image Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë ditës së enjte në fshatin Begracë në afërsi të Kaçanikut, ka arrestuar dy persona të cilët drejtonin një veturë që transportonte një sasi municioni.
Njësitet hetimore të stacionit policor të Kaçanikut me leje të Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, kanë kryer një kontroll në shtëpitë e dy të dyshuarve, shtetas të Kosovës, ku kanë zbuluar një bunker të improvizuar në të cilin gjendej një sasi e konsiderueshme e armatimit. Gjatë realizimit të këtij operacioni policor, janë arrestuar gjithsej 7 persona të dyshuar ku shumica prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa njëri është shqiptar me shtetësi serbe.
“Më datën 29 të këtij muaji, një njësi patrulluese e stacioni policor në Kaçanik gjatë një kontrolli rutinor ka ndal një automjet në të cilin ndodheshin dy persona, ku policia ka zbuluar një sasi të konsiderueshme të municionit për pushkë M48… Njësitet hetimore të stacionit policor të Kaçanikut kanë marr leje nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë me ç’rast është kryer një kontroll shtëpitë e personave të dyshuar dhe janë zbuluar në një bunker të improvizuar edhe sasi të municioneve dhe armatimit”, deklaroi Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Beka konfirmoi se nga Shkupi është dërguar një kërkesë për bashkëpunim pasi policia e Kosovës arrestoi 7 personat në afërsi të Kaçanikut, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin në brezin kufitar në mes Maqedonisë dhe Kosovës në afërsi të Bllacës.
“Sot Policia e Kosovës ka pranuar një kërkesë për informata si dhe të dhëna për personat e dyshuar që mund të ndërlidhen me incidentin i cili ka ndodhur në afërsi të kufirit me Republikën e Maqedonisë do të thotë që kanë ndodhur në pjesën e territorit të Maqedonisë. Krahas kërkesës, aty përfshihen edhe informatat dhe të dhëna për incidentin i cili ka ndodhur më datën 29. Policia e Kosovës do ta shqyrtoj këtë kërkesë dhe do të shqyrtojë për mënyrat e bashkëpunimit”, shtoi Beka.
Arrestimet dhe aksionet në Kosovë, erdhën pas operacioneve policore maqedonase në zonën e Bllacës ku u dje kap një sasi e konsiderueshme armatimi dhe pati përleshje mes forcave të rendit dhe personave të armatosur që ruanin municionin, që dyshohet se janë larguar në drejtim të Kosovës.