Policia hyn në Lazarat
Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne Policia e Shtetit është duke u përballur me një operacion të vështirë në fshatin Lazarat, ku ndërhyrja për asgjësimin e lëndës narkotike hashash, dhe kapjen e personave me precedent penalë, ka hasur në rezistencën e një grupi trafikantësh me në krye Gate Mahmutaj të cilët kanë hapur zjarr ndaj policisë.
Në terren ndodhen 500 forca policie, pёrkatёsisht blutë e Qarkut Gjirokastër tё mbёshtetura dhe nga forcat speciale RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes sё Shpejtë, ndërsa operacioni drejtohet nga kreu i Policisë Artan Didi.
Nё drejtim tё forcave pjesёmarrёse nё operacion prej mbrёmjes sё djeshme po vijon tё qёllohet me armё zjarri nga nje grup prej 26 trafikantësh, duke pёrdorur dhe armё tё rёnda si antitank, mitroloz i rёndё e i lehtё, mortaja etj. Policia ka arritur të futet në banesën e Mahmutajt nga ku po qëllonin trafikantët, duke gjetur armë dhe drogë, ndërsa mësohet se ata janë tërhequr duke u strehuar në një banesë tjetër dhe duke ngushtuar kështu rrezen e kërkimit.
Me anë të një njoftimi policia ka njoftuar të gjithë banorët e fshatit të Lazaratit të distancohen nga kriminelët si dhe të qëndrojnë në banesat e tyre. Po ashtu policia i bën thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë të evitojnë hyrjet në Lazarat.
Ndërkohë Kryetari i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko ka shkuar në banesën e Mahmutajt për të negociuar me ta për tu vetëdorëzuar, ose në të kundërt do të ketë masa drastike nga policia.
“Jam në takim me njerëzit bashkë me Kryepleqtë e fshatrave. Qëllimi i këtij takmi është të shmangim ndërhyrjen e armatosur të policisë. Pas takimit do të jap më shumë detaje. Prioritet për ne është të bindim banorët të mos qëllojnë.” shprehet Aliko
Ndërkaq me anë të një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se aktualisht në Lazarat vazhdon shkëmbimi i zjarrit nga personat e lokalizuar të drejtuar nga Razip Mahmutaj, i njohur ndryshe edhe si Gate Mahmutaj. Sipas policisë, Mahmutaj është arrestuar kohë më parë dhe është dënuar me 22 vite burgim, por një dekret i Presidentit Alfred Moisiu në vitin 2006 i ka dhënë atij lirinë me anë të faljes. Mahmutaj ishte në listën prej 62 personave që përfituan falje nga Presidenti, ku një pjese e mirë e të burgosurve u janë falur nga tre, dy ose një vit burg nga dënimet që u janë dhënë.
Një ditë më parë nga këta persona dyshohet se është qëlluar dhe ka mbetur i plagosur një 45-vjeçar nga fshati Lazarat, ndërsa prej 48 orësh operacioni vazhdon pa ndërprerje.
Ndërsa të kontaktuar nga “A1 Report” drejtues të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se operacioni nuk do të ndërpritet dhe do të vazhdojë deri në arrestimin e këtij grupi kriminal, paçka kundërshtisë së tyre duke qëlluar mbi blutë.
Mahmutaj: S’kam lidhje me ngjarjen, isha me bagëti
Mashtrime i ka quajtur, Razip Mahmutaj akuzat si kryesuesi igrupit kriminal që qëlloi më armë ndaj policisë dhe grupit të xhirimit të televizionit A1 REPORT. Në një lidhje telefonike për redaksinë tonë, Mahmutaj thotë se nuk ka lidhje me këtë ngjarje dhe se në momentin e përplasjeve me armë ka qëne duke kullotur bagëtinë.
“Ju betohem për kokë të familjes që nuk di fare në lidhje me këtë ngjarje. Di vetëm që më kanë akuzuar mua sikur kam krijuar një grup kriminal, por janë të gjitha mashtrime. Nuk kam qëlluar asnjë, kam qenë në punën time me bagëti. Tani jam në një fshat dhe nuk kam lidhje me këtë ngjarje. Për trafikantët nuk e di, por unë nuk kam përdorur kurrë armë dhe nuk kam fare armë. Unë nuk jam dorëzuar sepse nuk më ka ardhur asnjë thirrje. Unë kam qenë me bagëtinë dhe kanë ardhur fëmijët që më kanë vënë në dijeni për këtë”.
Ai thotë se përpara se të përfitonte nga aministia është mbajtur në qeli pa të drejtë dhe falenderon ish-presidentin Moisiu, i cili ka firmosur dhe dekretin e aministisë në vitin 2009.
“Po, më ka liruar Moisiu, por e falenderoj që më ka liruar sepse më shpëtoi jetën. Se kush i ka kërkuar që të më lirojë nuk e di se kam qenë brenda, sepse më kanë mbajtur kot”, – tha Mahmutaj në një lidhje telefonike për A1 REPORT.
Prençi: S’ka negociata me kriminelët, policia të marrë kontrollin
Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi në lidhje telefonike për A1 Report ka folur rreth operacionit të policisë në Lazarat duke folur nëse do të ketë apo jo negociata me trafikantët e bllokuar në Lazarat ai u shpreh se nuk duhet lejuar askush të qëllojë mbi policinë
“Nuk mund të qajnë nënat e policëve. Këtë fakt duhet ta kenë njerëz të tjerë. Nuk do lejohet askush të qëllojë mbi policinë.” shprehet Prençi
Gjatë lidhjes telefonike Prençi ka deklaruar se personalisht është kundër negociatave me ta duke theksuar se “negociatat do ta bëjnë vetëm negociatorët e grupeve speciale pasi kemi te bëjmë me kundërvajtje ndaj forcave të policisë.”
Drejtori i Emergjencave Civile, Prençi ka folur edhe për sulmin që është kryer ndaj stafit të A1 Report, duke thënë: “Grupet kriminale e kane mbajtur te izoluar atë fshat dhe tani që janë në momentet e tyre te fundit, tentojnë të hakmerren edhe ndaj mediave”
Lidhur me operacionin, Prençi saktësoi se territori i Lazaratit është patrulluar edhe më parë nga Toka dhe nga ajri, por prej 10 vitesh nuk është operuar në këtë mënyrë.
Policia: Banorë distancohuni nga kriminelët, mos dilni nga banesa
Prej dy ditësh Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion të gjerë në zonën e Lazaratit në Gjirokastër ndaj disa personave të armatosur të cilët kanë qëlluar me armë ndaj uniformave blu. Në kuadër të këtij aksioni, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të distancohen nga elementët kriminalë që janë duke u konfrontuar me armë me policinë dhe për arsye sigurie, të evitojnë daljen nga banesat e tyre. Të gjithë qytetarët e tjerë, të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë.
Personat, emrat e të cilëve janë listuar nga policia si të dyshuar për goditjen me armë ndaj forcave të policisë dhe që pretendojnë se nuk kanë lidhje me këtë ngjarje, të drejtohen në Komisariatin me të afërt për të dhënë dëshmitë dhe sqarimet e tyre.
Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor. Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gadishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo kohë, të gjithë qytetarëve që do të kenë nevojë.
Banorët e Lazaratit: Kriminelët para drejtësisë, nuk kanë lidhje me banorët
Një nga banorët e fshatit të Lazaratit Qazo Dalani, duke folur për A1 Report, tha se edhe pse situata është e rënduar ndërsa theksoi se grupi i trafikantëve që ka qëlluar ndaj policisë është strehuar në Lazarat dhe se nuk kanë lidhje me vetë banorët e fshatit.
Ai theksoi ndër të tjera se policia po qëndron korrekte dhe se kërkon që kjo maskaradë siç e cilësoi ai të marrë fund.
“Situata mbetet e tensionuar në fshatin tonë, dhe aq më keq këtu ka persona në kërkim që strehohen këtu. Deri tani që po flasim, policia ka qëndruar korrekte, dhe ne duam që kjo maskaradë të marrë fund siç i ka lezet një populli Evropian. Këta të strehuar kriminelë përfitojnë nga populli ynë i thjeshtë dhe që nuk kanë asnjë lidhje me veprat e tyre kriminale. Po ka të shtëna armësh, por policia është sjellë mjaft mirë. I bëj thirrje edhe një herë që kjo maskaradë të marrë fund dhe ky grup mercenarësh të vihet para drejtësisë.” shprehet Qazo Dalani një nga banorët e Lazaratit
Policia futet në banesën e Mahmutajt, ngushtohet rrezja e kërkimit
Forcat e policisë kanë arritur të futën në kapanonin e shtëpisë së Gate Mahmutajt nga ku 26 trafikantët e armatosur rëndë po qëllonin në drejtim të forcave blu. Mësohet se trafikantët kanë arritur të largohen nga banesa e Mahmutajt duke u zhvendosur në një banesë tjetër.
Ndërkaq policia ka arritur të zbulojë në këtë banesë drogë dhe municione, ndërsa banesa është vënë nën kontrollin e policisë duke zvogëluar rrezen kërkimit për 26 trafikantët. Ndërkaq po vijon puna për kapjen e trafikantëve.
Dasho Aliko negocion me Mahmutajn e trafikantët
Kryetari i Komunës Dasho Aliko është futur në banesën e Razip Mahmutajt në tentativën për të negociuar me ta për të ndaluar sulmin dhe të shtënat e tyre drejt policisë.
Mësohet se kryekomunari Aliko është në banesën e Mahmutajt dhe kërkon të bindë 30 trafikantët dhe vetë Mahmutajn të dorëzohet dhe të ndalë sulmet ndaj efektivëve blu, në të kundërt sipas policisë ndaj tyre do të ketë masa drastike.
Kryetari i Komunës Lazarat Dasho Aliko tha për A1 Report se është në një takim me banorët e Lazaratit dhe Kryepleqtë e fshatrave për të shmangur ndërhyrjen e amratosur të policisë.
“Jam në takim me njerëzit bashkë me Kryepleqtë e fshatrave. Qëllimi i këtij takmi është të shmangim ndërhyrjen e armatosur të policisë. Pas takimit do të jap më shumë detaje. Prioritet për ne është të bindim banorët të mos qëllojnë.” shprehet Aliko
Ndërkohë 26 personat të drejtuar nga Razip Mahmutaj janë të armatosur rëndë dhe me kapuçë për të mos u identifikuar nga snajperat. Që prej nisjes së aksionit të policisë në fshatin e Lazaratit ata i janë kundërpërgjigjur me të shtëna armësh nga banesa e Mahmutajt ku ndodhen të strehuar.