Arrestimi i Sabit Gecit, reagon OVL e UÇK-së

Prishtinë, 6 maj  – Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, reagoi të enjten ndaj arrestimit të Sabit Gecit, ish-luftëtar i UÇK-së. Me rastin e arrestimit të veteranit të luftës së UÇK-së, Sabit Geci, OVL të gjithë luftëtarëve të UÇK-së, iu bëri me dije se nga ky mision “lufta jonë e pastër çlirimtare konsiderohet krim dhe nuk ka asnjë vlerë”. OVL konsideron se duke pasur parasysh, që deri më tani, asnjë gjë pozitive nuk erdhi nga ky mision, por vetëm u përkujdes që Kosovën dhe zhvillimin e saj ta lë prapa, ata do të detyrohen në shqyrtimin e ndërrimit të formës së reagimit. E përkujtojmë edhe njëherë, që detyrat që i kishte ky mision, e sidomos në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, që bëhet në pikë të ditës, në komunat veriore të Kosovës, nuk janë realizuar. Ky mision, e ka lënë të uzurpuar 18% të territorit sovran të Republikës së Kosovës, nga struktura ilegale që udhëhiqen nga Beogradi, duke mos ndërmarrë asgjë, por edhe duke penguar që me këtë punë të merren organet vendore”, thuhet në reagimin e OVL-së. Në reagimin e nënshkruar nga kryetari i OVL UÇK-së, Muharrem Xhemajli, thuhet se ky mision (EULEX) “i lë të lirë kriminelët që morën pjesë në terrorin dhe gjenocidin e organizuar në Kosovë nga shteti serb, i lë të lirë personat që haptazi shprehen se kanë marrë pjesë në vrasje të komandantëve të UÇK-së, e që fshihen nën petkun e deputetit, e për tu mbushur kupa, krimi i organizuar dhe kontrabanda bëhet edhe nga vet pjesëtarët e EULEX-it, siç ishte rasti me policët rumunë”. OVL kërkoi që Sabit Geci të lirohet menjëherë, dhe të ndërpritet ky represion që po bëhet ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së. “Në ditët në vijim, në do të shqyrtojmë masat, që këtyre ofendimeve në formë spektaklesh, t’iu përgjigjemi shumë ashpër edhe ne”, thuhet në fund të reagimit të veteranëve të UÇK-së.

Sabit Geci dyshohet se është arrestuar në lidhje me kampet e torturës që mendohet se kanë ekzistuar në veri të Shqipërisë, saktësisht në qytetin veri-lindor të Kukësit. Sipas Balkan Insight, rasti është i ndërlidhur me kampet torturuese të UÇK-së të vendosura në Shqipëri, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi ish Jugosllavinë. Balkan Insight ka kryer një hulumtim të cilin e ka botuar vitin e kaluar lidhur me bazat e tilla të UÇK-së në qytetin veri-lindor të Shqipërisë në Kukës.

Në lagjen Pejton në qendër të Prishtinës, Departamenti Zbatues i Policisë së EULEX-it nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorisë Speciale, ka bastisur një shtëpi dhe ka kërkuar një person, i cili më vonë u kuptua se është Sabit Geci, në lidhje me krimet e luftës. Sipas Balkan Insight, ky person dyshohet të jetë qelizë dhe pjesë e një rrjeti të personave të cilët kanë mbajtur persona të paraburgosur në vend, të cilët ishin kundërshtarë politik, njerëz të dyshuar për spiunë të Serbisë dhe të tjerë të angazhuar në grindjet mes disa grupe autoritative të UÇK-së, që kanë torturuar dhe në disa raste kanë vrarë. Verën e kaluar, EULEX-i ka konfirmuar se është duke hetuar dyshimet për kampet e torturave në Shqipëri. Ky është arrestimi i parë për krime të luftës i ndërlidhur me ish Jugosllavinë, ku përfshihet edhe territori i Shqipërisë.