Shkup, 10 Maj – Protesta e organizatave jo-qeveritare shqiptare në Maqedoni e nisur në ora 13 para pallatit Gjyqësor është përshkuar edhe me brohoritjet për UÇK-në, pos kërkesave për lirimin e dënuarve të Sopotit e Brodecit.

Mijëra protestues me flamuj shqiptarë janë mbledhur para këtij pallati, në protestën me moton “për drejtësi”. Ata po ashtu kanë brohoritur për ndërprerjen e gjykimeve për rastet e Hagës.

Përdorimi i plotë i gjuhës ishte një kërkesë tjetër e dëgjuar në protestë dhe e parë në pankarte e pjesëmarrësve.

Në këtë protestë janë parë edhe deputetët e partisë Demokracia e Re (DR) Flora kadriu, Abedin Zymberi dhe Sulejman Rushiti, përkundër kërkesës së mëhershme të këshillit organizativ që partitë politike të mos përzihen në marshim.

Protestuesit e kanë plan që marshin e tyre ta vazhdojnë edhe para ndërtesave të parlamentit dhe të qeverisë.   / Zhurnal /