Morton Abramowitz

“Po të ndodhë një gjë e këtillë, do të hapej e gjithë ajo Kuti e Pandorës, do të rihapej Republika Srpska, Maqedonia…”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Morton Abramowitz, ish-ambasador amerikan….

 “Është e qartë se Bashkimi Evropian është i ndarë mbi Kosovën, janë ende pesë vende anëtare që nuk e njohin Kosovën. Gjithashtu, mendoj se është krijuar një përshtypje se Shtetet e Bashkuara ia kanë dorëzuar Ballkanin Bashkimit Evropian. Por, nuk besoj se kjo është e krejtësisht e drejtë.

Bashkimi Evropian ka marrë përsipër një rol më udhëheqës dhe për këtë s’ka asnjë dyshim, por mendoj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë thellësisht të brengosura, fillimisht me Bosnjën – kanë bërë përpjekje të mëdha, por të pasuksesshme, për t’i çuar gjërat përpara – dhe së dyti me Kosovën.

Qartazi, Ballkani nuk është prioriteti më i madh për Shtetet e Bashkuara aktualisht, ka shumë probleme tjera në politikën e jashtme, por megjithatë mendoj se është e padrejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kushtuar vëmendje apo se interesimi për Ballkanin është duke u zbehur. Unë, thjesht, mendoj se nuk janë aq aktive sa kanë qenë përpara. Kjo është e vërtetë”, ka thënë Abramowitz.

Më tej, Abramowitz ka thënë së “Ndarja e Kosovës do të ishte absolutisht shkatërrimtare për rajonin. Pres vendosmërisht që Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane, t’u rezistojnë këtyre përpjekjeve. Po të ndodhë një gjë e këtillë, për të cilën unë personalisht dhe shumë të tjerë gjithmonë kemi pasur shqetësim, do të hapej e gjithë ajo Kuti e Pandorës, do të rihapej Republika Srpska, Maqedonia dhe të gjitha çështjet tjera.

Prandaj, mendoj se çdo përpjekje për ndarje duhet të hidhet poshtë menjëherë. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se janë kundër ndarjes, por kjo duhet të përsëritet në vazhdimësi. Përtej kësaj, mendoj se do të ketë dallime në qëndrime midis akterëve të ndryshëm. Gjithsesi, gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që negociatat të stërzgjaten”.