Presidenti Topi pret Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan.
Luigj Shkodrani- Lajme nga Shqipëria-25 qershor 2010
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.
Gjatë takimit, Presidenti Topi vlerësoi pozitivisht klimën e dialogut politik që ekziston midis dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, si dhe shprehu dëshirën për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Duke vlerësuar shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë, Presidenti Topi shprehu besimin se këto takime do të kontibuojnë në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm, kryesisht në sektorin ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së investimeve.
Në këtë kuadër, Kreu i shtetit vlerësoi kontributin e çmuar të Emirateve të Bashkuara Arabe në financimin e plotë të ndërtimit të aeroportit të Kukësit, si dhe nënvizoi interesin për të mirëpritur investime të tjera nga Emiratet e Bashkuara, nga kompani e firma të fuqishme, kryesisht në sektorin energjetik, në infrastrukturë siç është ndërtimi i rrugës së rëndësishme Tiranë-Elbasan dhe në organizimin e panaireve të përbashkëta tregtare.
Gjithashtu, Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe për çështjen e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj, si vendi i parë i Gjirit që hodhi këtë hap të rëndësishëm, si dhe rolin aktiv në Organizatën e Konferencës Islamike dhe bashkëpunimin me delegacionin tonë për miratimin e Rezolutës “Për situatën në Kosovë”, të miratuar pak kohë më parë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme.
Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan falenderoi Presidentin Topi për pritjen e përzemërt dhe shprehu besimin në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona me synim vijueshmërinë e bashkëpunimit të ndërsjelltë në mjaft fusha të rëndësishme. Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, pasi e ftoi Presidentin Topi për një vizitë së afërmi në Emiratet e Bashkuara Arabe, – ftesë që u pranua me shumë kënaqësi, – e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për bashkëpunimin e mëtejshëm në drejtim të rritjes së numrit të shteteve që do të njohin pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Topi pret Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Dol.
25 qershor 2010

Presidenti Topi pret Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Dol.
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Dol dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të një vizite zyrtare dyditore në vendin tonë.
Pasi shprehu kënaqësinë e këtij takimi të veçantë dhe pasi e njohu zotin Dol me situatën politike aktuale në vend, Presidenti Topi vlerësoi lart dhe njëkohësisht falënderoi zotin Dol për rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e çmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri dhe si një nga përkrahësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të vendit tonë.
Duke shprehur bindjen se Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi vuri në dukje se “me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve.”
Nga ana e tij, Kryetari i Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Dol, pasi falënderoi Presidentin Topi për pritjen e përzemërt, nënvizoi faktin se “palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”. Në të njëjtën kohë, zoti Dol garantoi se “procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes evropiane.”
Marre nga faqja e Presidentit Topi.
Kryeministri Berisha takon Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan
– Ministri Al Nahyan u shpreh se Emiratet e Bashkuara Arabe do të jenë financues në rrugën Tiranë-Elbasan si dhe po shikojnë me mjaft interes dhe përparësi edhe projekte të tjera të mëdha si Boshti i Jugut, portet, resortet turistike si dhe bashkëpunimin në transportin ajror.
Kryeministri Berisha priti sot në një takim të ngrohtë e miqësor, Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe delegacionin që e shoqëronte.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen Ministrit Al Nahyan dhe i shprehu mirënjohjen e thellë të tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e përhershme dhe të gjithanshme të Emirateve të Bashkuara Arabe në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.
Vizita juaj, u shpreh Kryeministri Berisha, është një kontribut i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat janë në një nivel të shkëlqyer.
Marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe mbështetja e fuqishme e të dy vendeve për thellimin e marrëdhënieve ekonomike janë mënyra më e mirë për konsolidimin dhe çuarjen e bashkëpunimit në një nivel edhe më të lartë, u shpreh Kryeministri Berisha.
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke u shprehur se në një vit nga vizita e tij e fundit, Shqipëria kishte pësuar ndryshime edhe më të thella, falë reformave të jashtëzakonshme dhe vizionit të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare.
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta dhe miqësore të autoriteteve më të larta të Emirateve të bashkuara Arabe, si dhe ftesën e tyre për një vizitë të Kryeministrit Berisha në Emiratet e Bashkuara Arabe, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
Gjithashtu Ministri Zayed Al Nahyan, i cili do të marrë pjesë në inaugurimin e Aeroportit të Kukësit, u shpreh se ndihej i nderuar që ky aeroport do të mbante emrin “Sheikh Zyed” dhe i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë që qeveria shqiptare vendosi t’i jepte këtij aeroporti këtë emër të nderuar.
Takimi u përqendrua në marrëdhëniet ekonomike dhe tregëtare mes dy vendeve, të cilat kanë potenciale të mëdha të thellimit të tyre. Kryeministri Berisha bëri një panoramë të potencialeve të mëdha të Shqipërisë të cilat ngjallin interes për investitorët e huaj si në fushën e energjisë, turizmit, porteve dhe infrastrukturës. Lidhur me këtë Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan theksoi se trendi i rritjes ekonomike të Shqipërisë në vitet e fundit, veçanërisht në këtë kohë të krizës botërore, falë reformave të thella ekonomike dhe klimës së favorshme për biznesin, ka bërë që të ketë mjaft interes nga ana e investitorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe për të investuar në Shqipëri.
Emiratet e Bashkuara Arabe do të financojnë rrugën Tiranë-Elbasan, një ndër projektet më prioritarë infrastrukturorë të qeverisë shqiptare si dhe se po shikojnë me mjaft interes dhe përparësi edhe projekte të tjera të mëdha si Boshti i Jugut, portet, resortet turistike projektet për bashkëpunimin në transportin ajror.
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan theksoi se hapja në Abu Dabi e Ambasadës shqiptare dhe hapja në një kohë të afërt e ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, do të jenë një ndihmë e madhe për forcimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve.
Në takim u diskutua dhe për Kosovën, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe për mbështetjen e madhe në rindërtimin dhe zhvillimin e saj, duke theksuar se Kosova po dëshmon se është faktor i rëndësishëm paqe dhe stabiliteti në rajon.
Kryeministri Berisha përcolli përmes Ministrit Al Nahyan, ftesën për autoritetet më të larta të Emirateve të Bashkuara Arabe, për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u prit me shumë vlerësim dhe kënaqësi.
Marre nga faqja e Kryeministrit Berisha.
Bosch hedh propozimin për Kodin Zgjedhor. Subashi braktis mbledhjen
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, dhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, hedhin propozimin e parë për reformën zgjedhore: komisionerët e zgjedhjeve të 28 qershorit, të niveleve të dyta, të shërbejnë në të gjitha zgjedhjet që nga dita e sotme, duke i trajnuar dhe paguar nga shteti. Edhe pse dy partitë e mëdha politike janë ende jashtë debatit institucional për këtë çështje, dy entet e sipërpërmendura janë shfaqur gjatë aktivitetit Forumi i Komisionerëve Zgjedhorë, me propozime konkrete që mund të shihen që tani si sugjerime thelbësore për administrimin e procesit të ardhshëm elektoral. Një bazë të dhënash për komisionerët e nivelit të dytë është aktualisht funksionale dhe ajo pritet të shërbejë si pikënisje e krijimit të korpusit të komisionerëve profesionistë. Lidhur me këtë ide, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosch, ka shkuar më tej, duke sugjeruar kufizimin e së drejtës së partive politike për të zëvendësuar arbitrarisht dhe pa arsye specifike komisionerët e vet. “Është vendimtare që partive politike nuk u duhet lejuar që t’i zëvendësojnë anëtarët e komisioneve të niveleve më të ulëta në mënyrë arbitrare. Zëvendësime të tilla duhet të lejohen vetëm për arsye specifike të parashikuara qartë nga kuadri ligjor. Përveç kësaj, Kodi Zgjedhor duhet të garantojë mekanizma efektivë për plotësimin e vendeve të lira në administratën zgjedhore, në rast se partitë politike nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të përcaktuara”, ka deklaruar Bosch. I të njëjtës ide ka qenë edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili në fjalën e vet ka nënvizuar nevojën e kalimit drejt një trupe profesioniste, e cila me trajnimin dhe certifikimin e vet do të lërë pas gjithnjë e më shumë militantizmin në gjykimet e veta. “Kjo bazë të dhënash duhet të vazhdojë të plotësohet dhe të kompletohet. Më pas të vazhdohet me trajnimin dhe certifikimin e komisionerëve. Edhe pse përbërja dhe e drejta për emërimet tuaja u takon forcave politike, të gjithë duhet të udhëhiqen në punën e tyre nga zbatimi me korrektësi i ligjit dhe ndërgjegjja profesionale. Ka ardhur koha që bindjet apo preferencat politike të mbeten totalisht personale dhe të mos ndikojnë në punën e kujtdo”, u shpreh Ristani. Këto dy momente mund të shihen si thelbësore në kontributin e pritshëm të KQZ-së dhe OSBE-ja për reformën e re elektorale, teksa institucionalisht krijimi i Forumit të Komisionerëve me axhendë periodike përbën një masë plotësuese. Diskutimi është kompletuar edhe me sugjerimet e rreth 50 komisionerëve që kanë qenë pjesëmarrës në tryezën e parë të organizuar me këtë qëllim.
Subashi braktis aktivitetin
Normaliteti i aktivitetit të djeshëm është prishur nga reagimi i numrit dy të KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila ka marrë fjalën pas Bosch dhe Ristanit. Duke folur për organizimin e aktivitetit në fjalë, ajo është shprehur se “unë si drejtuese e rëndësishme e KQZ-së nuk mund të jem e ftuar këtu, por bashkorganizatore. Nuk jam njoftuar paraprakisht për këtë aktivitet, prandaj dhe kërkoj falje, sepse kam ardhur e papërgatitur. Për mendimin tim është e papranueshme që unë si drejtuesja e dytë e KQZ-së të jem këtu me cilësinë e të ftuarës, prandaj kërkoj ndjesë, por nuk mund të jem më pjesë e kësaj tryeze”. Ajo ka lënë mandej aktivitetin, për t’u larguar, një veprim që ka gjetur solidaritetin e disa prej komisionerëve të majtë që kanë qenë të pranishëm në sallë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ambasadorit Bosch, i cili ka zhvilluar një bashkëbisedim me Subashin jashtë sallës, ku është “informuar” për arsyet e largimit të saj.
Marre nga gazeta Shqip.
Inva Mula dhe Pirro Çako firmosin ndarjen

Pirro Çako dhe Inva Mula thonë “Po” por, këtë herë jo për të lidhur martesë po për ta zgjidhur atë. Çifti i famshëm është përballur dje më në fund fizikisht në gjykatën e kryeqytetit pas muajsh seancash gjyqësore në lidhje me padinë e divorcit që tashmë duket sikur është kthyer në telenovelë. Të dy njëzëri kanë pohuar para togave të zeza se duan ndarje përfundimtare nga njeri-tjetri.
Ndërkohë që seancën e fundit, vetë djali i çiftit në praninë e psikologes kërkoi që të qëndronte më të ëmën. Në këtë mënyrë, gjykata i ka kërkuar psikologes të plotësojë raportin psikologjik në lidhje me ushtrimin e përbashkët të përgjegjësisë prindërore, t’u japë kohë palëve të njihen me vlerësimin psikologjik, dhe t’i japë kohë palës së paditur për të paraqitur një projekt në lidhje me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore nga të dy prindërit.
Ashtu si ndoshta u lodhën së jetuari të ndarë duke qenë të martuar, ashtu janë lodhur edhe duke bërë vazhdimisht seanca gjyqësore pa konkluzione konkrete.
Ditën e djeshme kanë ngjitur vetë shkallët e gjykatës për t’u “çliruar” përfundimisht nga njeri-tjetri. Ndërkohë, seanca e radhës është shtyrë për në datën 29 qershor me pretendimin që t’i lënë kohë palëve për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Odiseja e ndarjes së tyre zyrtarisht ka filluar në prill të vitit të kaluar kur padia e kërkesës për divorc mbërriti në gjykatën e Tiranës, ndërsa ndarja e tyre e “heshtur” kishte kohë që kishte filluar.
Shkaku i gjithë kësaj? Janë hedhur shumë hipoteza, por nga ana e vetë çiftit nuk është konfirmuar asgjë. Lidhja e Inva Mulës me biznesmenin Kosovar Et’hem Ramadani, lidhja e Pirro Çakos me një vajzë, për të cilën thuhet se i ka kushtuar edhe një nga këngët e tij…
Po ashtu shkak i këtyre “tradhtive” mund të ketë qenë jetesa e ndarë që bënin, por edhe puna intensive e vetë sopranos. Duhet të presin edhe një javë për të marrë në dorë vendimin përfundimtarë të zgjidhjes së tyre të martesës, duke u rikthyer përsëri beqar.
Marre nga Shekulli
Homoseksuali Klodi i dërgon letër të hapur Berishës e Ramës
Sot dy dite pas fjalimit te Hillary Clinton per te drejtat e LGBT, Klodian Cela, personazhi i Big Brother i cili deklaroi hapur homoseksualitetin tij i dergon nje leter te hapur kryeministrit z. Sali Berisha dhe kryetarit te opozites, z. Edi Rama. Letra e plote me poshte:
LETER E HAPUR
Drejtuar: Z. Sali Berisha
Kryeministër i Shqipërisë dhe Kryetar i Partisë Demokratike
Z. Edi Rama
Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Bashkisë Tiranë
I nderuar zoti Kryeministër,
I nderuar zoti Kryetar i Opozitës,
Po ju drejtohem me këtë letër të hapur për të ndarë me ju shqetësime që nuk janë vetëm të miat personalisht, por besoj edhe të atyre njerëzve të cilët kanë një orientim seksual të ndryshëm nga të tjerët.
Por fillimisht dua t’ju falenderoj publikisht për disa nga kontributet tuaja në lidhje me të drejtat e njeriut në Shqipëri:
Z. Kryeministër,
Më lejoni t’ju falenderoj që si sot një vit më parë ju guxuat të flisnit publikisht për të drejtat e komunitetit LGBT (lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë). Kontributi juaj publik ka qenë një shtysë për t’i dhënë fund diskriminimit në Shqipëri, shoqëria jonë po përgatitet të hyjë në rrugën e pakthyeshme të emancipimit.
Si Kryetar i maxhorancës, më lejoni t’ju falenderoj që në Shkurt të këtij viti ju personalisht dhe maxhoranca që ju drejtoni morët përsipër të aprovoni për herë të parë në Shqipëri një ligj ambicioz kundër diskriminimit.
Z. Kryetar i opozitës,
Jam në dijeni të përpjekjeve tuaja të dikurshme, por edhe aktuale për të emancipuar shoqërinë shqiptare. E kam ndjekur me vëmendje aktivitetin tuaj të mëparshëm publicistik dhe shumë shpesh jam frymëzuar nga kurajoja që ju ka karakterizuar për të shkruar në shtyp për të drejtat e njeriut e për të kërkuar mbrojtjen e barabartë të tyre. Më lejoni t’ju falenderoj për këtë.
Zotërinj,
Sot ndihem i mbështetur në të drejtën time për të jetuar i barabartë mes të barabartëve dhe i respektuar nga mesazhi i datës 22 qershor kur Sekretarja e Departamentit të Shtetit znj. Hillary Clinton më inkurajoi personalisht për hapin që kisha ndërmarrë, ashtu sikurse komuniteti ndërkombëtar dhe një pjesë e mirë e shoqërisë civile në Shqipëri.
Megjithatë nuk mund të mos përcjell publikisht realitetin me të cilin unë dhe familja ime, njerëzit e mi më të dashur, që nga dita kur unë kam dalë nga Big Brother, po përballemi me një realitet të cilin dëshiroj ta ndaj me ju, pasi unë besoj se politikanët e vendit tim duhet të shërbejnë si model për të gjithë shoqërinë.
Prej 45 ditësh unë ndodhem jashtë shtëpisë së “Big Brother”. Që prej 45 ditësh, unë, familjarët e mi dhe njerëzit e mi më të afërm, po përballemi me një realitet tepër të vështirë. Familjarët e mi sot po vuajnë për bukën e gojës. Të drejtat e tyre po shkelen ditë pas dite nga fryma e urrejtjes dhe diskriminimit, për shkak të orientimit tim seksual.
Nuk e doja veten ditën kur pashë Policinë e Durrësit të ushtronin dhunë psikologjike ndaj nënës sime duke i kërkuar me prepotencën që ta jep uniforma të largonte një tezgë të vogël shitjeje me të cilën siguron bukën e gojës. Unë nuk kërkoj të shkelet ligji, por dua që njerëzit të kuptojnë se ajo tezgë është e vetmja mënyrë të ardhurash për familjen time që punon për të mbijetuar, jo për të jetuar, e që tashmë nuk guxon as të ketë një jetë sociale nga frika se njerëzit do t’i tregojnë me gisht.
Që ditën e parë kur unë dola nga Big Brother nisa të kërkoj një vend pune, por ajo që po gjej, në vend të punës, është vetëm urrejtje, homofobi dhe bezdisje e pakuptimtë.
Në vitin 2010 unë ndihem i internuar në vendin tim.
Në këtë situatë në të cilën unë dhe familja ime ndodhemi sot mund të ndodhen edhe familjet e qindra mijëra të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë. Cdo shoqëri e hapur dhe demokratike ka për detyrë që ti ofrojë të gjithë anëtarëve të saj mundësi të barabarta për të jetuar të respektuar dhe me dinjitet. Unë besoj se është detyra juaj si politikanë që të promovoni këto vlera në shoqërinë shqiptare.
Cdo individ lind i lirë dhe i barabartë në të drejtat dhe dinjitetin e tij.
I nderuar z. Kryeministër, I nderuar Kryetar i opozitës,
Unë vendosa të qëndroj në Shqipëri, ndryshe nga shumë vetë që kishin besuar se do t’ia mbathja nga sytë këmbët, vetëm sepse kisha guxuar të thyeja një tabu. Unë vendosa të qëndroj në këtë vend t’u përballur me dinjitet me të gjitha sfidat që ka shoqëria shqiptare. Unë pres që mesazhet e mbështetjes të mos më vinë mua apo kujtdo tjetër që është pjesë e komunitetit LGBT, vetëm nga ndërkombëtarët.
Unë pres që politikanë si ju të tregojnë publikisht se mirëqënia sociale, fizike, e shpirtërore e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, pa dallim, është realisht e mundshme.
Tani është koha për fjalën tuaj dhe më shumë se kaq për veprimin tuaj.
Sinqerisht,
Klodian Çela
Edhe Hillari Klinton në mbrojtje të Klodit..
Që Klodi i Big Brother do ishte një temë e nxehtë bisede në Shqipëri, kjo ishte e dukshme dhe e qartë, por që emri i djalit nga Lezha do përmendej edhe nga vetë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, këtë pakkujt ia priste mendja.
“Në Shqipëri, një djalë i ri, me emrin Klodian Çela, u shfaq në ekran në një program televiziv popullor të quajtur Big Brother. Shumë shpejt pas kësaj, ambasadori ynë John Ëithers, ishte në television për të shprehur publikisht mbështetjen për këtë djalë.
Ai vizitoi qytetin e tij të lindjes dhe e ftoi atë në Ambasadën tonë, për tu shprehur gjithë shqiptarëve se Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtat e tij dhe respektojnë kurajon e tij” – tha znj.Klinton gjatë një fjalimi ne lidhje me rastet e homofobisë.
Versioni ne anglisht i pjeses se fjalimit:
Hillary Clinton: “In Albania, a young man named Klodian Cela recently came out on a popular television program called Big Brother. Soon after, our ambassador, John Ëithers, ëent on television to publicly express support for this man. He visited his hometoën and he invited him to an event at our Embassy, conveying to all Albanians that the United States supports his rights and respects his courage”.
Linku zyrtar per tekstin e plote te ketij fjalimi:
http://www.state.gov/secretary/rm/2010/06/143517.htm
Linku per versionin e plote video te fjalimit:
http://link.brightcove.com/services/player/bcpid1857622883?bctid=97867356001
*********
‘Fenomeni Klodi’, reagon edhe BE-ja: Jemi kundër diskriminimit seksual
14 prill 2010

Pas protestave të Lezhës, kundër fenomenit “Klodi” në Big Brother, Bashkimi Europian i kujton vendit tonë respektimin e të drejtave të njeriut si kusht për integrimin në familjet evropiane.
Përmes një deklarate për mediat, BE rikujton traktatet për të drejtat e njeriut duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe trajtimi i barabartë janë ndër kushtet thelbësore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Bashkimi Europian shpreh shqetësimin e tij për rastet e fundit të homofobisë dhe diskriminimit bazuar në orientimin seksual. Ngjarjet në Lezhë si dhe debati publik bënë që BE-ja të rikujtojë se Traktatet e BE-së ndalojnë çdo lloj diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe se parimet e trajtimit të barabartë si dhe fuqizimi i grave janë vlera themelore të BE-së. Implementimi efektiv i këtyre vlerave në Shqipëri është thelbësor për realizimin e perspektivës së saj Europiane, ashtu siç deklarohet në Raportin e Progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë.” theksohet në deklaratën e BE.
Vetem pak kohe me pare,diplomatët e huaj, ambasadori amerikan John Withers dhe ambasadori gjerman Bernd Bochardt udhëtuan drejt Lezhës në mbrojtje të familjes Çela e cila pretendon diskriminim pas deklarimit të Klodit në BB si homoseksual.
Ata kujtuan se shqiptarët shquhen për bashkëjetesë fetare dhe kjo duhet të vlejë si kurajo edhe për bashkëjetesen me pakicat ku përfshihen edhe pakicat seksuale.
Vizita e tyre është shkaktuar nga një sinjalizim i familjarëve të Klodit.
Afro 400 qytetarë lezhjanë kanë organizuar një tjetër protestë në 12 prill rrugët e qytetit të Lezhës, duke apeluar “Lezha është e pastër, nuk ka homoseksualë”. Një protestë e tillë u zhvillua edhe me 5 mars kundër “fenomenit Klodi” që erdhi si rezultat i dëshmisë së bërë nga Klodi, ku ai deklaroi që ishte homoseksual dhe për këtë gjë i kërkoi mirëkuptim të gjithëve, veçanërisht nënës së tij.
Qytetarët lezhjanë kanë vijuar protestat e tyre, duke filluar nga sheshi administrativ i qytetit, si edhe përgjatë bulevardit “Gjergj Fishta” me thirrjet “Hiqe, hiqe Klodin!”.
Pas protestës së zhvilluar Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT (lesbike, gay, bisexual, është shprehur: ” Në vend që të dilnin rrugëve medemek të fyer në krenarinë mashkullore, do të ishte mirë që ata të rinj të mendonin seriozisht se si do t’ia bëjnë kur pas pak muajsh, atëherë kur do udhëtojnë lirisht në Europë, do të ndeshin rrugëve të botës me njerëz që e jetojnë pa komplekse seksualitetin e tyre”.
SHEKULLI
Jeta dixhitale
Jorida Pasku
Aktorja Rozina Kostani debuton me regjinë skenike. Me komedinë e Martial Courcier “Më e vërtetë se e vërteta” kërkon të ngacmojë publikun me historinë e njeriut të atrofizuar në kohën e high tech-ut
Paratë, qejfet, babëzia i kanë hequr shijen e jetës dy njerëzve të quajtur Xhulio dhe Françesko. Janë mbi 35 vjeç, drejtues të një firmë të madhe nafte. Nevoja për të mbushur zbrazëtinë shpirtërore e shtyn Xhulion të krijojë robotin Kloe, femrën ideale, që iu kthen besimin te dashuria.
Historia që tregohet te “Më e vërtetë se e vërteta” shkruar më 2001 nga dramaturgu francez Martial Courcier, e bindi aktoren Rozina Prendi Kostani të prezantohet si regjisore.
Problemet që ky autor bashkëkohës ngre për njeriun robot të kohëve moderne, publiku i ka të njohura.
Përsëritja e tyre me zë të lartë në teatër, Rozina mendon se do t’i bëjë njerëzit më të ndjeshëm. Qëllimi i saj është ta ngacmojë ndjeshmërinë e spektatorit qoftë edhe me aroma, pasi beson tek teatri i ndjesive.
“Më e vërtetë se e vërteta” shfaqet sonte dhe dy net të tjera, ora 21.00, në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit. Interpretojnë: Lulëzim Zeqja (Xhulio), Neritan Liçaj (Françesko) dhe Luli Bitri (Kloe).
Me skenografen Laedia Hajdari, regjisorja ra dakord për një skenë që të përcillte idenë e iluzionit. Kostumet e kësaj shfaqjeje janë realizuar nga Erida Teta.
Si aktore e teatrit dhe më pak e kinemasë, Rozina e hedh hapin të vogël dhe të ngadaltë. Vitet e fundit ajo është shfaqur te “Zysh e dashur” me regji të Mehmet Xhelilit, në rolin e Nënë Terezës te “Nënë Tereza” me regji të Bruno Shllakut, Maria Elena tek “Knepp” me regji Eglantina Cenoimerit dhe balerina te “Etja” e Lorin Terezit.
Prej dhjetë vitesh jep lëndën Mjeshtëri Aktori në Akademinë e Arteve.
Dikush që e ka regjinë e parë në teatër si ju sonte, duhet të ketë më shumë se një arsye për të zgjedhur një vepër si “Më e vërtetë se e vërteta” dhe jo një tjetër?
Martial Courcier është një dramaturg i ri në trillin e komedisë. “Më e vërtetë se e vërteta” është shkruar në vitin 2001 dhe autori ka marrë çmimin “Molier” në Festivalin në Parisit me këtë pjesë. Në strukturën e ndërtimit dramaturgjik ai ngjan me Molierin dhe kjo më ka joshur. Courcier vë në dukje problemet e kohës së tij. Në komedinë “Më e vërtetë se e vërteta” trajton dizhitalizimin e jetës. Ne po e ndërlikojmë shumë jetën.
eknika e lartë, kaq prezente në jetët tona, po na mbyt. Lehtësohemi nga ana praktike, por shkëputemi nga ndjeshmëria, nga natyra. Çfarë do të thotë të jesh i natyrshëm në këtë botë? Të shikosh një njeri në sy dhe të lexosh diçka aty. Të mos ekzistojnë gjithmonë mburojat. Të mos e shikosh nga “vrima e çelësit”, me dyshim. Kemi shumë nevojë të ndiejmë.
Në pjesë ndihet një thirrje e madhe për të parë tek njëri-tjetri dhe jo më tek objektet. Objektet nuk mund ta zëvendësojnë kurrë njeriun. Kjo më intrigoi tek pjesa. Kishte shumë rrezik që mund të çohej në një grotesk, por nuk e pranoj dot këtë. Më pëlqen të godas mbi një temë të caktuar se sa ta hedh thjesht për t’u gajasur.
Si është kjo jeta dixhitale sipas Courcier-it?
Dy shokë, Xhulio dhe Françesko, njëri drejtor dhe tjetri menaxher i një naftëmbajtëseje fitojnë para me grushta, dalin, shpenzojnë, femrat nuk iu mungojnë, por nuk ndiejnë më asgjë, ndihen bosh. Françesko e ka zgjidhur thjesht jetën. Është pragmatist, nuk beson te dashuria. Xhulio është lodhur nga konsumimi i seksit.
Ai po çmendet dhe pyet si ka mundësi që nuk provon asnjë lloj ndjesie. Në një moment dorëzohet dhe pret të gjejë dashurinë. Pjesa fillon në ditën e 35 vjetorit të tij. Përgjithësisht në përvjetorë njerëzit ndiejnë plakjen që po u afrohet dhe për qenien njerëzore plakja është e dhimbshme. Françesko i sjell dhuratë robotin Kloe. Ai u nis nga pragmatizmi sepse vetë do të dëshironte që të kishte një mjet me të cilin të kryente çdo gjë. Roboti është femër. Ngjan me pinokun.
Paralelizmi është shumë i bukur dhe është një spunto shumë e mirë e autorit. Bën fjalë për nevojën. Boshllëku ynë shpik diçka. Në këtë rast ka shpikur robotin që po përgatitet t’i afrohet ndjesive njerëzore. Në fakt, kjo është e frikshme. Por, kjo është është thirrja e tyre, përpëlitja e dy njerëzve.
Si keni punuar me makinën Kloe, a është ajo personazh mes dy meshkujve?
Kishim dilema, si ta sillnim këtë personazh. Në momentin e parë, spektatori sheh një robot perfekt. Gjatë zhvillimit të veprës, ajo shkrihet dhe bëhet njeri. Në bazë të programit merr vlera njerëzore dhe vetë krijuesi i saj, është në dilemë për lëkurën, buzët e saj të ngrohta, për ta pranuar këtë qenie si të vërtetë. Xhulio e programon, ashtu siç e do ai. Ky është një mesazh që njeriu nuk ka humbur, pavarësisht se mbulohet me koraca.
Personazhi i Xhulios, në rol Lulëzim Zeqja transformohet në çdo skenë, derisa bie në dashuri çmendurisht. Bie edhe Françesko i cili nuk besonte tek dashuria, por nga mënyra sesi Kloe shprehet për ndjenjat, sesi duhet të ndërtohet një marrëdhënie në çift, ai dorëzohet. Lulëzim Zeqja ka për të nxjerrë një figurë të spikatur, ai transformohet dhe lë gjurmë.
Françesko, personazhi i Neritan Liçajt është snob, është trendy. Është koha e trendy-t. Nëse nuk je i tillë, nuk ke vend në shoqëri. Je i mënjanuar.
Puna me personazhet ka qenë intensive, pasionante. Vetëm kështu bëhet. Janë vepra të shkruara në kohën tonë, që nuk pranojnë artifice. Që në momentin e parë kur kam shtruar platformën, kam thënë: kërkesë imediate është vërtetësia. Ne kemi publikun shumë afër dhe duhet të depërtosh tek spektatori. Aktorët kanë qenë të bindur në këtë gjë dhe e kanë dëshmuar edhe me punë.
Ku fokusohet këndvështrimi juaj?
Një regjisor duhet fillimisht të zgjedhë veprën dhe pastaj të dijë qartë çfarë do të japë nëpërmjet saj. Përveç historisë që ka krijuar autori tek “Më e vërtetë se e vërteta” unë kam krijuar një këndvështrim timin. E kam trajtuar si një iluzion.
Është një ëndërr që dua do ta ëndërroj me sy hapur. Ne kemi dy dilema të mëdha mes asaj që duam dhe asaj që duhet. Ajo që dua duhet të zotërojë atë që duhet. Kjo është thirrja ime personale. Me skenografen Laedia Hajdarin jemi kuptuar në këtë koncept. Unë dua të jap iluzionin dhe ajo po ashtu.
Si është krijuar iluzioni në skenë?
Në mënyrë të butë dhe intriguese. Çdo gjë deformohet gjatë zhvillimit të veprës.
Nuk kam futur objekte në skenë sepse bëhet fjalë për një iluzion. Në imagjinatë, në ëndërr i kemi dhe s’i kemi objektet, i prekim, ose nuk i prekim. I vetmi personazh që sjell objekt në skenë është roboti, që sjell mollën dhe lulet.
Janë dy simbole të jetës. Kur hyn Kloe në skenë sjell aromën e lilave, që do ta ndiejë edhe publiku në sallë. Kemi marrë aromën më të fortë, që vërtet të krijojë ndjeshmëri. Teatri duhet të shkojë drejt ndjesive, duhet të ngacmojë. Mund ta ngacmojmë spektatorin edhe me aromë, ashtu siç bëjmë me dritën, me lëvizjen.
Ju vetë si arrini ta mbani ndezur dëshirën dhe ndjeshmërinë?
Besoj tek forca e brendshme. Nuk përpiqem të arrij gjë me mendimin se “kështu duhet”. Unë thjesht dua. Ky është motivacioni që e vë motorin në lëvizje. Dëshira e brendshme. Mund të hash, të pish, por nuk ndjen ekzistencën reale, atë të shpirtit. Po të më vdesë shpirti, nuk do të doja të isha.
Një motiv që e mban ndezur “motorin” tuaj është edhe puna në Akademi. Si ndiheni aty dhe me ç’nivel studentësh ballafaqoheni?
Kam përvojë 10-vjeçare në Akademi. Për sa i përket studentëve, çdo brez ka nuancat e tij.
Mënyra sesi e perceptojnë ata jetën është krejt ndryshe nga çfarë e kam perceptuar unë. Kjo nuk duhet të ballafaqohet fare.
Kam kursin e vitit të tretë Regji. Janë djem dhe vajza që punojnë me dëshirë, kjo më pëlqen. Tani kanë mundësi për më shumë hapësira. Është hapur Teatri i Metropolit, që unë e falënderoj që më ka hapur dyer. Është shumë pozitive të hapen dyert butë, pa “i rënë me grushta”.
o të doja vetëm që Akademia e Arteve të reformohej në lidhje me përzgjedhjen e studentëve dhe të ekzistonte një status i veçantë për shkollën e arteve. Duhet të ketë një strukturë të qartë që të dijnë të gjithë ku e kanë vendin. Kështu gjërat do të shkonin shumë më mirë.
Këtë vit jeni angazhuar edhe në filmin “Out of touch” të Andi Delianës.
Ç’rol keni aty?
Rolin e një zyshe matematike që përpiqet ta ndërtojë familjen e vet nga hiçi. Vjen një moment që burri e tradhton me sekretaren e tij. Më ka bërë përshtypje tek personazhi kjo luftë e brendshme, përpjekje për të pasur, por jo me zor, jetën e dikurshme. Luaj bashkë me Laert Vasilin, Kastriot Kaçin, Elidon Alikajn. Bashkëpunimi me Andi Delianën ishte interesant. Është një djalë me shije, përpëlitje të brendshme.
Përpara premierës mbahet një minutë heshtje në kujtim të aktorit Bekim Fehmiu. Keni diçka për të thënë?
Ndjehem keq për humbjen dhe ndjehem mirë për këtë lloj kujtese emocionale. Bekim Fehmiu është një ndër referimet tona nëpër botë.
Fotot: Endri Sejdini
Nga Shekulli
Revolucion në transportin publik
Kreu i Bashkisë Rama: Kurorëzuam një punë disavjeçare, drejt një sistemi urban europian
Deri një verë më parë të gjithë kemi ëndërruar pak freski në autobusët e linjave urbane në kryeqytet, por askush nuk e mendonte se një ditë në rrugët e Tiranës do të lëviznin autobusë tepër komodë, të cilët nuk do të mbanin më hapur dyert për pak freski, por thjesht do të shtypnin butonin e kondicionerit.
Pak muaj më parë, Bashkia e Kryeqytetit lajmëroi qytetarët se transporti urban do të pësonte ndryshime të mëdha, mes të tjerave urbanët e rinj dhe bileta elektronike për udhëtimin.
Gjithkush mund ta ketë dëgjuar me skepticizëm këtë lajm, por përballë faktit të kryer pak vend ka për mosbesim. Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ka inauguruar zyrtarisht funksionimin e autobusëve të rinj në një nga linjat më të ngarkuara, “Tiranë e Re” – “Stacion i trenit”.
Autobusët e rinj janë sipas të gjitha standardeve europiane dhe me të gjitha kushtet e një shërbimi cilësor urban (prej gati dy javësh qytetarët e kanë parë nga afër këtë duke udhëtuar më autobusët e linjës së Unazës).
Ashtu siç edhe kishte premtuar disa muaj më parë, Bashkia e Tiranës filloi dje ndërhyrjen në mjetet e transportit publik si pjesë e paketës së masave të përmirësimit të shërbimit, hartuar në kuadër të strategjisë së transportit, në të cilën u konsiderua parësore përmirësimi i kushteve të komoditetit dhe të lëvizjes në shërbimin e Transportit Publik.
Linja “Tirana e Re”, filloi dje fazën e parë të rinovimit të të gjithë mjeteve, duke vënë në punë 11 mjete të reja, me kilometrazh zero, me standarde të Bashkimit Europian, si pjesë e projektit të një rinovimi të Parkut të mjeteve, ku do të vihen në shërbim të qytetarëve mjete të reja në 50 % të inventarit, si dhe mjete të viteve të fundit, në një investim që konsideron tashmë si të domosdoshëm ato që quhen “kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit”.
Kështu Bashkia premton se brenda vitit 2011, të gjithë autobusët e linjave urbane në Tiranë, që janë rreth 155, do të jenë të pajisur me ajër të kondicionuar, hyrje e lehtë në mjete bus, nëpërmjet platformës së sheshtë, autobusë të pajisur me platformën për njerëzit me aftësi të kufizuar, sisteme kamerash.
Kryebashkiaku Rama, i pranishëm në prezantimin e kësaj pune disavjeçare të Bashkisë së Tiranës, u shpreh: “Të gjithë e kujtojmë Tiranën e transportit të stërmundimshëm me furgona, në të gjitha linjat e kryeqytetit dhe më pas transformimin rrënjësor me linjat e reja dhe me standardet e reja.
Sot është në fakt përmbyllja e këtij revolucioni të madh në standardet e transportit të Tiranës, kur fillojmë të fusim autobusë të niveleve më të larta bashkëkohore, me të gjithë kushtet për t’u ndierë udhëtarë në sistemin urban europian”.
Rama u shpreh i kënaqur që ripërtëritja 100% e të gjithë inventarëve të linjave urbane të kryeqytetit, e cila, sipas tij, nisi dje falë edhe kontributit të të gjithë qytetarëve që i paguajnë këto linja.
“Uroj që këta autobusë të kenë udhëtarë të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në mirëmbajtje, në mënyrë që këto linja të kenë një sukses të plotë”, përfundoi ai.
Fatorino disiplinon udhëtarët
Autobusët e rinj kanë kërkesat e tyre, për sa i përket qarkullimit brenda tyre. Tashmë qytetarët duhet të bëjnë kujdes, që të hyjnë në autobus nga dera që lexon “hyrje” dhe jo aty ku lexon “dalje”.
Por, edhe në rast se forca e zakonit do ta çojë ndonjë qytetar për të hyrë në autobus, në derën që lexon “dalje” është fatorino, i cili nuk e lejon të hipë nga dera e gabuar. Madje, është po fatorino që në bordin e autobusit drejton udhëtarët ende të habitur me këto ndryshime në monotoninë e të udhëtarit me urban. Me këtë guidë të “rreptë” të shpresojmë që pas pak kohësh europianë nuk do të jenë vetëm automjetet, por edhe sjellja e udhëtarëve.
Përfundon ankimi i nxënësve për notën e maturës
Maturantët kanë pasur në dispozicion plotë shtatë ditë kohë për të kërkuar shpjegime mbi rezultatin në provimin e Gjuhës Shqipe.
Procesi i ankimimit ka përfunduar tri ditë më parë dhe tashmë maturantët janë në pritje të rezultateve të provimit të dytë, atij të matematikës, të cilat, sipas MASH, do të publikohen pas datës 30 qershor.
Një ditë pas publikimit të rezultateve të provimit të Letërsisë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës vuri në dispozicion 7 ditë kohë për ata nxënës që mendonin se nuk ishin vlerësuar me notën që meritonin.
Kaq kohë ka pasur në dispozicion për të paraqitur pranë drejtorisë së shkollës fotokopjen e testit të provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore çdo maturant që nuk besonte se testi i tij ishte vlerësuar në mënyrë korrekte.
Nxënësi, pasi ka marrë në dorë fotokopjen, ka shqyrtuar me kujdes vlerësimin që i është bërë secilës përgjigje dhe ata maturantë, të cilët nuk kanë qenë dakord me rezultatin ka paraqitur në drejtorinë e shkollës një letër me shkrim, ku ka kërkuar rivlerësim të provimit.
Më tej, kjo kërkesë është nisur në drejtoritë arsimore rajonale ose në zyrat arsimore, të cilat i kanë dërguar më pas në Agjencinë Qendrore të Arritjeve të Nxënësit, e cila do të japë edhe rezultatin përfundimtar. MASH u kujton nxënësve se e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për përgjigjet e provimit të Letërsisë.
Bashkia i kthen përgjigje prefektit
Bashkia e Tiranës ka reaguar ditën e djeshme ndaj deklaratave të Prefektit Keltis Kruja mbi pengesën e auditimit për një fond të veçantë.
Në deklaratën zyrtare të Bashkisë thuhet se Auditimi për fondin e veçantë i kërkuar nga Prefekti i Qarkut Tiranë është në kapërcim të kompetencave që i burojnë Prefektit nga kuadri ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, një situatë kjo në kundërshtim të plotë me dispozitat e legjislacionit për kontrollin e jashtëm të njësive vendore.
“Si i tillë, dokumenti i miratuar nga ana juaj (i cilësuar si “Program – Auditimi”), është i papranueshëm, sepse është tërësisht i pambështetur në ligj. Ndaj, Bashkia e Tiranës ka refuzuar të auditohet nga ana e Prefektit të Qarkut Tiranë për fondin e veçantë, duke iu komunikuar zyrtarisht se nuk do të njohë asnjë grup pune të ngritur për këtë qëllim”, thuhet në deklaratën e Bashkisë.
Nga Shekulli
.jpg)