Miratohet marrëveshja për burgjet me Danimarkën
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Me 86 vota për, 7 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët ia dhanë dritën jeshile kësaj marrëveshjeje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se nga kjo marrëveshje Kosova do të fitojë 15 milionë euro tarifë fikse në vit.
“Qëllimi i këtij traktati është forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Danimarkës. Sipas traktatit, Kosova do të vërë në dispozicion kapacitetet e përshtatshme për 300 të burgosur të Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore fikse prej 15 milionë eurove dhe 6 milionë euro të tjera për energji të gjelbër”, tha Rizvanolli.
Kujtojmë se kjo marrëveshje kishte dështuar të miratohet në Kuvend në seancën e mbajtur para një jave.