Përveç laptopëve, duan internet dhe telefona
Driton ZENKUGostivar- Për veç propozim vendimit për furnizim me kompjuterë personal të këshilltarëve komunal në Gostivar, në seancën e 12 me radhë lindi edhe ideja që atyre tu mbulohen edhe shpenzimet e telefonit dhe internetit. Propozimi erdhi nga këshilltari i PDSH-së Zeni Bilalli, i cili idenë e tij e ka mbështetur në praktikën e Komunës së Tetovës, por edhe komunave të tjera, duke propozuar që këshilltarëve komunal t’ju sigurohet edhe rrjeti i internetit si dhe 2000 denarë shtesë për harxhimet e telefonit. Por propozimi i këshilltarit të PDSH-së do të shqyrtohet nga organet komunale, ndërkaq propozim vendimi për furnizim me kompjuterë personal të këshilltarëve komunal u miratua njëzëri nga ana e këshilltarëve. Këshilltarët komunal miratuan edhe propozim vendimin për përcaktim të projekteve investuese me rëndësi në Komunën e Gostivarit për vitin 2010, ndërkohë që mbështetje mori edhe propozim vendimi për miratimin e furnizimit me mjete themelore në vitin 2010 që nënkupton blerjen e një veture të re zyrtare për kryetarin e komunës.
Dritë të gjelbër mori edhe propozim vendimi për ndryshim të vendimit për lartësinë e taksave komunale në rajonin ? Komunës së Gostivarit që ndërlidhet me pagesën vjetore të pronarëve të automjeteve për shfrytëzim të rrugëve publike. Me këtë propozim reduktohet çmimi i taksës komunale.
Dy pika të rendit të ditës kishin të bëjnë me ndryshim dhe plotësime të komisioneve amë që funksionojnë në kuadër të këshillit komunal, edhe atë propozim vendimi për ndryshim dhe plotësim të vendimit për formimin e Komisioni për punë juridiko normative si dhe propozim vendimi për shkarkim edhe emërim të anëtarëve të komisionit për përcaktimin e vlerës tregtare të pronës së patundshme të tatimit në pronë, trashëgimi dhe dhuratë.
Këshilltarët miratuan edhe propozim vendimin për anulim të pjesshëm të vendimit për kompensim në të holla të punësuarve në administratë dhe Anëtarëve të Këshillit të Komunës së Gostivarit.
Gjashtë pikat e para të rendit të ditës e që morën bekimin e këshilltarëve kishin të bëjnë me miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të propozim planit Detal urbanistik në më tepër pjesë urbane të qytetit por edhe vendbanimeve rurale.
Pika plotësuese e rendit të ditës ishte propozim vendimi për huazim të mjeteve financiare nga Banka Botërore e që do t’i adresohet pushtetit qendror për miratim.