Pasuria, familja Berisha sfidon edhe sheikët e naftës
Trajektorja 23-vjeçare e pasurimit të familjes së Sali Berishës lë me gojë hapur edhe sheikët e naftës. Gazeta “Sot” bën një analizë të trajektores ekonomike të familjes Berisha në 23 vitet e fundit.Nga një apartament modest dhomë e kuzhinë që kishte në Tiranë në vitin 1991, 22 vjet më vonë, familja Berisha posedon një pasuri me vlerë qindra miliona euro. Pa asnjë biznes të deklaruar zyrtarisht, Sali Berisha, Argita dhe Shkëlzeni kanë në pronësi dhjetëra apartamente në Tiranë, zyra superluksoze në zonat më të rëndësishme të kryeqytetit, kompleks vilash në Farkë, dhjetëra llogari bankare, vila në Gjirin e Lalzit, vila në bregdetin e Jugut, prona të pafundme dhe shumë pasuri të tjera të patundshme të padeklaruara. Por, pasuri të tjera të dyshimta po dalin në pah. Bëhet fjalë për zyrat e reja luksoze të Shkëlzenit, Berishës dhe Argitës.
Fëmijët e ish-kryeministrit, por edhe vetë ai, kanë zyra në zonat më te shtrenjta të Tiranës. I biri, Shkëlzeni, ka dy kate në pallatin pranë Liqenit Artificial dhe parkut. Aty janë vendosur zyrat që frekuentohen nga njerëz të biznesit. Zyrat e reja të Shkëlzenit kanë një sipërfaqe qindra metra katrorë dhe vetëm qiraja mujore për këtë sipërfaqe e tejkalon disa herë pagën e deputetit Berisha.
Vetë Berisha, pas largimit nga pushteti, u zhvendos në kullën më të shtrenjtë të Tiranës. Nuk dihet nëse ai i ka blerë zyrat, i ka marrë me qira apo ia kanë bërë dhuratë, por paga mujore e deklaruar nga Sali Berisha nuk mjafton për të paguar qiranë për zyrat perandorake.
Ndërsa vajza e tij, Argita, e njohur ndryshe në rrethet politike si “zonja 3 milionë euro”, për shkak të tarifave të saj për biznesmenët që synonin të investonin në Shqipëri me firmën e babait të saj, vijon të mbajë zyrat e avokatisë në një nga zonat me të frekuentuara nga bota e biznesit në Tiranë, në Rrugën e Barrikadave. Argita, përveç dhjetëra apartamenteve në Tiranë, posedon vila në Gjirin e Lalzit dhe Farkë.