Policia po pengon protestën e 10 Majit
Këshilli i Organizatave Shqiptare në Maqedoni thotë se po vazhdon me aktivitetet për organizimin dhe mbarëvajtjen e protestës së 10 Majit. Mirëpo ata ankohen se protesta paqesore me moton “Për Drejtësi”, po pengohet nga policia maqedonase.
“Anëtarë të Këshillit janë mbajtur nga policia disa orë rradhazi pa pasnjë arsyetim” , thuhet në njoftimit e Këshillit të Organizatave Shqiptare, të cilët paralajmëruan se nesër në një konferencë për shtyp do të japin informata shtese rreth këtij rasti.
Nga Këshilli i organizatave shqiptare në Maqedoni, thonë se protesta gjithëpopullore e cila do të mbahet më 10 maj në Shkup, është kundër diskriminimit të hapur shtetëror ndaj popullatës shqiptare. Qëllimi i organizimit të protestës sipas organizatorëve është që të kërkohet:
1. Ndërprerja e menjëhershme e proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimi i personave të dënuar në procese të tilla si në rastet e Sopotit, Brodecit dhe Rastet e Hagës.
2. Ndërprerja e menjëhershme e politikave diskriminuese në baza etnike dhe fetare në ekonomi, arsim dhe kulturë siç bëhet me projektin Shkupi 2014, me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, me ndarjen e buxhetit si dhe me përdorimin e simboleve kombëtare.
Këshilli i Organizatave Shqiptare i fton të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre, të na bashkangjiten në këtë protestë me 10 Maj. Për detajet tjera të protestës do t’ju informojmë një një konferencë tjetër. (INA)