image
Kim MEHMETI

Në një shtet ku qytetarët kanë vlerën e numrave të thjeshtë që përdoren në “berëzën” ku tregtojnë partitë etnike, në një vend ku emblema etnike është ajo që e përcakton vlerën dhe pozitën e individit, pra në një shtet ku njeriu shihet vetëm si numër që ka rëndësi në përcaktimin e rolit të të “parit” e të “dytit” në shtëpinë e përbashkët,në atë shtet nuk është me rëndësi se kush të regjistron, por kush i numëron të regjistruarit dhe kush i mbanë çelësat e “bunkerëve” ku ato të dhëna ruhen. Dhe duke qenë Maqedonia shtet të cilin nuk e intereson gjithaq numri i banorëve dhe amvisërive që ka, por sa është më i madh numri i maqedonasve krahas atij të shqiptarëve të këtushëm, regjistrimi i popullsisë në këtë vend ka dimensionin e veprimtarisë së zënë në kthetrat e lojërave etnike, ka shenjën e zymtësisë ballkanike ku janë sjellë edhe ligje për ta pakësuar natalitetin e shqiptarëve, pra regjistrimi i popullatës është i mbështjellë me dyshimin për manipulim me numrat e banorëve të këtushëm edhe atë varësisht nga përkatësia e tyre etnike. Apo thënë edhe më qartë: regjistrimet e popullatës në Maqedoni, kanë pasur e do kenë, shenjën e orvatjes së të “parit” që vetveten ta tregojë numerikisht sa më të madh e të “dytit” t’ia zvogëlojë përqindjen aq sa edhe ai vetë të bindet se duhet të kënaqet me pozitën që ka.

Sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, ata deri më tani gjithmonë kanë qenë të numëruar nga të tjerët dhe kurrë nuk kanë mundur ta numërojnë vetveten e të shohin se sa me të vërtetë janë. Siç duket, e njëjta do ndodh edhe gjatë regjistrimit të paralajmëruar për prillin e vitit të ardhshëm, i cili regjistrim që tani ka nxitur debate në stilin “shqiptarët janë më pakë seç thonë”. Dhe në tërë këtë debat, ka diçka që irriton, që kufizohet me absurdin: nëse shqiptarët janë në numër më të paktë seç pohojnë ata vet, apo nëse ata janë aq sa thonë disa qarqe maqedonase – nën 20 për qind, atëherë nga ajo orvatje e institucionet shtetërore që shqiptarëve të mos u lejohet pjesëmarrja në përpunimin e të dhënave statistikore!? Orvatje e cila me të drejtë ngjallë dyshimin te shqiptarët se dikush manipulon me numrin e tyre, dyshim që të çon të shtrosh edhe pyetjen më përmbajtjesore se e para: nëse shqiptarët dyshojnë në ndershmërinë e atyre që i numërojnë banorët e këtij shteti, atëherë pse pranojë regjistrimin e popullatës duke e ditur se në Entin Statistikor të Shtetit nuk ka asnjë shqiptar që mban çelësin e “bunkerëve” ku ruhen të dhënat e regjistrimit. Apo, pse BDI-ja shqiptare në qeveri e gënjen popullin e vet se “mbikëqyrësit ndërkombëtar” do garantojnë saktësinë e të dhënave statistikore, kur të gjithë e dinë se monitoruesit e huaj mund ta përcjellin realizimin e regjistrimit sa i përket anës teknike, por nuk kanë asnjë mundësi të kontrollojnë përpunimin e të dhënave. Pra, “kontrollorët” e huaj do mund të mbikëqyrin atë në çka nuk dyshon askush – mbarëvajtjen e regjistrim në terren, e jo atë që pason më vonë: mënyrën e përpunimit të të dhënave që do i dorëzojnë regjistruesit.

Pra, sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, ata kurrë deri më tani nuk kanë pasur mundësinë t’i numërojnë të gjitha fletët e qytetarëve të regjistruar të Maqedonisë, me çka njëherë e përgjithmonë do bindeshin sa është numri i tyre në këtë shtet. Dhe kjo ka ndodhur edhe shkaku se përfaqësuesit e tyre politik, regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive, e kanë ndërmendur ditën kur është shpallur mbajtja e tij. Pra, kjo ka ndodhur edhe shkaku se pushtetarët shqiptarë nuk pyesin pse në Entin Shtetëror Statistikor nuk ka shqiptarë nëpër postet udhëheqëse, por kur vjen koha e regjistrimit, u kujtohen ndërkombëtarët, të cilët duhet të mbulojnë paaftësitë e tyre dhe manipulimin që ata ia bëjnë popullit të vet. Andaj, mbase edhe regjistrimi i vitit 2011, do jetë edhe një i radhës që do e sforcojë mosbesimin ndëretnik, që vetëm do e dendësojnë mjegullën e paqartësisë lidhur me saktësinë e numrave të banorëve të Maqedonisë sipas përkatësisë së tyre etnike. Dhe kjo do ndodh fal pushtetarëve shqiptarë të BDI-së, të cilët e gënjejnë popullin e vet se komisionet e përbërë nga përfaqësues të huaj, do garantojnë saktësinë e të dhënave, duke mos treguar se të dhënat do varen vetëm nga ai që i përpunon fletëregjistrimet.

Regjistrimi i popullatës dhe amvisërive i paralajmëruar për në vitin 2001, shqiptarët e Maqedonisë sërish do i përballë me pyetjet që ia kanë shtruar vetvetes në të gjitha regjistrimet e mëparshme: si të mbrohen nga manipulimet e mundshme me numrin e tyre. Dhe si çdo herë, një nga mundësit që ata do e ndërmendin, do jetë edhe bojkotomi i regjistrimit. Gjë të cilën nuk e dëshiron askush, por pak kush ka bërë diçka që të shmanget ky rreziku. Për shmangien e këtij rreziku asgjë nuk bëri as BDI-ja shqiptare në pushtet, e cila sot drejton thirrjen që të mos politizohet ky proces statistikor por duke mos treguar se si është i mundur mospolitizimi i një procesi i cili gjithmonë është përdorur për të arritur caqe politike, si të mos politizohet ky proces në këtë Maqedoni ku gjithmonë tjetri të numëron e ti duhet të pajtohesh me rolin e “kopesë” së lënë pa “bari” dhe e cila kurrë nuk do e dijë se cili është numri i saktë i saj. Apo si mos politizohet një proces i cili në thelb ka shenjë njohëse të vërtetën se në Entin Shtetëror të Statistikave nuk ka asnjë shqiptarë në pozitë udhëheqëse, Ent i cili gjatë dy dekadave të kaluar nuk bëri thuajse asgjë që aty të punësoheshin dhe aftësoheshin jomaqedonas, si parakusht që të gjithë qytetarët e këtij shteti të ndjeheshin individ që nuk janë të rëndësishëm vetëm si numra që shtojnë taborin e njërit apo tjetrit etnitet, por si njerëz që janë njësoj të rëndësishëm për shtetin.

Tani për tani, askush nuk mund ta parashikoj si do rrjedh regjistrimi i vitit 2011. Ajo që dihet që sot, ka të bëjë me të vërtetën se edhe në këtë regjistrim – njësoj si në gjithë të mëparshmit, shqiptarët do kenë arsye të dyshojnë në vërtetësinë e numrave që do shpallen, ngaqë sipas gjitha gjasave, ata do duhet të mbështeten në besimin te të huajt që do e mbikëqyrin këtë regjistrim. Ata do kenë arsye të dyshojnë pse BDI-ja pranoi të kënaqet me një Komision ndërkombëtarë që do mbikëqyrë regjistrimin, e nuk kërkoi atë që e ka obligim ndaj popullit të vet: askush të mos mund të shpall rezultate zyrtare pa mos pasur në Entin Shtetëror të Statistikës shqiptarë që do marrin pjesë dhe do kontrollojnë përpunimin e të dhënave, pa pasur aty shqiptarë që do mbajnë çelësat e “bunkerëve” ku ruhen të dhënat e regjistrimit. Ku ta dish, mbase shqiptarë nuk duhet gjithaq të dyshojnë në ndershmërinë e institucioneve të Maqedonisë, sa në atë të përfaqësuesve të vet që thonë se janë bashkëdrejtues të shtetit. Dhe duke dyshuar në të vetët, ata e do e zbulojnë ku fshihet çelësi që hap derën për të hyrë në dhomën e të barabartëve: ai çelës është në xhepat e pantallonave të rëna të “barinjve” politik të këtij populli, të cilët asgjë nuk u intereson më shumë se të jenë sa më gjatë dhe sa më pranë grazhdit të pushtetit, i cili grazhd ta mbush xhepin e ta majmë trupin, por njëkohësisht t’i dëmton e t’i dobëson ndjesitë e turpit dhe ato të përgjegjësisë.