Nuk mjafton letra e ambasadorëve, nevojitet ndërhyrje ndërkombëtare!
Analistët vlerësojnë se pas sinjalit të parë me shkrim që ndërkombëtarët ia dërguan Maqedonisë, është më se e nevojshme që ata të ndërhynë në ndonjë formë për ta qetësuar situatën në të cilën gjendet Maqedonia. Krimi i organizuar, marrëdhëniet e acaruara ndëretnike, gjendja e brishtë e sigurisë janë faktorët kryesorë që duhet ta nxisin faktorin ndërkombëtarë që të veprojë sa më parë. “Nevoja e ndërhyrjeve ekziston.
Inicialet e para janë dhënë nëpërmjet letrës e cila ka qenë goxha e ashpër, po asht edhe prezantimet e Rikerit edhe Fueres ishin të ashpra. Ndoshta të gjitha këto janë paralajmërime se po humbet më durimi”, thotë analisti Albert Musliu, duke shtuar se veprojmë në një shtet i cili lidershipin e ka aq të papërgjegjshëm, sa nuk mund të imagjinohet. Ai sqaron se dy janë mënyrat kryesore të ndërlidhjes së ndërkombëtarëve.
“Ata mund të ndërhynë në mënyrë politike dhe në mënyrë ekonomike. Qeveria, me mos pajtimin të marrë nënshkrim me aranzhman me MMF-në e hodhi poshtë mundësinë e ndërhyrjes ekonomike. Ndërsa për ato politike çështja është më e ndërlikuar, ku intervenim direkt politik ka ose me tone të ashpra, ose me ndërhyrje siç e kishim në vitin 2001. Momentalisht nuk është faza si e vitit 2001, kështu që nuk ka mundësi për atë lloj të ndërhyrjeve. Por sigurisht me qëllime më të prera dhe më të qarta dhe me anashkalim të dialogut diplomatik, i cili objektivisht në Maqedoni keqpërdoret, keqkuptohet”, sqaroi Musliu. Ai thotë se në Maqedoni nuk ka mentalitet politik që nënkupton pavarësinë e vendosjes së respektimit të disa vlerave morale, të cilat duhet të respektohen në një shoqëri të zhvilluar.
Ndërsa Kryetari i Frontit Demokratik, Gafur Adili thotë se është e domosdoshme dhe urgjente që ndërkombëtarët të ndërhyjnë. “Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat, por duhet të ndërhynë me ndonjë mënyrë. Vetëm federalizmi e shpëton Maqedoninë. Nëse Belgjikën e përbëjnë valonët, belgët dhe flamanët edhe Republika e Maqedonisë të jetë shtet i maqedonasve dhe shqiptarëve. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje për të evituar konfliktin në Maqedoni”, thotë Adili.
Sipas tij më shumë të interesuar për ta ndarë Maqedoninë janë maqedonasit dhe jo shqiptarët dhe për këtë ai numëron një sërë arsyesh.
“Shqiptarët janë të vetmit, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosove e Shqipëri që Maqedonisë nuk ia kontestojnë as emrin, as gjuhën dhe as kishën, siç bëjnë grekët, bullgarët dhe serbët, ndërsa qeveria e Gruevskit vazhdon të diskriminojë shqiptarët”, thotë Adili.
Gjendja në Maqedoni sa vjen e tensionohet dhe në vend që të zgjidhet një problem, për çdo ditë ato shtohen.