– Nga Fatmire Hasani

Pse të rinjtë tanë nuk protestojnë kur ju “bombardohen” universitetet nga politika? Kush na bëri impotent të reagojmë ndaj censurimit të përdorimit të gjuhës tonë? Kur do të ndalojnë universitet duke prodhuar kuantitet? A është koha të frenohet dhe të shtrëngohet arsimi? Kush po prodhon “brez gomarësh” tek shqiptarët?

“Një brez gomarësh” kështu i quajtën italianët para disa viteve të rinjtë e tyre në një revistë të njohur të vendit “L’Espresso”- një hulumtim i hollësishëm rreth të rinjve të cilët mësojnë pak, lexojnë shumë pak, janë të prirur mbas qefeve, videolojrave dhe programeve argëtuese televizive që nuk ndikojnë në ngritjen e vetëdijes dhe formësimin e personalitetit të tyre. Italianët kësaj gjendje alarmante nuk ju përgjigjën me duarkryq, por organizuan debate televizive, projekte të ndryshme që propagandojnë vlera dhe që nxisin dëshirën për dituri dhe kulturë. Për italianët kjo ishte alarmante sepse kërcënohej ardhmëria e kombit, sepse pikërisht rinia është ajo e cila duhet të protestoj kur politika merr vendime jo të përshtatshme, ata nesër do të duhet të udhëheqin me shoqërinë dhe nuk duhet lënë që situata të marrë tatëpjetën. Ama ajo është Italia dhe ata janë italianët, kështu do të përgjigjemi ne nëse dikush na akuzon se pse rinia jonë nuk vetëdijesohet për problemet që e rrethojnë deri sa arsimohet pa frena apo intenzivisht.

Pse të rinjtë tanë kurrë nuk protestojnë sikur studentët në Francë kur ndërruan ligjin për punësime me kontrata, sërish do të themi ata janë francez edhe ajo është Franca. Ne nuk guxojmë të dalim të protestojmë para qeverisë dhe kundër të zgjedhurve tanë, sepse ata edhe pse na nënçmojnë, na maltretojnë e torturojnë psiqikisht ne prapë nuk vetëdijesohemi. Përkundër italianëve që ndërmarrin masa për ta vetëdijesuar rinin dhe francezëve që ia kanë frikën, tek ne ndodh e kundërta. Tek ne politika e ka vegël rinin, e çon nga të dojë, e deh, e hipnotizon, ja nënçmon emrin prej studenti që ka, duke e detyruar t’i mbush kutit në zgjedhje. Janë të detyruar sepse aty është shpëtimi, aty është ardhmëria e rinis sonë. Politika ja njollos emrin prej studenti dhe i bënë të pa interesuar për studimet. Rinia dhe studentët tanë janë të ndarë në dysh, pra në dy parti. Ata më shumë diskutojnë për politikë ditore se sa për studimet që bëjnë, sepse politika i ka bërë impotent rreth shkencës dhe i ka futur në këtë kurth:” më mblidh vota dhe do shohim për ndonjë vend punë në administratë”. Mëkati më i madh që mund të ja bësh një populli është të ja bësh impotent rinin ndaj mësimit dhe studimeve. Të ja izolosh trurin dhe të mos e lejosh të veproj, të studioj, të hulumtoj që nesër të bëjnë gara të dijes në mes vete. Politika ja ka imponuar dhe i ka deh me mendimin se nuk ka rëndësi kush është më i mirë për të konkurruar në tregun e punës, por më i miri është i miri i partisë. Mjafton të kesh librezë partie. Kësaj i thonë bllokim dhe helmim i trurit që mund të ja bëjë një lider kombit të tij. Pse të rinjtë tanë nuk protestojnë kur ju “bombardohen” universitetet nga politika? Kush i ka bërë impotent të reagojnë ndaj censurimit të përdorimit të gjuhës së tyre? Nuk është krenari nëse oponenti yt politik që qeverisë “me ty” jep shifra se sa është rritur numri i atyre me shkollim të lartë, sepse ai indirekt po ta imponon të nxjerrësh kuantitet. Që kemi nevojë për kuadër është politikë e përllogaritur keq duke parë gjendjen me të cilën po përballemi. Mënyrën si po diplomojnë të rinjtë tanë nuk mund ta mohoj askush se janë duke shkuar si trenat ”Express”. Jemi duke nxjerr kuantitet. Që kemi ndërtuar dy universitetet politike kjo nuk diskutohet, vetëm ata që kanë lesh ne vesh dhe që ju ka tharë truri nuk e kupton këtë gjë. Hedhja e kapelave çdo qershor e korrik në dy universitetet tona është punë krye e këput të luash me emocionet e prindërve të atyre studentëve dhe të mashtrosh opinionin e atyre që nuk janë të formuar sa duhet, ama qytetarët dhe profesorët maqedon nuk mund t’i mashtrosh dhe të ja hedhësh sikur popullit tënd. Ditë më parë në të përditshmen “Koha”(12 mars 2010) profesor Lubomir Fërçkovski deklaroi: “ Vë bast se studentët e mi shqiptarë në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, janë shumë më të mirë se gjithë studentët e fakultetit të njëjtë në Tetovë. Është krim puna e profesorëve shqiptarë për të dhënë diploma, me qëllim të ndryshimit të numrave të njerëzve me fakultete”.

Me këtë, ai na e bënë me dije që ti për mua nuk vlen dhe për atë nuk mund të konkurrosh me mua në treg. Dhe pikërisht për këtë të pranoj në punë dhe nuk të dua afër. Rrogën mund ta marrësh por duhet të rrish në shtëpi, sërish nuk vlen për mua se nuk din të menaxhosh me punët dhe se dyshoj në diplomën tënde. Turpi i botës, harrova se neve moti na ka humb turpi për këto gjëra. Për këtë deklaratë fyese nuk reaguan as studentët as ata që i thonë vetes profesor, në heshtje pranuan se “po ne jemi duke e bërë atë, jemi duke rritur numrin e njerëzve me fakultete”. Profesorët tanë universitar assesi nuk mund të shtiren se kinse se dëgjuan dhe nuk ju bëri përshtypje deklarata e tij. Por shtrohet pyetja se ku ta marrësh guximin dhe kapacitetin për ta kundërshtuar kur dyshon në vetvete dhe ne vlerat tua, sepse ato me të vërtet janë të diskutueshme që herë pas herë njerëz të tillë si profesor Fërçkovski të bënë të ndihesh pak si ngushtë me vetveten. Ai ju quan kriminel dhe ju nuk nxjerrni zë! A jeni kriminel për punën prej mësimdhënësi që po bëni? Vlerat, vlerat, vlerat janë në pyetje këtu…sepse këto tek ne nuk kanë rëndësi. Është koha të frenohet dhe të shtrëngohet arsimi, besoj që u realizua politika për kuadër, tani kemi nevojë për mësim dhe kualitet dhe jo për tituj partiak. Sepse me të vërtetë do jemi breza të tërë gomarësh. Ne duhet të protestojmë, të ngremë zërin sepse ne jemi promotor të ndryshimeve. Nuk duhet të lejojmë që libreza e partisë të jetë me e rëndësishme se diploma universitare. Nuk duhet lejuar të na josh modeli i një politikani, sepse ata janë modele të këqij që pasurohen brenda natës dhe bëhen ministra pa lexuar as një libër. Sepse ata sërish të varfër do mbesin në tru dhe të zbrazët para vetes. Modele gomarësh nuk na duhen më, se po e pësojmë keq.