Porosia e një ankete politike
Agim Selimi/SHBA
Para disa ditëve,Instituti Ndërkombëtar Republikan , “i besueshmi” instituti amerikan, zhvilloi një anketë me qytetarët e Maqedonisë dhe rezultati i tyre menjëherë si rrufe i vërshoi mjetet e komunikimit atje duke shpallur rezultatet e saj.
Sipas kësaj ankete, rejting më të lartë vazhdojnë të kenë partitë politike që përbëjnë qeverinë e tashme dhe liderët e tyre politikë. Duke u bazuar në rezultatet e kësaj ankete po konkludohet se partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski te maqedonët dhe partia BDI e Ali Ahmetit te shqiptarët, sikur zgjedhjet të mbaheshin tash, do të fitonin shumicën e vendeve në Parlament.Kjo informatë lëshohet në qarkullim dhe tash qytetarët në Maqedoni e komentojnë dhe e interpretojnë atë në mënyra të ndryshme. Përderisa disa janë të kënaqur me rezultatet e anketës,disa të tjerë janë të dëshpëruar dhe vazhdimisht pyesin se si mund të ndodhë kjo kur për çdo ditë në mjetet e komunikimit atje flitet për një qeverisje të dobët, e cila ka dështuar në shumë fusha, si në planin e politikës së jashtme, ashtu edhe në zhvillimet e brendshme politike, si në rrafshin demokratik ashtu edhe në atë ndëretnik.
Qytetarët e rëndomtë i pranojnë këto rezultate dhe këto informata si të tilla dhe zakonisht nuk kërkojnë të kenë më shumë njohuri për ato.
Mendoj se do të ishte një punë e dobishme dhe me interes për qytetarin e rëndomtë që të zbërthehet e zbulohet e gjithë kjo ndërmarrje e anketimit të qytetarëve. Së pari, shtrohet pyetja se kush i porosit këto anketa? Kush i realizon ato? Kujt i dedikohen dhe ç’është qëllimi?
Nuk ka dyshim se këtë punë e bëjnë njerëz të specializuar në këtë veprimtari të afërt me VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Nikolla Gruevski (dhe këtu mund të jenë të përfshirë edhe specialistë për veprime psikologjike). Për ta realizuar atë, sipas këtyre specialistëve, duhet të gjendet një organizatë e besueshme dhe të mos jetë nga Maqedonia, por të jetë nga një shtet i huaj, mundësisht nga SHBA-të, që kredibiliteti të jetë sa më i madh ose së paku, për nga emërtimi të përngjajë sikur është nga SHBA-të.
Kjo porosi e prejardhjes se anketuesit patjetër duhet të jetë e pranishme në tekstin që u shpërndahet mjeteve të informimit. Pse? Sepse prania e mbiemrit “amerikan” në atë sintagmë bartë porosi shumë të rëndësishme.
Kjo informatë dhe këto rezultate pastaj shpërndahen në popull nëpërmjet mjeteve të informimit. Mirëpo, edhe kjo shpërndarje duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, sepse edhe faktori kohë është i rëndësishëm, dhe t’i përfshije te gjitha mjetet e informimit, si ato audiovizuale ashtu edhe ato të shkruara, duke shfrytëzuar maksimalisht përparësitë teknologjike të rrjetit të internetit dhe grupimeve të ndryshme shoqërore atje.
Anketuesit e njohin shumë mirë psikologjinë e popullatës së cilës i dedikohen këto informata. Ata e dijnë se pjesa dërrmuese do t’i besojë këto rezultate dhe nuk do të interesohet që të marrë informata shtesë lidhur me pyetjet e anketës dhe ndërtimin e tyre sintaksor. Këtu, realisht dhe qëllimisht, nuk janë në pyetje shumë numrat ose përqindja, nuk është në pyetje se cili lider apo cila parti do të ketë rejtingun më të lartë ose kush gëzon më shumë besimin e qytetarëve.
Këtu kemi të bëjmë me një veprimtari psikologjike dhe qëllimi kryesor është të krijohet, formohet, ndërtohet një opinion i kontrolluar në popull nga ata që kanë porositur anketën. Qëllimi është që qytetari të fillojë të mendojë dhe të veprojë ashtu siç kanë ata nevojë. Kështu, pastaj, ai mund të manipulohet shumë më lehtë. Eventualisht, nëse mbahen edhe zgjedhje, edhe ato të manipulohen dhe vota “e lire” e qytetarit të vidhet kurse ai t’i besojë rezultatet e tyre dhe të mos i kontestojë, sepse ashtu është ndërtuar opinioni i tij. Atë më nuk e ndërton ai vetë në mënyrë të pavarur por ia krijojnë ata nëpërmjet këtyre anketave.
Në kohën e sotme është shumë me rëndësi për një shoqëri që qytetari të informohet drejt, me kohë dhe nga më shumë se një burim që të mund të ndërtojë një qëndrim dhe opinion të vetin të drejtë për një çështje. Në vendet me zhvillim të ulët, ku arsimi shkollor nuk është në nivelin e shteteve të botës përparimtare, me opinionin e qytetarëve mund të manipulohet edhe më lehtë dhe ai mund të bijë edhe viktimë e dezinformatave nga këto lloj veprimesh psikologjike.
Raste dhe shembuj të kësaj natyre ka gati çdokund sot në botë. Këtu në SHBA për shembull, kur para disa vitesh zhvillohej fushata për zgjedhje preliminare në kuadër të Partisë Republikane ndërmjet George W. Bush dhe John McCain, u zhvillua një anketë.
Mirëpo, rezultati i sajë nuk ishte në favor të Bushit. Kështu që vetëm pas disa ditëve, strategu për zgjedhje i kampit të Bushit, Karl Rove për të ndryshuar opinionin e qytetarëve, porositi një anketë të re dhe një pyetje kyçe e ndërton kështu përafërsisht: Sikur ta kishit ditur që McCain ka një fëmijë të zi, jashtë martese, a do të kishit votuar për të?
Shumica e të anketuarve u përgjigjen me “jo” dhe u arrit qëllimi i anketës, sepse kështu edhe e patë paramenduar K.Rove dhe në fund zgjedhjet i fiton Bush.
Në të vërtetë, fëmija i zi ,i cili e patë shoqëruar McCain gjatë fushatës zgjedhore, ka qenë fëmijë i zi i adoptuar nga ai, por jo edhe i lindur nga ndonjë marrëdhënie e tij jashtëmartesore. Qëllimi këtu ka qenë që të komprometohej oponenti me një veprim psikologjik i cili përbën edhe të vërtetë. E vërteta është se fëmija ka qenë i zi, jashtë martese dhe e ka shoqëruar atë gjatë fushatës zgjedhore. Më shumë se kaq askujt nuk i interesonte të dinte. Në këtë rast,të anketuarit kanë menduar se John McCain ishte prindi i fëmijës.
Shembuj të këtillë ka jo vetëm në jetën e përditshme politike por edhe në atë ekonomike, tregtare, kulturore, etj. Duhet të reflektojmë gjithnjë, a thua vallë, pse Qeveria ka një zëdhënës, pse filan ministri ka një zëdhënës, pse filan agjencion ka një zyrtar për marrëdhënie me publikun? Ata janë aty për të shitur prodhimin e vetë dhe për të ndikuar në ndërtimin e opinionit të publikut.
Për këto arsye duhet të jemi të kujdesshëm se si i analizojmë rezultatet e këtyre anketave dhe informatave të ndryshme që na shërbehen për çdo ditë pandërprerë