Nga viti 2001 partitë shqiptare që defiluan nëpër qeveritë e koalicionit vlerësohet të kenë humbur betejat me afatet e tyre për miratimin e Ligjit për ish-ushtarët e UÇK-së

 Aida XHONI

“Zgjidhja e çështjes së ish-ushtarëve të UÇK-së vazhdon të mbetet peng. Kjo vjen si rezultat i mosdisponimit të bllokut politik shqiptar për koordinim në këtë drejtim, të cilët Ligjin e ish-ushtarëve vazhdojnë ta përdorin për marketing politik”, thotë për “Koha e Re” Besim Hoda, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL).

Sipas tij, ka qenë e qartë prej fillimit se moskoordinimi i partive shqiptare nuk do të nxisë presion të duhur për t’u sjellë ligji për ish-ushtarët e UÇK-së.

“Është fatkeqësi që subjektet politike shqiptare e trajtojnë këtë ligj si propagandë politike dhe pa dyshim, vazhdojnë të tallen me shtresën më të sakrifikuar dhe me njerëzit, të cilët i dhanë gjithçka kombit dhe fatkeqësisht nuk janë duke e marrë nga subjektet, respektivisht ata që thirren në emër të popullit atë që e meritojnë. Ish-ushtarët nga partitë marrin vetëm përbuzje e tallje’’, theksoi Hoda.

Për Hodën, deklarata e fundit se ekziston marrëveshje mes BDI-së dhe VMRO-së për zgjidhjen e kësaj çështjeje, janë mashtrime të radhës.

“Ne besojmë se është një blof i radhës për të vazhduar e përfituar pikë politike në emër të ish-luftëtarëve dhe familjarëve të tyre”, u shpreh Hoda.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu, tha se për zgjidhjen e kësaj çështje ka vendosur ultimatum.

“Për zgjidhjen e kësaj çështje kam dhënë një ultimatum. Patjetër të zgjidhet brenda institucioneve dhe nëse kjo nuk arrihet përgjegjësinë e bart kryeministri aktual, i cili nuk i jep mundësi asnjë institucioni përkatës që ta zgjidhë këtë çështje të patjetërsueshme. Për më tepër, nuk kisha dashur të komentoj, sepse jemi në një situatë tejet të rënduar”, theksoi Veliu.

Përndryshe, të mërkurën Propozim-ligji për statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së nuk mori mbështetje nga anëtarët e Komisionit për punë dhe politikë sociale. Në seancën e së mërkurës në Kuvendin republikan munguan përfaqësuesit e BDI-së dhe ministri i këtij dikasteri, Xhelal Bajrami, me justifikimin se punën e Parlamentit partia shqiptare në pushtet e bojkoton që nga dita e hënë.

Në BDI vazhdojnë të mbeten me qëndrimin e njëjtë se partia e tyre dhe ajo e Grueskit, kanë formuar grupe pune, të cilat vazhdimisht merren me këtë çështje.

Përbuzje dhe tallje me UÇK-në

“Është fatkeqësi që subjektet politike shqiptare e trajtojnë këtë ligj si propagandë politike dhe pa dyshim, vazhdojnë të tallen me shtresën më të sakrifikuar dhe me njerëzit, të cilët i dhanë gjithçka kombit dhe fatkeqësisht nuk janë duke e marrë nga subjektet, respektivisht ata që thirren në emër të popullit atë që ë meritojnë. Ish-ushtarët nga partitë marrin vetëm përbuzje e tallje’’, theksoi Hoda.

Ultimatumi i Veliut

“Për zgjidhjen e kësaj çështje kam dhënë një ultimatum. Patjetër të zgjidhet brenda institucioneve dhe nëse kjo nuk arrihet, përgjegjësinë e bart kryeministri aktual, i cili nuk i jep mundësi asnjë institucioni përkatës që ta zgjidhë këtë çështje të patjetërsueshme. Për më tepër, nuk kisha dashur të komentoj sepse jemi në një situatë tejet të rënduar”, theksoi Veliu.