Në Novo Sellë të Zhelinës, arrestohen 4 veta dhe konfiskohen armë
59 vjeçari Demir Miftari i fshatit Novo Sellë të komunës së Zhelinës së bashku me tre djemtë e tij është arrestuar mbrëmë gjatë aksionit të forcave të policisë për konfiskimin e armëve ilegale. Nga MPB thonë se në njërën nga shtëpitë e Demir Miftarit është konfiskuar një numër i konsiderueshëm armësh të kalibrave të ndryshëm. Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski thotë se aksioni në Novo Sellë është marrë pas të dhënave paraprake operative dhe pas dyshimeve të MPB-së për mundësinë e lidhjes së të arrestuarve me grupin e vrarë në Sfillarë.
“Gjatë bastisjes së shtëpisë është konfiskuar një sasi e madhe armatimi: tre pushkë automatike, 4 pistoleta të kalibrave të ndryshëm, 30 karikatorë, 3 mina, 3 kallëpe eksploziv dhe llojet të tjera të armëve dhe municioneve. Pas bastisjes së shtëpisë në stacionin policor janë dërguar 4 persona, pronari i shtëpisë dhe 3 djemtë e tij”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski.
Banorët e Novo Sellës thonë se ata prej 3 javësh ndjehen të shqetësuar pasi në fshatin e tyre dhe zonën përreth ka prezencë të shtuar të forcave speciale të policisë. Kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi thotë se aksioni i mbrëmshëm i policisë nuk kontribuon në uljen e tensioneve të krijuara gjatë ditëve të fundit.
“Është pak i çuditshëm fakti se koha në të cilën është bë bastisja nuk i kontribuon situatës për t’u qetësuar pasiqë ne ishim duke u kthyer nga varimi në Merovë dhe po në atë kohë nga qytetarët kuptova se në Novosellë bëhet bastisje. Forca policore ka pasur edhe në mëngjes kanë bërë sigurinë dhe ndjekjen e lëvizjeve që do bëhen pasiqë e kanë ditur që sot do bëhet vorrimi, tani në mbrëmje vet ishit dëshmitarë që nuk ka forca policore. Ditëve më parë kanë qenë të pozicionuar e ndoshta janë ende mbi Rogle pastaj në anën e kundërt apo Llaskarcë e kshtu me radhë mirëpo nuk ka pasur keqpërdorime të populates”, u shpreh Fatmir Izairi – kryetar i komunës së Zhelinës.
MPB-ja njoftoi se Demir Miftari nga fshati Novo Sellë i Zhelinës pranoi veprën dhe bëri të ditur se ai vetë e kishte porositur dhe fshehur armatimin dhe se pjesa më e madhe e ka origjinën nga konflikti i vitit 2001.