“ Më 9 maj dëshmojmë që jemi këtu për Evropën” Grevistët: “Në betejë për dinjitet”

 Njëzet e një deputetë grevistë dhe 180 mbështetës të tyre kaluan një tjetër natë të grevës së urisë në çadrat para godinës së Kryeministrisë ku janë vendosur që prej natës së 30 prillit për përmbushjen e kauzës për transparencën e votave. Mes protestuesve është dhe 19-vjeçari Romeo Sina, djaloshi i cili gjatë ditës së djeshme të grevës së urisë ka pasur dhe komplikacione që i rrezikuan jetën, por pasi ndërpreu për disa orë grevën, i është rikthyer sërish asaj. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ritheksoi bindjen e opozitës se asnjë vendim gjykate nuk pengon transparencën dhe hapjen e kutive, sikundër pretendon mazhoranca. “Nuk ka vendim gjykate që pengon transparencën, nuk ka Kushtetutë që pengon transparencën e kutive. Transparencën e kutive e pengon vetëm pushteti që mban në kuti armën që vrau zgjedhjet e shkuara dhe kërkon të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur peng të ardhmen tonë”, – u shpreh Rama. Kryesocialisti i ka bërë sërish apel kryeministrit Berisha të lejojë hapjen e kutive të votimit, duke nënvizuar se opozita nuk kërkon marrjen e pushtetit në tavolinë, por kërkon ti japë fund njëherë e përgjithmonë zgjedhjeve të manipuluara. “Hap kutitë, Sali Berisha, nuk duam të dorëzosh në tavolinë pushtetin, por të dorëzosh armën me të cilën vrave zgjedhjet”, – u shpreh kreu i opozitës.

Ndërsa nuk fshehu emocionet pas fjalimeve të deputetëve grevistë, Rama konsideroi manifestime fashiste, protestat e organizuara nga mazhoranca. “Vetëm në regjimet pa demokraci, pa liri e të drejta, mund të merren individët e të kthehen në turma, të kthehen në lista ku firmosin para dhe pas. Është e habitshme se si kjo mendësi fashiste apo komuniste është e pandalshme në mënyrën e funksionimit të saj edhe kur rrezikon të dalë kaq zbuluar, kaq paturpësisht zbuluar para syve të popullit që kërkon të gënjejë”, – tha kryesocialisti.

Të vendosur për të vazhduar

Duke theksuar vendosmërinë për të vazhduar aksionin politik deri në zgjidhjen përfundimtare të kauzës së tyre, kreu i opozitës ftoi qytetarët ti bashkohen manifestimit të tyre paqësor, paraditen e 9 Majit, ditën e triumfit mbi fashizmin. “Të dielën më 9 maj, në orën 10:00, të gjithë qytetarët janë të ftuar të vijnë këtu për të dëshmuar se ne jemi këtu për Evropën. Jemi këtu për liri e të drejta që janë në themelin e Bashkimit Evropian dhe për të cilat Evropa ka luftuar me të gjitha format me shekuj e dekada. Më 9 maj duhet të jemi këtu edhe për ditën e madhe evropiane dhe botërore të triumfit mbi fashizmin, mbi të keqen e madhe që kapitulloi në vitin 1945”, – vazhdoi më tej Rama.