PDSH: Strugën po e merr lumi
“Jeni dëshmitar të inskenimeve që përditë po bëhen në një komunë jo më larg se 15 km nga komuna jonë. Jeni dëshmitar të tubimeve “spontane” të qytetarëve të Ohrit, të organizuar nga VMRO-DPMNE, jeni dëshmitar të talljes dhe nënçmimit që ju bëhet Ju nga ana e kryetarit të komunës z. Ramiz Merko”-, deklaroi Ziadin Sela kryetari i Degës së PDSH-së në Strugë.
Dega e PDSH-së në Strugë, vlerëson se kapacitetet e Qeverisë, e sidomos e BDI-së në nivel qendror dhe lokal dhe kryetarit të komunës janë më se të qarta, në kohën kur po bëhet hataja dhe gjithë vëmendja është përqendruar në Ohër, Strugën po e merr lumi. Dega e PDSH-së, në vazhdim të reagimit shton se qytetarët e Strugës janë lënë në mëshirën e fatit duke u munduar të shpëtojnë ate pak pasuri që e kanë krijuar me djersën e ballit, me mall ndaj fëmijëve duke u syrgjynosur rrugëve të kurbetit. Rrezikojnë tu prishen shtëpitë, po u përmbytet toka, po u mbyten bagëtitë, ndërsa janë vënë 20 thasë me rërë përreth Drinit, për të bërë përllogaritje mijëra euro-thuhet më tej në këtë reagim.
“Këshilltarët e PDSH-së, janë drejtuar me shkrim kryesuesit të Këshillit të komunës dhe kryetarit të komunës së Strugës që më datë 03.03.2010, për konvokimin e një séance të jashtëzakonshme të Këshillit lidhur me situatën e krijuar rreth përmbytjeve në Strugë, për të ndërmarrë masat e prevenimit dhe tejkalimit të situatës së krijuar. Megjithate, edhe pas 11 ditëve nuk kemi marë përgjigje. Ndërkaq, për datën 15 mars, është konvokuar seancë e rregullt, ku nuk është përfshirë propozimi i këshilltarëve të PDSH-së dhe nuk është vlerësuar si e arsyeshme të debatohet për këtë pikë të rendit të ditës lidhur me përmbytjet.
Dega e PDSH-së, në vazhdim të reagimit thekson:” Neni 24 i Statutit të komunës së Strugës parasheh “Konvokimin e seancës së jashtëzakonshme mund të behët për çështje që janë me rëndësi për sigurinë e qytetarëve, çështje të cilat janë të krijuara në rrethana të jashtëzakonshme (zjarre, përmbytje, tërmete dhe të ngjashme. E keni për obligim ta bënë këtë vet, ndërsa ju nuk e bëni këtë edhe pse ka një inisiativë nga ana e grupit të këshilltarëve të PDSH-së”.
Nga ana tjetër, kur është fjala për rebalancë të buxhetit dhe vjedhje të parave të qytetarëve, shkelni Stautin e komunës dhe konvokoni seancë të jashtëzakonshme, ndërsa nuk konvokoni seancë të jashtëzakonshme kur kjo është e nevojshme dhe e paraparë me rregullore.
Jemi koshient se përgjigja e juaj është se kjo është fatkeqësi natyrore, por kjo nënkupton krijimin e shtabit të emergjencës dhe dëmshpërblimin e qytetarëve, sepse kur ka para për Shkupin 2014, pse të mos ket edhe për Strugën e përmbytur 2010- përfundon reagimi i Degës së PDSH-së në Strugë, paraqitur nga kryetari i Degës, Ziadin Sela.
Mehmet Latifi/INA