Një muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ende nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës. Kështu thotë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa potencon se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga dioqeza Rashkë-Prizren. Ai shton se do të vazhdojnë të jenë insistues dhe t’i kryejnë detyrat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi terrorist për t’u strehuar, pasi sulmuan Policinë e Kosovës, mëngjesin e 24 shtatorit, me ç’rast është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën dy policë.

Më 27 shtator, tre ditë pas sulmit, ministri Çeku bëri të ditur se i kanë mjetet e nevojshme për të kryer sanimet, teksa shtoi se dëmet nuk janë të vogla në strukturën fizike të Manastirit.

Ministri Çeku në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë sipas tij, është në pyetje trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës. Ai shtoi se me vlerësimin e dëmeve, do të ndërmerren veprimet e duhura riparuese.

Përveç kësaj, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku potencoi se është bërë një vlerësim preliminar i dëmit që i është shkaktuar trashëgimisë kulturore gjatë viteve 98-99’ nga forcat serbe. Ai thotë se i MKRS-ja, i ka shifrat e para që tregojnë se sa monumente e vepra arti janë dëmtuar.

Çeku shtoi se raporti do të mbetet konfidencial deri në një afat të pacaktuar, meqë sipas tij, është një dokument shumë i rëndësishëm me të cilin do të ballafaqohet Serbia. Ai thotë se përmes këtij raporti, do të kërkohet dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga forcat serbe në mënyrë të qëllimshme gjatë luftës së fundit.

Ndryshe, kanë kaluar dy dekada prej përfundimit të luftës në Kosovë, por Serbia vazhdon t’i mbajë mbi një mijë artefakte arkeologjike të cilat vendin e kanë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Deri më tani, nga thesari i artefakteve Kosovës i është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja”, të Prishtinës.

Për kthimin e këtij eksponati, në maj të vitit 2002, ishte angazhuar asokohe ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës, Michael Steiner. /KP/