Prishtinë, 20 Prill – Pretendimet e ministrit të ri të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, që deri në vitin 2011 apo më së largu 2012 Kosova të fitojë liberalizimin e vizave, janë të mirëseardhura për zyrtarët evropianë, por koha e parashikuar nga ministri vlerësohet si tejet optimiste, hkruan sot gazeta Koha ditore. Pa marrë parasysh vullnetin politik të BE-së që është i domosdoshëm në këtë proces, Kosova edhe ashtu ka një rrugë të gjatë dhe “një mal” me detyra teknike që duhet t`i përmbushë në mënyrë që qytetarët e saj të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër BE.

Kosova, vendi i vlerësuar si më i izoluari në Evropë, ende nuk ka filluar as dialogun për heqjen e vizave, nga i cili BE-ja do t`i vendoste kushtet që duhet plotësuar për liberalizim.

Tri shtetet fqinje të Kosovës, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, kanë fituar heqjen e vizave, ndërkohë që një gjë të tillë gjatë këtij viti pritet ta fitojnë edhe Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, duke bërë kështu që Kosova të jetë vendi i vetëm i izoluar në rajon.

Këto rrethana dhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së, megjithatë nuk e kanë bërë pesimist ministrin e ri të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai ka thënë ditë më parë se nëse gjithçka shkon mirë, liberalizimi do të ndodhë më së largu deri në vitin 2012.

“Këtë vit ne do të përmbushim shumicën e kushteve teknike për liberalizim, siç është menaxhimi i integruar i kufijve, marrëveshjet për riatdhesim, dokumentet dhe pasaportat biometrike të një sigurie të lartë. Këto janë tri kushtet kryesore, pos të tjerave… Nëse shkon çdo gjë mirë, atëherë data më optimiste është në vitin 2011, optimale ndoshta në 2012”, ka thënë Rexhepi.

Khalodun Sinno, shef i Sektorit për politikë, ekonomi dhe integrim në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, e ka vlerësuar deklaratën e ministrit Rexhepi si pozitive.

“Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian e mirëpret deklaratën e ministrit Rexhepi. Vlerësimi i tij mund të jetë optimist, por tregon qartë se liberalizimi i vizave është prioritet i mandatit të tij”, ka thënë për “Kohën Ditore” Sinno.

Sipas tij, Kosova duhet të bëjë një sërë reformash para se të mund të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave, kryesisht në politikat e rikthimit dhe të riintegrimit.

“Njëjtë sikur edhe për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë nisur dialogun për liberalizimin e vizave në fillim të vitit 2008, dialogu për politikat e rikthimit dhe riintegrimit zë një vend të veçantë para fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave”, ka thënë Sinno.

Sipas tij, vetëm pas vendosjes së dialogut do të hartohet strategjia, ku do të parashihen kushtet e liberalizimit.

“Pasi që Komisioni Evropian të gjykojë se situata është e kënaqshme , do të vendosë për të nisur një dialog për liberalizimin e vizave me Kosovën, nga i cili dialog do të hartohet një strategji. Ky dokument do të përcaktojë hapat e nevojshëm dhe standardet të cilat Kosova duhet t’i përmbushë për të ecur më tej”, ka thënë Sinno.

Sipas tij, dialogu do të bazohet në takime të ekspertëve dhe të misioneve të vendeve anëtare, duke përfshirë edhe ekspertë për të mbledhur informata mbi përmbushjen e standardeve. Sidoqoftë, ky zyrtar i BE-së ka refuzuar të flasë për kohën se kur mund të fillojë dialogu.

“Është tepër herët për të parashikuar kohën se kur do të mund të fillojë ky dialog”, ka thënë Sinno.

Sipas tij, edhe pse ende nuk ka filluar dialogu, me qëllimin që të mbështetet kjo agjendë, dialogu i ri nëpërmjet Stabilizim Associmit, Komisionit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës ka vënë një theks të fortë në çështjet e punëve të shtëpisë që ka Kosova në këtë proces. Përmbushja e detyrave që kanë dalë nga takimi që është mbajtur në janar, sipas Sinnos, do të ndihmonte shumë Kosovën në ecjen përpara.

Zyra për Informim e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian i ka ofruar gazetës edhe një shpjegim të fushave kryesore, në të cilat mund të vendosen kushte nga komisioni, gjatë dialogut për liberalizimin e vizave.

Fushat ku mund të vendosen kushtet janë: migrimi ilegal dhe rikthimi, që përfshin menaxhimin e kufijve, përgjegjësinë e transportuesit, politikën e azilit, si dhe menaxhimin e migracionit; rendi publik dhe siguria, që përfshin parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit; bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale, zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e të dhënave; marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore, që përfshin lirinë e lëvizjes, kushtet dhe procedurat për lëshimin e dokumenteve të identitetit, të drejtat qytetarëve dhe mbrojtjen e pakicave.

Këto ditë në Kosovë ka qëndruar edhe një mision i vlerësimit të regjistrit civil. Misioni që është përbërë nga ekspertë që vlerësojnë sigurinë e lëshimit të dokumenteve të identifikimit, para verës do të dalin me një raport me të gjeturat e tyre.

Edhe Naim Rashiti, ekspert i Grupit Ndërkombëtarë të Krizave, ka fjalë të mira për angazhimin e ministrit Rexhepi dhe ministrisë që ai ka marrë në këtë proces. Mirëpo, sipas Rashitit, për liberalizimin e vizave ka edhe aspekte që nuk varen nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Pjesa tjetër i takon rendit dhe ligjit, gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, luftimi i krimit të organizuar dhe siguria kombëtare janë fusha ku Kosova nuk pritet të bëjë ndonjë përparim të madh. Në fakt me disa zhvillime që po ndodhin tani, si miratimi i ligjeve që kanë lidhje me gjyqësorin dhe prokurorinë, procesi i riemërimit të gjykatësve dhe riorganizimi i policisë, duke shtuar këtu edhe mungesën e vullnetit të mjaftueshëm politik për t`i forcuar këto institucione, nuk priten zhvillime shumë pozitive në një periudhë të afërt”, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, duhet theksuar se vendimi për liberalizim gjithsesi se në fund do të jetë politik.

“Mirëfilli dihet se Maqedonia dhe Serbia sidomos nuk i kanë plotësuar dy kriteret bazë në nivel të kënaqshëm: atë të menaxhimit të kufijve dhe të sigurisë së bazës së të dhënave personale. Të gjithë në Bruksel janë të vetëdijshëm për aferat e mëdha në Serbi me shitjen e pasaportave biometrike, fenomen që e ka kursyer Kosovën deri më tani”, ka thënë Rashiti, duke konkluduar se vendimi për liberalizimin e vizave për Serbinë ka qenë politik.

“Edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën po ashtu do të jetë vendim politik, por për faktin se misionet e BE-së këtu në Kosovë janë në rolin e monitoruesit dhe të referuesit, Kosova do të kalojë në një numër më të madh filtrash se vendet e rajonit. Prandaj ndryshimet duhet bërë të dukshme në terren për t`u siguruar që liberalizimi të arrihet në një periudhë 3-4-vjeçare”, ka thënë Rashiti.

Në një analizë të saj Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka vlerësuar se Kosova është vendi më i izoluar në botë, pas Afganistanit. Qytetarët e shtetit afgan mund të udhëtojnë pa viza në 22 vende të ndryshme, ndërkaq kosovarët, me pasaportën e re të shtetit të Kosovës, pa viza mund të udhëtojnë vetëm në pesë vende: Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Turqi dhe Haiti.