Partia Demokratike e Kosovës-Dega e PDK-së në Viti-REAGIM
Partia Demokratike e Kosovës-Dega e PDK-së në Viti-Për media dhe opinionin e gjerë-R E A G I M
Në mbledhjen e mbajtur më 20 maj 2010, Kryesia e Degës së PDK-së në Viti, diskutoi edhe për “çështjen” Lima. Ishte mendim i çdo anëtari të Kryesisë se ndërhyrja e EULEX-it me forca të armatosura policore në mjediset e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe bastisja e Ministrit Fatmir Lima ka shkaktuar indinjatë të ligjshme jo vetëm te anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së, por edhe te të gjithë qytetarët e kësaj Komune.
Kryesia e PDK-së beson plotësisht në pafajsinë e Ministrit Fatmir Lima dhe konsideron se dhunimi i institucioneve legale dhe të ligjshme të Republikës së Kosovës, të zgjedhura në mënyrë demokratike, është provokim i rëndë, i motivuar politikisht dhe përbën precedent të rrezikshëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë e më gjerë. Ministrit Fatmir Lima i besojnë edhe qytetarët e Komunës së Vitisë, të cilët kanë përfituar si asnjëherë më parë nga investimet e kësaj Ministrie të drejtuar nga Ministri Lima.
Trajtimi dhe bastisja që i është bërë Kryeministrit dhe Ministrave sot në Aeroportin e Prishtinës nga e njëjta polici dhe nga i njëjti mision, EULEX-i, vërteton dyshimet tona dhe të qytetarëve të Kosovës se ky mision, bashkë me UNMIK-un dhe ICO-në, janë të angazhuar kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.
Presioni, shantazhi, dhuna dhe poshtërimi që këto misione po i bëjnë institucioneve lokale dhe atyre qendërore, Kosovës dhe popullit të saj duhet të marrin fund menjëherë. Institucionet e Kosovës dhe klasa politike e këtij vendi duhet urgjentisht të ulen t’i rishqyrtojnë dhe definojnë raportet dhe “legalitetin” e këtyre misioneve të huaja. Është koha e fundit të dihet kush është zot në këtë vend e kush mysafir. Kush është i përherëshëm dhe vendas e kush i përkohshëm dhe i huaj.
Kërkojmë nga partitë politike dhe drejtuesit e tyre, nga mediat e shkruara dhe ato elektronike dhe nga “shoqëria civile” që të udhëhiqen vetëm nga motoja: “Kosova mbi të gjitha”!
Viti, më 20 maj 2010 Kryesia e Degës