shkup3Në Shkup janë rikthyer incidentet dhe sulmet ndaj autobusëve urban, duke përhapur terror ndaj popullatës.

Një incident i fundit u shënua mbrëmë me ç`rast u sulmua autobusi i linjës 12 Saraj – Qendër – Saraj, kur sipas shoferit të autobusit huligan maqedonas kanë sulmuar me gurë autobusin përplotë me udhëtarë.

Incidenti u regjistrua në lagjen Porta Vlae. Përveç sulmit me gurë, huliganët maqedonas kanë tentuar të hyjnë edhe në autobusë dhe se me vete kishin gjësende të forta si shufra hekuri, druri dhe mjete tjera të dhunshme.  Në këtë autobusë kishte edhe gra e fëmijë, që kanë përjetuar trauma dhe terror.

“Udhëtarët që ishin brenda autobusit kur u sulmuam nga huliganët maqedonas u terrorizuan, kur grupi i huliganëve maqedonas u drejtua për tek ne dhe sulmonte autobusin me gjësende të forta, duke thyer xhamat, e duke tentuar të futen brenda autobusit. Disa nga gratë në autobus nga frika filluan të bërtasin me të madhe, ishte një tmerr i vërtetë”, –  ka theksuar një dëshmitar i ngjarjes për portalin “Almakos”.

Një incident tjetër dy ditë më parë u regjistrua në të njejtën zonë të Shkupit, kur persona të panjohur kanë sulmuar me gurë minibusin e kompanisë “Mensur Turs” në një pjesë të Shkupit, me ç`rast një person është plagosur.

Ngjarja ka ndodhur dje kur minibusi me udhëtarë po lëvizte në pjesën e lagjes së banuar kryesisht me maqedonas, nëpër bulevardin që lidh pjesën qendrore të Shkupit me komunën e Sarajit.

Nga sulmi me gurë dhe pllaka betoni është thyer njëri nga xhamat e mjetit transportues dhe se një person ka marrë plagë të rënda.

Ai menjëherë është shtrirë në spitalin e qytetit dhe se në trupin e tij janë evidentuar plagë të rënda.

Në fillim të javës u regjistrua edhe një incident tjetër, me ç`rast tre të rinj kishin sulmuar autobusin numër 57, duke lënduar disa udhëtarë.

Policia ka ndaluar autorët e këtij sulmi, duke theksuar se bëhet fjalë për persona të moshës prej 18 dhe 19 vjeç, të cilët do të përballen me padi penale për ushtrim dhune.

Sipas të dhënave të MPB-së, në gjashtë muajt e parë të këtij viti në rajonin e Shkupit janë regjistruar 49 raste të dhunës.