naserarliu Ballkanasit nuk i pëlqen t’ i kufizohet liria: as e vjedhjes, as e manipulimit as e mashtrimit

Atij nuk i pëlqen kushtetuta, rregulloret

Atij nuk i pëlqen shteti, administrata dhe rregullat administrative

Atij nuk i pëlqen as prokuroria, as gjykata

Atij nuk i pëlqejnë deklarimi i të ardhurave, tatimet dhe asnjë lloj takse

Atij nuk i pëlqen t’ i ndalohet mendimi racist, mendimi fashist dhe mendimi shovinist

Atij nuk i pëlqen t’ i ndalohet nacionalizmi

Ballkanasit nuk i pëlqen policia, rojtari dhe personeli i sigurisë

Atij nuk i pëlqen t’ i ndalohet korrupsioni, nepotizmi dhe shtirja

Atij nuk i pëlqejnë rregullat e komunikacionit, shenjat e komunikacionit dhe semafori

Atij nuk i pëlqen t’ i kufizohet liria e shpejtësisë, kontrollimi i frenave, as gjoba si pasojë

Ballkanasit nuk i pëlqen t’ i ndalohet hiperbola, irracionaliteti dhe skizofrenia

Atij nuk i pëlqen t’ i ndalohet paranoja, viktimizmi dhe komploti

Ballkanasit nuk i pëlqen t’i kufizohet liria e kërcënimit, liria e shantazhit dhe e mburrjes

Atij nuk i pëlqejnë rregullat e drejtshkrimit, shenjat e pikësimit, gjuha letrare

Atij nuk i pëlqen bileta e autobusit, bileta e trenit dhe bileta e kinemasë apo stadiumit

Ballkanasit nuk i pëlqen fqinj i vet, miku i fqinjit dhe përparimi i vendit fqinj

Atij nuk i pëlqen liria e dashurisë, liria e orientimit seksual, liria e gruas dhe të drejtat e fëmijëve

Ballkanasit nuk i pëlqen të ndalohet rrahja e gruas, sharja dhe cenimi i dinjitetit të njeriut

Ballkanasit nuk i pëlqen religjioni i fqinjit, mendimi kombëtar dhe arsimi i fqinjit

Atij nuk i pëlqen historia e fqinjit, e tashmja dhe e ardhmja e tij

Ballkanasit nuk i pëlqen të qortohet kur gënjen, kur është krenar dhe kur jeton në iluzione

Atij nuk i pëlqen gjuha e fqinjit, krenaria e fqinjit dhe sedra e tij

Ballkanasit nuk i pëlqejnë kritikat nga jashtë, leksionet dhe udhëzimet

Ballkanasit nuk i pëlqen të zgjohet heret, të punojë shumë dhe të flejë herët

Atij nuk i pëlqen të studjojë, nëse mund ta blejë diplomën, të shkruajë disertacionin, nëse mund ta blejë titullin dhe nuk i pëlqen të injorohet si shkencëtar

Ballkanasit nuk i pëlqen t’ i ndalohet premtimi pa mbulesë, oratoria boshe dhe makiavelizmi

Atij nuk i pëlqen asnjë ligj, që mund ta pengojë në lirinë e tij të pakufizuar

Ballkanasit të vërtet nuk i pëlqen kur bie shi, kur bën nxehtë dhe kur bie borë

 

Ballkanasi me këto tipare dhe bindje nga repertoari i mendësisë ballkanike, është ballkanas profesional: i rritur dhe edukuar në frymën ballkanike dhe nëse shpërfillim aparaturën, makinerinë, makinat, avionët, kompjuterët, celularët dhe të arriturat tjera shkencore, atëherë ne ballkanasit mendërisht jemi shfaqje dhe dukuri e shekujve të kaluar, por me trup në shekullin e gabuar. Sikur të kishim shkencëtarë, që merren me historinë e ideve, atëherë çdo tipar, mund të varej në shekullin përkatës, por meqë nuk kemi, atëherë mund të supozohet se disa bindje të ballkanasave, kanë lindur në kohën romake, disa në kohën e bizantit, disa të tjera gjatë perandorisë osmane dhe disa në epokën komuniste. Krejt këto së bashku kanë krijuar një mendësi, që përjashton kushtetutën dhe jetën moderne qytetare. Pra nuk jetohet jeta me ide të kohës, por duke u besuar bindjeve të lashta, që përpiqen t’ i lustrojnë me interpretime të reja.

Kjo domethënë se ata nuk jetojnë jetën e vet bazuar në rregullat kushtetuese të kohës, por në shekullin XXI gjallojnë me bindjet e shekujve të kaluara dhe idetë e njerëzve, që nuk janë të pranishëm në kuvendet e tyre. Edhe pse të gjithë kanë kushtetuta, bindjet e tyre të trashëguara, janë përcaktues dhe orientues të përditshmërisë. Për shumë njerëz në Ballkan, respektimi i kushtetutës, që kanë aprovuar vet, është turp dhe degjenerim…