Xhelal NEZIRI

Promotheu ua dha njerëzve zjarrin dhe i bëri më të fuqishëm, kurse njerëzit këto ditë ia shlyen borxhin: i dhuruan brekë për të mbuluar pjesët e turpshme të trupit të tij.

Kjo ngjarje qesharake ndodhi, si zakonisht, në kryeqendrën e Maqedonisë ku është kah përfundimi projekti i quajtur “Shkupi 2014”. Mediat e huaja kanë raportuar me dozë të theksuar ironie për këtë ngjarje, e cila si duket nuk do të jetë e fundit në këtë vend ku ndodh budallallëku që ka legjitimitetin e shumicës.

Që nga fillimi i realizimit, ky projekt qindmilionësh nxiti kureshtjen e opinionit ndërkombëtar nga shkaku se ishin në dijeni për vështirësitë ekonomike të vendit, për nivelin rekord të papunësisë dhe për shkallën e lartë të korrupsionit. Gati çdo muaj pres dhe përcjell kolegë të mi gazetarë nga jashtë, të cilët më lusin t’i shoqëroj dhe t’u caktoj takime me zyrtarë dhe ekspertë, për të deshifruar se si është e mundur që, para syve të qytetarëve të një vendi që gjendet në hartën evropiane, të mbijnë statuja dhe ndërtesa që i përkasin shundit, kiçit apo antivlerës. Reportazhet e tyre kanë nxitur kureshtjen e opinionit ndërkombëtar për të vizituar këtë vend të çudirave dhe për të parë në vepër se deri ku mund të shkojë çmenduria e një pushteti të legjitimuar në zgjedhje. Me këtë projekt, Shkupi vërtetë është shndërruar në një destinacion turistik. Nëse në Greqi turistët dëshirojnë të shohin objektet historike që simbolizojnë djepin e demokracisë dhe politikës, në Itali djepin e së drejtës botërore, në Berlin simbolin e luftës së ftohtë, në Stamboll qendrën e dikurshme që sundonte Botën, atëherë Maqedonia u shfaqet si një ofertë atraktive turistike për të vizituar objekte që pasqyrojnë çmendurinë kolektive të një populli të tërë.

Ajo që është pozitive në këtë drejtim është fakti se askush më nuk provokohet nga këto statuja. Qeshin shtetet fqinje, qeshim edhe ne. Me rastin e vendosjes së shtatores së Filipit të Dytë, në rrjetet sociale u paraqit nisma për një protestë nga shkaku, për dallim nga Aleksandri në shesh, ky ishte pa kalë. Bile, ia kishte kthyer shpinën pjesës shqiptare të Shkupit, që u pranua si një gjest ofendues i Filipit. Disa organizata feministe paralajmëruan protesta të kërkojnë të vendoset edhe Oplimpia, e shoqja e Filipit dhe e ëma e Aleksandrit, pa marrë parasysh nëse do të jetë lakuriq apo me pantallona.

Për vendosjen e Promotheut nuk reagoi Greqia pasi UNESCO-ja e ka shpallur këtë figurë mitologjike “pronë të njerëzimit”. Por, për çudi “reagoi” Bullgaria nëpërmjet drejtorit të muzeut kombëtar Bozhidar Dimitrov. “Poshtë brekët e Promotheut”, tha ai për mediat në Sofje. “Me hidhërimin më të madh mësova për një goditje serioze mbi identitetin e lashtë kombëtar maqedonas nga persona të paskrupullt që kishin vendosur një statujë të heroit të lashtë maqedonas – Prometeut, të cilit i kishin veshur brekë. Heronjtë e lashtë, duke përfshirë edhe ato maqedonas, janë përshkruar lakuriq. Pra, duke u veshur atyre pantallona prej bronzi bëhet një shkelje serioze mbi identitetin kombëtar maqedonas. Ashtu si miqtë dhe fqinjët e Maqedonisë, ne besojmë se kjo nuk është normale – identiteti maqedonas të jetë i veshur me pantallona. Maqedonasit, siç dihet, kanë shkuar gjithmonë pa brekë, andaj për fat të keq është subjekt i sulmeve të shpeshta mbi nderin kombëtar lashtë maqedonas. Prandaj ata kanë krijuar dhe Ligjin e parë në botë për mbrojtjen e nderit kombëtar të Maqedonisë, në të cilin shumë bullgarë ishin të dënuar pas vitit 1945. Prandaj unë propozoj – pantallonat e Prometeut të ulen poshtë”, tha Dimitrov, duke ironizuar projektin e qeverisë tonë legjitime. Ai kërkoi që të mos përsëritet gabimi si në rastin me luanët në urën “Goce Delçev” në Shkup, ku problemi u zgjodh me atë që ua hoqën organet e tyre gjenitale. Dimitrov shpreson se “shqiptarët nuk do të ndjekin shembullin e maqedonasve me atë që do ta linin lakuriq edhe Skënderbeun në komunën e Çairit”.

Nëse këtë projekt e shohim nga këndvështrimi i brendshëm, nuk duket edhe aq komik dhe për të qeshur. Përkundrazi, të gjithë do ta paguajmë shtrenjtë legjitimimin e vazhdimit të realizimit të tij.

Ky projekt ka rritur borxhin e jashtëm të shtetit nga 3 në 6 miliardë euro, ka bllokuar vendin në rrugën integruese për në BE dhe NATO dhe ka mbyllur perspektivat e rinisë për një të ardhme më të mirë. E gjithë kjo po ndodh me bekimin apo legjitimitetin e shumicës së votuesve të Maqedonisë.

Në prizmin ndëretnik kjo përbën një problem serioz dhe të rrezikshëm për stabilitetin e vendit. Të rrezikshëm nga shkaku se i tërë ky cirk bëhet edhe me paratë e shqiptarëve, shumica e të cilëve nuk pajtohen që me taksat që paguajnë të hidhen në bronz organet gjenitale të luanëve dhe “heronjve të lashtë maqedonas”, e që më pastaj të njëjtat t’u hiqen apo t’u mbulohen me brekë. Shqiptarët kanë më shumë nevojë për rrugë pa gropa, për ujësjellës, për shkolla dhe spitale me kushte normale, për infrastrukturë rrugore që do të intensifikonte lidhjen me Tiranën dhe Prishtinën, për më shumë subvencione në kulturë. Më konkretisht, shqiptarët kanë nevojë për ujë të pijshëm në Tetovë dhe në disa komuna rurale, rrugë të mira njëlloj si në komunat Gjorçe Petrov, Qendër, Aerdrom…të Shkupit, objekt Teatri në Tetovë, për Rrugën e Arbrit që lidh Shkupin me Tiranën, për autostradën Shkup-Bllacë që lidh vendin me Kosovën, për shndërrimin e livadhit afër Tetovës në Zonë të lirë ekonomike, njëlloj si Bunarxhiku apo katër zonat tjera në Maqedoninë lindore…Nëse i tërë ky projekt tejkalon shumën prej 200 milionë eurosh, atëherë së paku një e treta e kësaj llogarie është paguar nga shqiptarët. Nëse një kilometër autostradë me tetë korsi kushton 600 mijë euro, atëherë me këto mjete do të ishin ndërtuar afër 340 kilometra rrugë. Apo, nëse ujësjellësi i Tetovës kushton 2 milion euro, me këto mjete do të ishin ndërtuar 100 prej tyre.

Derisa kostoja e projektit “Shkupi 2014” vazhdon të rritet, shqiptarët vazhdojnë të participojnë me legjitimitet në realizimin e tij, në pagesën e faturës në dëm të standardit të jetës së tyre