Saherë i shoh dhe i dëgjoj në televizor, saherë i dëgjoj në radio dhe saherë i lexoj në gazetat e shumta të Prishtinës drejtuesit dhe “zëdhënësit” e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës më kujtohet ajo fjala e urtë e popullit, kur hajduti thërriste: “Kapeni hajdutin!” Partia (AAK-ja), që i dha tre kryeministra Kosovës, Partia që, bashkë me LDK-në, dha kontributin më të çmuar për mbjelljen, kultivimin dhe përhapjen e murtajës, që quhet korrupcion, po derdh lotë krokodili për Kosovën dhe fytyrën (imazhin) e saj, që po e shëmtoka “korrupcioni” i madh i qeverisë dhe qeveritarëve të PDK-së! Ky shkrim nuk ka për qëllim ta marrë në mbrojtje cilëndo parti, cilindo politikan, qeveritar apo zyrtar të çfardo niveli dhe segmenti shtetëror që e ndihmon apo e “prodhon” korrupcionin. Për mua hajduti ka vetëm një emër: HAJDUT, pavarësisht se në cilën parti është, pavarësisht funksionit të tij publik a shtetëror, pavarësisht gradës akademike, etj. Pra, pavarësisht rrobave që vesh: të Partisë, të Qeverisë, të Drejtësisë, të Kuvendit, të policisë, të Kishës, të Xhamisë, etj., hajduti mbetet hajdut. E kam thënë në tubime të ndryshme publike, e kam thënë edhe në Kuvendin e Kosovës dhe e kam shkruar sa e sa herë se korrupcioni është murtaja e shoqërisë sonë, murtaja e kombit tonë. Po dua të them se nuk jam pajtuar dhe nuk do të pajtohesha asnjëherë me korrupcionin kudo që shfaqet, nuk do të pajtohesha me cilindo dhe këdo që e mbjellë, e ushqen dhe e “korrë” atë. Korrupcioni është një sëmundje që prek çdo vend të botës, ku më shumë e ku më pak. Çështja është se sa luftohet ai nga një shtet a vend i caktuar. Përvoja edhe e vendeve të tjera ka treguar se korrupcioni nuk mund të luftohet nga ata që janë të korruptuar ose që kanë kontribuar në zhvillimin, rritjen dhe përhapjen e tij.

AAK-ja është njëra prej partive që kishte rastin dhe mundësinë ta luftonte korrupcionin dhe të jepte prova se është parti me vullnet dhe gatishmëri për t’u përballur me këtë sëmundje të rrezikshme për një vend. Ajo pati tre Kryeministra dhe që të tre vërtetuan se AAK-ja, të paktën, nuk është e zonja ta luftojë korrupcionin, madje, gjatë qeverisjes së saj dëshmoi se ishte krejt pa vullnet për t’u përballur me këtë sëmundje. Jo vetëm kaq. Në kohën e “artë” të qeverisjes së AAK-së korrupcioni u “legalizua” dhe fitoi të drejtën e qytetarisë! Si kanë gojë të flasin për korrupcionin Ardian Gjini e Avni Arifi? Ata dhe disa shokë të tyre ishin vetë korrupcioni. Ardian Gjini, të cilin Bajram Rexepi e pati nxjerr nga anonimiteti i thellë ku ishte, të vetmen gjë që e ka mësuar mirë është sharja. Fjalori i tij “politik” mund të përmblidhet në shprehjet “mos rrej”, “po rrenë” dhe “kjo është pa lidhje”(nga serbishtja, “bez veze”), “mos fol pa lidhje”! Dhe ky njeri kërkon nga një ministër që t’i drejtohet me “zoti deputet”! Një njeri, dhe të tjerë si ky, që nuk dinë ta flasin dhe respektojnë as gjuhën e tyre! Soji i tij dhe si ai janë mjerimi i Kuvendit të Kosovës dhe i cilësdo parti politike. Doli sonte në televizor Avni Arifi dhe thoshte se “janë ndezur kambanat”! Shqiptarët gjithmonë kanë thënë dhe thonë “po bien kambanat”. Por, nga zjarrmia për të qenë në pushtet, Avniut dhe AAK-së po i duket se janë ndezur edhe kambanat! Ftohuni pak ore drejtues të AAK-së. Mos ia bëni si puna e asaj dhelprës që i ishte djegur bishti e thoshte “u dogjë dynjaja”!

Të njëjtën gjë po e bëjnë edhe mjetet surrojane të (kundër)informimit, “Koha Ditore” dhe “KTV-ja”! Tituj dhe lajme bombastike sipas “burimeve” (lidhjeve të dyshimta) të tyre! Saherë që ka ndonjë prononcim, raport, vlerësim a deklaratë të ndonjë diplomati, qeverie a organizate të huaj, që flet keq për Kosovën dhe shqiptarët, këto mjete të (kundër)informimit duken të entuziazmuara dhe nuk mund ta fshehin gëzimin e tyre! Këto parti, shumica e mediave elektronike dhe të shkruara të Prishtinës dhe një pjesë e mirë e “shoqërisë civile” “harrojnë” se korrupcioni nuk mund të luftohet në Kosovë nga Qeveria me “zagarë të lidhur”! Sikur edhe të ekzistonte vullneti i plotë i Qeverisë për ta luftuar këtë sëmundje, që po e quaj “murtajë”, ajo do të jetë e dështuar, sepse policia, drejtësia dhe doganat deri dje kontrolloheshin nga UNMIK-u, kurse sot nga UNMIK-EULEX-i. Krah i fuqishëm i këtyre misioneve janë bërë edhe strukturat shtetërore serbe në Kosovë, të cilat janë tepër të interesuara dhe po punojnë me kapacitet të plotë që të dështojë projekti për një Kosovë të lirë dhe shqiptare. Ata, që ndjekin zhvillimet, ngjarjet dhe lajmet kanë parë, dëgjuar dhe lexuar se si të huajt kohë pas kohe botojnë ndonjë raport, japin ndonjë deklaratë për krimin e organizuar, korrupcionin, etj. në Kosovë dhe, ndalu e shiko, ndalu e dëgjo partitë dhe mediat “tona”, të sponzorizuara prej të huajve! Në fakt kjo gjendje qe dhjetë vjet në Kosovë prodhohet dhe riprodhohet pikërisht nga këto misione dhe nga politikat e disa qendrave botërore! Këtu duhet kërkuar edhe rrënjët, edhe burimin e të gjitha të këqijave në Kosovë dhe në gjithë gjeografinë e copëtuar dhe të ricopëtuar shqiptare. Një hapësirë kombëtare, historike, politike, kulturore, ekonomike dhe një treg i copëtuar shqiptar s’ka se si të prodhojë zhvillim, progres dhe prosperitet ekonomik, social e politik të qëndrueshëm. Kot hargjojnë letër e ngjyrë gazetat e financuara nga të huajt, kot hargjojnë fjalë e nerva politikanët dhe “shoqëria civile” e kontrolluar. Që të shërohet sëmundja, ajo duhet të diagnostifikohet dhe të dihen shkaqet e saj. Partitë tona, mediat, “shoqëria civile”, një pjesë e inteligjencies, por edhe Qeveria dhe institucionet tjera qendrore po vazhdojnë të merren me pasojat pa i hetuar dhe identifikuar qartë shkaqet. Kjo i bie se po bëjnë luftë me mullinjtë e erës, si Sanço Panço në kohën e tij. Pa u vendos kontrolli i plotë i kufijve dhe doganave, pa u reformuar me themel drejtësia, pa u zgjidhur problemet e mëdha të pronës dhe pa u ndalur trafikimi dhe kontrabandimi i saj nga AKP-ja dhe krimi i organizuar, pa një polici dhe një sigurim shteti të organizuar dhe të profesionalizuar nuk mund as të fillojmë luftën kundër “murtajës” e lëre më ta luftojmë atë. Kufijtë dhe doganat, drejtësia dhe policia nuk mund të organizohen, reformohen, profesionalizohen dhe fuqizohen me Hysën, me Huruglicën, me Halit Muharremin, me Sheremetin dhe me ata si ata… Por, a mund të lëvizin këta njerëz pa u hequr qafe strukturat shtetërore të Serbisë, pa u hequr qafe UNMIK-u, pa u hequr qafe EULEX-i, pa u hequr qafe Rezoluta 1244 dhe pa u larguar nga Kosova ata që nuk e duan Kosovën e lirë dhe shqiptare? Jo nuk mundet. Nuk mundet, sepse këto misione “legale” dhe shumë të tjera jo legale kanë mbjellur farën e përcarjes midis shqiptarëve dhe partive të tyre politike. Po t’i kishin dy grosh mend dhe shqiptari këto parti dhe udhëheqësit e tyre, po të hiqnin dorë nga lakmia dhe korrupcioni, UNMIK-u, EULEX-i dhe misionet tjera të “padeklaruara”, që mbajnë qëndrim neutral ose armiqësor ndaj lirisë së Kosovës, do të mbeteshin pa bukë. Bile, jam i sigurtë se disa as nuk do të ishin “instaluar” fare në Kosovë… Më mirë të merremi vesh me njëri-tjetrin, për të mirën dhe të ardhmen e Kosovës, se sa të shahemi me njëri-tjetrin, ta luftojmë njëri-tjetrin, duke u marrë vesh me lloj-lloj misionesh “legale” e jo legale për të keqen dhe të zezën e këtij populli…

Këto që shkrova më lartë nuk e lirojnë as PDK-në dhe as Qeverinë e udhëhequr prej saj nga përgjegjësia për korrupcionin në Kosovë, për shkallën e lartë të korrupcionit dhe kriminalitetit ekonomik, etj., në gjykata, për problemet e mëdha dhe të mprehta të pronës, për doganat, për policinë, për krimin e organizuar, për përçarjen ndërshqiptare e ndërpartiake, për tërsinë tokësore dhe sigurinë, për lirinë dhe zhvillimin e këtij vendi, etj.

Xhevat Bislimi