke, ndaj të tre kategorive, kjo vetëm në 5 muajt e parë të 2010”.
Më tej ai ka kujtuar se huamarrja e brendshme është në nivelin 260% të parashikimit për periudhën, ndërkohë që “Barka e shpëtimit”, Eurobondi famëmadh, është abandonuar për momentin. /Shekulli/