Pozita e shqiptarëve në polici, diskriminimi që u bëhet atyre gjatë avancimeve në poste drejtuese në këtë dikaster, dhe pamundësia e funksionarëve shqiptarë për të përmirësuar këtë pozitë në polici dhe sektorë tjerë, kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha në partinë e Ahmetit.

Publikisht nga kjo parti nuk flasin por shprenin pakënaqësinë nga pozita e pavolitshme dhe mungesa e fuqisë për tu përballur me partnerin e tyre në qeveri VMRO-DPMNE-në. Por ai i cili i pari reagoi për pozitën nënçmuese të shqiptarëve në polici ishte Xhevat Ademi, në mbledhjen e Komitetit për marrëdhënie midis bashkësive më 9 mars edhe atë para ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe zv/ ministrit Xhelal Bajrami.“Kemi ngecje në përfshirjen e kuadrove komanduese shqiptare në strukturat e MPB-së në Shkup. Mbi 40 e ca institucione drejtuese komanduese në Sektorin për Punë të Brendshme të Shkupit janë pa asnjë shqiptar. Sot komunikova me eprorë dhe bartës përgjegjësish në MPB dhe më thanë se në sektorin e Shkupit kemi problem serioz. Në shërbimin e ‘Centralni policiski sluzhbi’, asnjë shqiptar dhe si do arrijmë ta kthejmë besimin e qytetarit në këtë fenomen. Prandaj i drejtohem drejtpërdrejtë ministres së Punëve të Brendshme dhe zv/ ministrit të Punëve të Brendshme, parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nuk është vetëm tek numri, por është edhe tek hierarkia, edhe tek struktura komanduese, fatmirësisht profesionist të mirë kemi, të trajnuar e shkolluar, të dëshmuar në luftën e tyre kundër krimit”, deklaroi kohë më parë Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.Alsat M për dy javë ka ngritur çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkup. Edhe përkundër paralajmërimeve të zv/ ministrit të brendshëm Xhelal Bajrami se kjo çështje do të rregullohet, situata vazhdon të mbetet status quo. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi dje konfirmoi se kanë pasur takime me partnerët e koalicionit por mohoi të ketë mosmarrëveshje. Por as këto takime deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat në tejkalimin e situatës sa i përket marrjes së posteve drejtuese në SPB-në e Shkupit. Ndërkohë Ministrja e Brendshme Jankullovska doli në mbrojtje të kryeshefit të SPB-së së Shkupit, Apostol Stojanovski të cilin Xhelal Bajrami, zëvendësi i Jankullovskës e apostrofon si shkaktarin e anashkalimit të kuadrit shqiptar