Nënë Tereza bëhet Shën Tereza
Shën Tereza e Kalkutës. Nga sot e tutje, kështu do të njihet bamirësja e madhe me origjinë shqiptare.
Para mijëra të pranishmëve në shesh, ku binin në sy flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës, Nënë Tereza iu bashkua listës së shenjtorëve të Kishës Katolike.
Nga sot, data 4 shtator do të njihet si dita e festës së Shenjtes Terezë.
Ceremonia e sotme në Vatikan përmbyll rrugëtimin e Nënë Terezës drejt shenjtërimit, një rrugëtim i shkurtër për të, krahasuar me kohën që u është dashur shumë shenjtëve të tjerë, kohë që në disa raste ka kërkuar edhe 5 shekuj.
“Sot po ju dorëzoj këtë figurë emblematike! Ajo qoftë modeli juaj i shenjtërimit! Ndoshta do të jetë e vështirë tha thërrasim Shën, por Shënjtëria e saj është kaq pranë nesh! Një Nënë që u bë Shenjt!”.
Këto ishin disa nga fjalët e Papa Françeskut në cermoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan. Ai përcolli mesazhe dhembshurie.
“Vullnetarët nuk presin as falenderime, as mirënjohje. Secili prej nesh mund të thotë se sikurse Zoti erdhi të më takojë kur kisha nevojë, ashtu edhe unë po eci drejt Tij dhe dua t’u shkoj në ndihmë atyre që kanë nvojë, familjeve në krizë, të sëmurëve, të burgosurve, të dobtëve, emigrantëve, minorenëve të braktisur, ashtu sikurse edhe të moshuarve”, deklaroi Papa Françesku.
“Kudo qoftë një dorë që kërkon ndihmë, aty duhet të jetë prania jonë, dora e Kishës që mbështet dhe dhuron shpresë. Nënë Tereza ka qenë bujare, duke mundësuar pranimin për të gjithë dhe të mbrojtes së jetës njerëzore. Ajo është përkul mbi përsona që ishin braktisur nëpër rrugë duke u njohur dinjitetin që u ka dhënë Zoti”, vijoi ai.
Të mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj, vijoi Ati i Shenjtë, dhe ta hapim zemrën për njerëzit që kanë humbur shpresën.
Ndërkohë, si për të shuar çdo dyshim dhe diskutim për prejardhjen e saj, lutja e parë në meshën e shenjtërimit u mbajt në gjuhën shqipe.


