Nata e madhe Champions, kush do të festojë, Atletico apo Reali?
Të gjitha rrugët të çojnë në Madrid. Këtë herë Roma nuk ka lidhje, ndërsa Lisbona thjesht sa do të jetë amfiteatri ku do të përballen dy skuadrat finaliste të edicionit të 22-të të Champions League dhe të 59-të në historinë e Kupës më të lakmuar të kontinentit evropian. Këtë radhë lavdia i takon kryeqytetit spanjoll dhe Madridi falë përballjes Real-Atletico
do të bëhet kryeqendra e botës. Mbetet vetëm për t’u parë se ku do të festohet… Këtë herë nderin për të diskutuar finalen e madhe do ta kenë dy skuadra të një qyteti, e natyrisht ndeshja merr vlera të veçanta gati-gati historike. Nëse Reali ka më shumë se një dekadë që e kërkon kupën me veshë të mëdhenj Atletico nuk do të ketë ndoshta kurrë më një rast më të mirë sesa ky. Titulli në Primera Division dhe ngjan si një çmim për karrierën për shumë prej luanëve të Diego Simeones, ndërsa në krahun tjetër “la decima” përbën një obsesion për yjet e Realit, që vazhdojnë të shikojnë e rishikojnë pa u lodhur golin e Zinedine Zidane në Hampden Park të Glasgout. Zizu tashmë qëndron në krah të Carlo Ancelottit që në Champions League ka triumfuar dy herë me Milanin. Me trajnerin italian në krye Reali ka zhvilluar një sezon të mirë por që nuk mund të quhet spektakolar dhe pa Kupën e Spanjës sezoni për klubin mbretëror deri në këtë pikë do të konsiderohej pa frikë i dështuar. Ancelotti ka befasuar jo pak me deklaratën e tij se fansat e Realit duhet të jenë të kënaqur edhe me kaq, pasi shumë skuadra të tjera do të mjaftohen duke e parë finalen e Lisbonës nga ekrani. Vetëm në Santiago Bernabeu ndeshja do të ndiqet në ekrane gjigante nga plot 80.000 tifozë.
Presioni është i gjithi mbi Realin dhe emri i 54-vjeçarit italian rrezikon të mbulohet me shpejtësi nga pluhuri i harresës. Pas vendit të tretë në Primera Division, Ancelotti tashmë nuk ka më alibi, e për më tepër që Cristiano Ronaldo e Gareth Bale janë riaftësuar në kohë dhe plotësisht të gatshëm për sfidën e madhe. Mungesa e Xabi Alonsos ndikon për të frenuar disi entuziazmin, sepse 32-vjeçari bask ka eksperiencën, pasimin e duhur, vizionin, nuhatjen si dhe pozicionimin perfekt në fushën e lojës, pra pa të Reali mund të humbasë ekuilibrin në Da Luz. Balancimi i ekipit është problemi kryesor që ka Ancelotti në ekip, pasi në anën tjetër të llogoreve qëndron një skuadër e sprovuar mirë dhe e koracuar në mënyrë të shkëlqyer nga trajneri i ri por tepër ambicioz i Atleticos. 44-vjeçari argjentinas deri më tani i ka hequr gëzimin e kundërsulmit Realit. Pra në njëfarë mënyre bie poshtë automatikisht arma më e fortë që zotërojnë dy nga futbollistët më të shpejtë të planetit Cristiano e Bale dhe ndeshjet e këtij sezoni ndërmjet tyre duke lënë mënjanë Kupën e Mbretit kanë nxjerrë në pah më së miri vështirësitë që ka ekipi i Ancelottit për të gjetur hapësira në mbrojtjen e Atleticos. Bardhekuqtë ishin të aftë të fitonin titullin e 10 në kampionatin spanjoll brenda në Camp Nou, pa dy emrat kryesorë Diego Costa e Arda Turan, pra kuptohet përveç lojës fizike, mbrojtjes së çeliktë, kundërsulmit efikas dhe zgjuarsisë taktike forca e vërtetë e “los colchoneros” qëndron te grupi dhe futbolli kolektiv. Mbrëmjen e të shtunës muzika e kompozitorit të famshëm gjerman Handel, përshtatur dhe përjetësuar në Himnin e Champions League do të ftojë në Stadiumin e Dritave në një derbi të zjarrtë pikërisht dy klubet e Madridit, por mbi të gjitha ky është një triumf i jashtëzakonshëm për Spanjën që shkëputet vite dritë nga ndjekësi më i afërt për klube Anglia. Kjo është finalja e dytë mes dy klubeve spanjolle që pas triumfit madhështor të Realit në Stade de France ndaj Valencias 14 sezone më parë. Këtë herë Reali i Ancelottit duhet të bëjë diçka në të cilën deri më tani kanë dështuar që të gjithë me radhë, të mundë për herë të parë gjatë këtij sezoni Atleticon e Simeones. Ndeshja fillon në orën 20:45 dhe privilegjin për të gjykuar finalen e 59 do ta ketë arbitri holandez Bjorn Kuipers.