Presidenti Topi pret Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, zotin Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Pasi u uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi të përzemërt e miqësor, Presidenti Topi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të pasqyruar në këmbimet e vizitave të të gjitha rangjeve. Me këtë rast, Kreu i shtetit u dërgoi përshëndetjet më të ngrohta dhe miqësore Presidentit, Fatmir Sejdiu, Kryeministrit dhe të gjithë autoriteteve më të larta të Kosovës.
Duke shprehur vullnetin për rritjen e nivelit të marrëdhënieve të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat deri tani kanë vijuar të zhvillohen me sukses, Presidenti Topi vlerësoi ecurinë normale të zgjedhjeve lokale në Kosovë, si të parat pas dy viteve të shpalljes së pavarësisë, të organizuara nga vetë institucionet e Kosovës, të cilat konfirmuan pjekurinë dhe vizionin largpamës të udhëheqjes politike dhe tërë shoqërisë kosovare. Në këtë drejtim, Kryetari i shtetit inkurajoi frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim që është evidentuar në marrëdhëniet me pakicat, sidomos me serbët e Kosovës për ndërtimin dhe funksionimin sa më të mirë të një shteti demokratik dhe multietnik me institucione të konsoliduara.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e dy vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, të cilat përbëjnë një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. “Aktualisht ato janë futur në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të tyre dhe kanë një dinamikë të ngjeshur, sidomos përsa i përket përmbushjes së objektivit për liberalizimin e regjimit të vizave, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare-ekonomike.” – theksoi Presidenti Topi.
Gjithashtu, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e frutshëm të deritanishëm, si në fushën ekonomike, të arsimit, shëndetësisë, kulturës, etj, Presidenti Topi nënvizoi vullnetin për rritjen e këmbimeve tregtare midis dy vendeve që do të kenë mundësi më të mëdha pasi të përfundohet plotësisht dhe rruga nga Durrësi në Morinë dhe më pas deri në Prishtinë.
Gjithashtu, Presidenti Topi, duke e vënë theksin tek fakti që “Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme”, e siguroi Kreun e Kuvendit të Kosovës se Shqipëria ka mbështetur fuqishëm dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën politikisht në arenën ndërkombëtare që më shumë vende ta njohin atë, por dhe në forcimin e rritjen e institucioneve të saj, si objektiv thelbësor për konsolidimin e Kosovës si vend i pavarur.
Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi duke falenderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e miqësore, vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të të gjitha institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të pavarësisë, por njëkohësisht vërejti se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të shtetit të ri dhe njohjes në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, z. Krasniqi garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.
Marre nga faqja e Presidentit Topi.
Konferencë e përbashkët për mediat e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe homologut të Kosovës Jakup Krasniqi.
Bashkë me kryetarin jemi shumë optimistë që në të ardhmen, vende të tjera të reja, shumë shpejt do të shtohen në numrin dhe vargun e gjatë të shteteve, që tashmë e kanë njohur Kosovën. Ne vlerësojmë gatishmërinë dhe punën që ka bërë Kuvendi, Qeveria, vet shqiptarët në Kosovë edhe në bashkëpunimin e tyre edhe me Euleksin, edhe me BE, edhe me NATO-n sepse bashkëpunimi për ne shqiptarët me ndërkombëtarët është jashtëzakonisht i rëndësishëm ashtu si e vlerësojmë të rëndësishëm respektimin e Kushtetutës nga Euleksi dhe të ligjeve të Kosovës, dhe institucioneve të Kosovës. Ne mbështesim fort çdo përpjekje të institucioneve të
Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, qeverisë, të politikanëve të tjerë në këto procese sfiduese të Kosovës. Ndërkohë për Shqipërinë është një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, në të cilin ne kemi punë të tjera të mëdha dhe të rëndësishme, me pritshmëri edhe më të mëdha.
E njoftova Kryetaren e Kuvendit për zhvillimet politike që janë duke ndodhur në Kosovë
Jemi të vetëdishëm që Shqipëria në këtë rrugë është shumë përpara Kosovës për shkak se tradita institucionale, demokratike e saj është shumë e vjetër në krahasim me Kosoven dhe ardhjet tona, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe në të gjitha institucionet e saj, është marrje përvojash të reja të rëndësishme për ne.
E përgëzuam Kryetaren e Kuvendit për punën që është bërë dhe po bëhet në Shqipëri.
Natyrisht që jemi të vetëdishëm që dhe demokracia I ka vështirësitë e saj.
Por megjithatë në vende demokratike gjithëka zhvillohet dhe duhet të zhvillohet mbi bazën e një dialogu, mbi bazën e shfrytëzimeve të burimeve demokratike që ka vendi.
Ne presim që së shpejti Shqipëria të bëhet pjesë integrale e BE, presim që dhe më shpejt se kaq, qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në të gjithë Evropën dhe përtej saj
E përgëzuam Kryetaren e Kuvendi për të gjitha sukseset që po arrin Shqipëria, Kuvendi i saj, nën udhëheqjen e Kryetares Jozefina Topalli
Sië e theksova më sipër modeli i marëvdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës është model në rrajon, model i mrekullueshëm në marëdhëniet politike, ekonomike dhe në të gjitha fushat; janë marëdhënie të shkëlqyera unike.
Marre nga faqja e Parlamentit te Shqiperise.
|
Kryeministri Berisha pret Kryetarin e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi
|
|
|
Kryeministri Berisha priti sot Kryetarin e parlamentit të Kosovës, zotin Jakup Krasniqi. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi se tashmë Kosova është shndërruar dhe po konsolidohet përditë në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kryetari i parlamentit Krasniqi e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta, respektin dhe vlerësimin e personaliteteve dhe popullit të Kosovës. Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart kontributin e Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë në vazhdimësi Kosovës, si në procesin e njohjes së pavarësisë, ashtu edhe në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre. Në veçanti, kryeparlamentari Krasniqi shprehu mirënjohjen ndaj Kryeministrit Berisha për kontributin dhe rolin e tij për realizimin e projektit të rrugës së kombit, e cila do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve të ngushta e të gjithanshme dhe integrimin kulturor, por edhe ekonomik të kombit. Në takim u vlerësua ecuria pozitive e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është dhe mbetet e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t’i konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin vëllazëror dhe me interes të ndërsjellë në fushën ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore dhe për heqjen e të gjitha barrierave qofshin këto të karakterit doganor, tatimor etj., duke e kthyer bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë në shembull të marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë dhe bashkëpunimit në rajon dhe duke e shndërruar faktorin shqiptar në element të rëndësishëm promovues për paqen, stabilitetin dhe miqësinë në mbarë rajonin e Europës Juglindore. Në takim u vlerësuan gjithashtu zhvillimet shumë pozitive përsa i përket konsolidimit të demokracisë në Kosovë, siç ishin zgjedhjet e fundit lokale, në veçanti pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje. Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria shqiptare i ofroi komunës së Drashanicës. Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi edhe zhvillimet shumë pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri përsa i përket ecjes përpara të saj në rrugëtimin europian dhe euroatlantik. Kryeministri Berisha vlerësoi reformat e ndërmarra në Kosovë, të cilat përditë e më shumë po konsolidojnë institucionet demokratike në këtë vend, respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe po e shndërrojnë atë në faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke e përgatitur Kosovën për të ardhmen e saj euroatlantike. Në fund të takimi, Kryeministri Berisha i përcolli Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi përshëndetjet e përzemërta. |
