Prokuroria nis hetimet për demonstratën se së premtesProkuroria e Përgjithshme ka njoftuar për ngritjen e një grupi hetimor të përbërë nga prokurorë e oficerë të policisë gjyqësore i cili është i angazhuar për kryerjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ngjarjen e rëndë të ditës së sotme para kryeministrisë, ku gjetën vdekjen 3 persona.

Prokuroria sqaron se një pjesë e grupit hetimor është vendosur në vendngjarje, pranë kryeministrisë për të gjetur çdo lloj prove materiale. Hetuesit, thuhet në deklaratën e prokurorisë, janë vënë në zotërim të librave të gatishmërisë dhe planit të masave të Gardës së Republikës si dhe të kamerave të vendosura nga Policia e Shtetit në vendin e ngjarjes.

Pjesa tjetër e grupit hetimor është vendosur në Spitalin Ushtarak dhe ka realizuar këqyrjen e viktimave dhe sekuestrimin e veshjeve të tyre nën cilësinë e provave materiale si dhe marrja në pyetje e të gjithë personave të plagosur, qofshin policë apo civilë.

Ndërkohë janë marrë edhe vendimet për kryerjen e të gjitha ekspertimeve kriminalistike të nevojshme. Prokuroria përfundon deklaratën e saj duke garantuar një hetim objektiv e jashtë ndikimit të çdo faktori politik.