image

Kjo është 73 vjeçarja Hisnije Osmani nga lagjja Seravë e Shkupit. Çdo rrudhë e saj në fytyrë reflekton vuajtjet dhe hallet që kalon prej një jete të tërë kjo e moshuar. Ajo që e bën edhe më tragjike jetën e saj, janë vuajtjet e djalit të sëmurë 32 vjecarit Kadri Osmani.
Në këtë gjendje prej moshës 5 muajshe, Kadriu nuk mund të flasë; nuk mund të lëviz dhe as të vetë-ushqehet. Për të gjitha këto duhet të kujdeset nëna e tij. Mërzinë, lokja Hisnije e rrëfeu para kamerës sonë duke treguar se si i kalon ditët me djalin e sëmurë.“32 vjet, ka hy për 33, Kadri e ka emrin…
A mundet mu çu me ec? Jo, jo. Dy vet ta mbajnë, dridhet, dridhet, nuk mundet, as në kolicë nuk mundem ta vendos që ta nxjerr pak, ti cele sytë, edhe vet po mërzitem…Rrallë ndonjëherë kur mërzitem e thiri ndonjë taksi e marrin dy burra, e ngrejnë ngadalë, shkoj ose te djali ose të cika, e kam në Dizhonë, tjetër kund nuk mundem të dal…. Unë krejt këtu po rri, dal te kojshitë nga 10 minuta, e ushqej, e drejtoj, e fshij, e laj, I them a të dal, ndonjëherë thotë jo se edhe mu koka po dhemb tërë ditën tu ndjet këtu, ndonjëherë më thotë dil..73 vjet inxhja I kam, ti e re je e po lodhesh kur po e bën nji punë,e jo unë 73 vjet, edhe jam e sëmurë krejt e sëmurë prej veshkave”, tha  Hisnije Osmani, nëna. Rrëfimi i mjerueshëm për jetën e lokes Hisnije është shumë i gjatë. Ajo na tregoi për shumë vështirësi me të cilat ballafaqohet. Më vështirë se kurrë, është koha kur duhet t’i bëjë banjë Kadriut, duke e vendosur në koritë në mes të dhomës. Ajo nuk mund ta ngrejë dot dhe ta dërgojë në banjën që gjendet poshtë shtëpisë. Për këtë, ajo u bën apel gjithë njerëzit human për ndihmë për rindërtimin e shtëpisë.“Kur e ke më zor, kur e ushqen ose kur ta…Kur e laj më vjen më shumë zor. Ushqimin ja bëj aty, ulet, e ushqej ashtu si është I shtrirë, I jap me lug kur kam ushqim të lëngshëm, ndonjëherë ulet, ja vnoj nji najllon përpara, po jargohet shumë..Ma zor është, në dhomë nuk lahet, atje nuk mundme me cu, me pas banjon këtu e ngrehi ngadalë ngadalë edhe e shti në banjë, ama poshtë nuk mundem me cu, e ngrohi ujin poshtë dhe e bi këtu me la, çka me bë. Për cka kam nevojë, nevojë kam për kulm, saqë ka mundësi mirë, nëse jo Zoti na e gjashtë të mirën edhe neve edhe atyre që kanë dhe nuk kanë mundësi të na ndihmojnë”, tha  Hisnije Osmani, nëna. Shtëpia në të cilën jeton kjo familje është në prag të shembjes. Lokja Hisnije treguar me dorë shtyllat e drurit që i kanë vendosur në bodrum për ta mbajtur dhomën ku qëndron ajo me djalin. Nga çdo anë e dhomës hyn uji. Pamjet që po shihni nuk kanë nevojë për komente, pasi e reflektojnë varfërinë që ka përfshirë këtë familje. U larguam nga kjo shtëpi me shpresë se rrëfimi i lokes Hisnije do të nxisë shumë njerëz që kanë mundësi, për ta ndihmuar atë. Melihate Rustemi