Morali
ARSIM SINANI
“Ata që kultivojnë rrëmujë morale për përfitim duhet të kuptojnë këtë: ne do t´i përmendim emrat e tyre dhe do ti korisim ata siç e lypin të koriten”. Bob Dole
Shoqërisë shqiptare në Republikën e Maqedonisë çdo ditë e më shumë i humb morali, si një vlerë e një shoqërie demokratike dhe si një rregullator i marrëdhënieve ndërnjerëzore. Pse them se morali po humbet? Sepse çdo ditë dëgjoj që dikush të jetë i dëshpëruar nga ajo që i ndodh, nga ngjarja e caktuar që i ndodh në një rrethanë të caktuar dhe që si përfundim e ka eliminimin nga loja e x vlerës në rastin konkret. Humbja e vlerave morale në një shoqëri tregon për frustracionet që i ka kjo shoqëri, për joseriozitetin e individëve të caktuar që duke ua verbuar sytë pushteti janë në gjendje të shkelin mbi çdo vlerë, të përmbysin çdo sfidë që u del para, të degjenerojnë çdo segment të jetës me të vetmin qëllim që politikën ta shfrytëzojnë si trampolinë për realizimin e ambicieve të sëmura. Dhe nuk zgjedhin mjete këta individë të caktuar që e shfrytëzojnë fuqinë e muskujve që ua jep politika për të pastruar terren dhe për të vendosur drejtësinë vetë në vend, pa përfillur asnjë. Ky është një sinjal shumë i keq dhe kërkon analizë, kërkon që mendja e shëndoshë ta parandalojë këtë fenomen që po na degjeneron.
“E vërteta gjendet diku ndërmjet të mirës dhe të keqes”, thoshte me të drejtë Shekspiri. Por sa vlen kjo për shoqërinë tonë mbetet një dilemë e diskutueshme. Sepse kriza morale te ne është aq e madhe sa që vështirë të bësh dallimin se çka është morale dhe çka nuk është morale, çka është e mirë dhe çka është e keqe, çka është e drejtë dhe çka është e padrejtë, çka është reale dhe joreale, çka është gënjeshtër dhe çka është e vërtetë, çka duhet të bësh dhe çka nuk është mirë të bësh. Deri te shkatërrimi i çdo vlere vetëm e vetëm se dikush duhet të realizojë ëndrrën e tij duke mos zgjedhur mjete për të demonstruar fuqinë kombinuar me keqpërdorim të detyrës. Individë të këtillë mund ti kushtojnë shumë një shoqërie dhe kjo reflekton që të humbet gjykimi i drejtë se çka në të vërtetë njeriu normal mundet të bëjë dhe çka nuk mundet të bëjë. Arratisja nga realiteti është një temë që neve shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë na shkon për shtati. Sepse shpesh duke mos arritur të realizojmë objektiva që do duhej ti realizojmë, arratisemi nga realiteti dhe merremi me çështje krejt të pakuptueshme duke u munduar që nëpërmjet këtyre çështjeve të pakuptueshme të arrijmë ti shërojmë ambiciet tona . Ndërsa realiteti është krejt i kundërt nga ajo që ne mendojmë. Kwsaj unw i them arratisje nga realiteti.
###
Se si e përkufizojnë qytetarët e rëndomtë moralin po ju sjell në vazhdim një model:
Morali njerëzore është një ndër shtyllat e faktorit njeri që e forcon dhe e dobëson, është edhe lëkundje dhe qëndrim. Morali i njeriut është vetëm në dy pika: Me ose pa moral.
Në këtë sferë nuk ka të mesëm dhe nuk mundet të ketë, por njerëzit e përdorin fjalën moral në shumë drejtime dhe deri diku edhe mundohen të njollosin moralin e dikujt duke etiketuar, duke nxjerrë fjalë e thashetheme. Për fat të keq shumë njerëz mendojnë se vetëm femra mundet të jetë e pamoralshme. Por realisht kjo vlen edhe për meshkujt, sepse jo morali i takon të gjithëve dhe nuk bën dallime në gjini. Duke punuar në këtë temë po sjell edhe diçka që gjeta dhe mu duk e mirë për ta thënë: Morali (lat.: moralis veset, doket, zakonet; lat.: mos – ves) është një rregull, parim ose normë e sjelljes e paravendosur nga një shoqëri, bashkësi, dhe e pranuar nga një njeri për mënyrën e tij të sjelljes dhe e zbatueshme nga të gjithë njerwzit e arsyeshëm; ose mësim i vlefshëm në mirësjellje, etikë ose domethënie praktike e shprehur apo e nënkuptuar në një histori, fabul, ose ngjarje.
Pse hyra në këtë temë dhe ku dua të dal me temën Morali? Vërtetë një kohë të gjatë po mendohem se kah po shkojmë, cilat duhet të jenë objektivat e një shoqërie demokratike, çka është e lejueshme dhe çka është e palejueshme, çka është e keqe dhe çka është e mirë. Dhe vij deri te një përfundim i logjikshëm se kemi nevojë urgjente për të medituar dhe menduar se kah po shkojmë çfarë shoqërie po ndërtojmë, cilat janë kriteret dhe rregullat e lojës. Apo do ndërtojmë një shoqëri e cila do bazohet mbi gënjeshtrën dhe mbi dëshirat . Kjo mbetet të shihet në të ardhmen. Ajo që mua më brengos është se kemi pengesa që lipset ti kalojmë dhe për këtë duhet shumë forcë dhe guxim për ti vënë disa kritere që na duhen të gjithëve. Ata që shesin moral duhet të jenë shembull për shoqërinë tonë rrugë tjetër nuk ka.
Po e përmbyll shkrimin tim me një thënie timen që e dua dhe gjithmonë e ripërsëris jo se e kam thënë unë por se lipset të jetë moto në realitet: Mos u frikësoni nga njeriu i ditur se nga ai do të mësoni diçka, frikësohuni nga shpifjet e të paditurit sepse ai ashtu mbijeton. Ndërsa për ata që dëshirojnë të ketë mjegull ka një fjali që ju shkon për shtati shumë: “Ata që kultivojnë rrëmujë morale për përfitim duhet të kuptojnë këtë: ne do t´i përmendim emrat e tyre dhe do ti korisim ata siç e lypin të koriten”.